Partitë e vogla, nën sqetulla të robërisë së partive të mëdha

Partitë e vogla, nën sqetulla të robërisë së partive të mëdha
  • 29 May 2017 - 08:15

Shkruan: Reshat Sahitaj

Koalicionet e partive politike në prag të zgjedhjeve

Duke u bazuar se partitë e vogla nuk kanë guxim të marrin hapa për zgjerimin e tyre, partitë e mëdha i fusin nën sqetulla partitë e vogla duke ua hedhur nga një kockë sa për ta lëpirë, ndërsa vjedhjet e mëdha i bëjnë pa i futur në pazar shefat e partive të vogla të stërkënaqur me nga një kockë. Duke i grumbulluar shefat e partive të vogla, këta nga të gjitha bashkë e shtojnë përqindjen e partisë dhe rrisin numrin e deputetëve të tyre, ndërsa të voglat mbesin aty ku ishin që nga fillimi i krijimit të tyre

Partia politike krijohet nga individët, të cilët bashkohen rreth një ideologjie ose filozofie të përbashkët, të cilët garojnë për marrjen e pushtetit që t'i realizojnë qëllimet e tyre. Në tërë botën partitë politike kanë imazh të keq në popull, mirëpo partitë luajnë rol kryesor në sistemin shtetëror. Partitë politike kanë tri funksione esenciale: zbatimin e programeve të tyre, orientimin e masave në favor të partisë dhe seleksionimin e kandidatëve për elitë të partisë.

Numri i partive politike në Kosovë

Numri i partive politike në vendin tonë, në krahasim më numrin e banorëve, është shumë më i madh se në shtetet e civilizuara. Arsyet e krijimit të shumë partive mund të supozohet se mentaliteti ynë shqiptar është shumë i ngushtë, ngase vështirë e kemi që tjetrin ta pranojmë më të zgjuar, të marrim urdhra prej tjetrit e ta respektojmë mendimin e tjerëve. Shqiptari, nëse nuk është i pari, nuk dëshiron të jetë i dyti, përveç kur i imponohet forca nga pala kundërshtare. Ende në Kosovë vepron logjika e forcës fizike dhe nuk është për t'u habitur që shumica e partive politike janë të themeluara nga grupe familjarësh dhe familje me shumë vëllezër, duke e përjashtuar këtu themelimin e LDK-së në dhjetorin e 1989-s, e cila ishte një lëvizje gjithëpopullore. Gjatë viteve të '90-ta u krijuan një numër i konsiderueshëm të partive politike legale, por të cilat në kërkesat e tyre me ndërkombëtarët ishin të kufizuara pa guxuar të kalonin vijën e kuqe të vendosur nga Beogradi, ndërsa para opinionit tonë kërkesat e këtyre partive ishin ndryshe. Këtë po e shkruaj me vetëdije dhe përgjegjësi, sepse në të gjitha ato takime që organizoheshin në Bruksel isha prezent. Në anën tjetër, në Kosovë ekzistonin edhe parti ilegali si LPK-ja, LKÇK-ja e ndonjë tjetër të cilat kërkesat i kishin kombëtare, por programet e tyre ishin marksiste e staliniste, gjë që dukshëm i dëmtonin interesat kombëtare dhe vështirë të arrinin të përvetë- sonin aleatë perëndimore. Në këtë kontekst, aleatët perëndimorë më shumë preferonin partitë me kërkesa të moderuara sesa t'i përkrahnin partitë ilegale e të instalonin në Kosovë një sistem stalinist totalitar. Në Kosovën e pasluftës, numri i partive politike u shtua, ku asnjëra ende nuk është profilizuar dhe asnjëra nuk ka program që dallohet nga tjetra. Profilizimi dhe programi i partisë është baza e qëllimeve që ajo ia ka caktuar vetvetes që nëse e merr pushtetin do ta realizojë programin. Që nga pas lufta e këtej, partitë politike formohen për arritjen e qëllimeve të një grupi të kufizuar individësh, të cilët mendojnë vetëm interesin material të grupit për të vjedhur pasurinë shtetërore. Shefat e partive luajnë me sentimentet e popullit duke e përdorur nacionalizmin, duke treguar sakrificën e familjes së tyre se sa meshkuj iu kanë vrarë për atdhe, duke e falsifikuar biografinë e tyre… 

Aderimet në një parti politike 

Shefat e partive politike e kanë krijuar stafin me individë të dëgjueshëm nga familjarët e vet, të cilët grumbullojnë familjarët e familjarëve, po ashtu të dëgjueshëm. Sa më e madhe të rritet partia, aq më larg shkëputën lidhjet familjare, nga të cilët më vonë krijohen pakë- naqësitë ndaj liderit dhe stafit. Nga kjo pakënaqësi krijohen grupe separatiste brenda partisë, të cilët disa ndahen e disa largohen për t'u izoluar. Ndarjet dhe ikjet, partive ua imponojnë kërkime të kandidatëve të rinj, pa të cilët partia rrezikon të zvogëlohet deri në minimum që mos ta kalojnë as pragun. Asnjëra parti nuk u bënë thirrje kandidatëve, të cilët kanë një biografi të bujshme patriotike dhe intelektuale. Secili e di se partia nuk ka nevojë për njerëz të mençur e patriotë, por ata që kanë biografi të dyshimtë e që në rast të mosdëgjueshmërisë të kenë mundësi të largimit të tyre ose t'i shantazhojnë.

Gabimi i partive të vogla 

Partitë e vogla funksionojnë një lloj si partitë e mëdha, me të vetmin ndryshim se shefat mendojnë se duhet të jenë të udhëheqës të përjetshëm, nuk e zgjerojnë stafin e tyre me figura të reja intelektuale. Çdo tentim i ndonjë intelektuali për të aderuar në këto parti, shefi dhe stafi e shohin rrezik për postin e tyre. Nga frika për postin e tyre, partitë e vogla mbesin gjithnjë nën sqetulla të partive të mëdha nga të cilat e sigurojnë vetveten dhe familjarët. Shefat e partive të vogla nuk guxojnë të marrin iniciativa konkrete dhe madhore në dobi të partisë dhe zbatimit të programit të tyre, sepse rrezikojnë të shuhen, e sidomos që nga koha e vendosjes së pragut 5%. Shefat e partive të vogla janë egoistë, zemërngushtë, frikacakë dhe nuk kanë vizion largpamës. Partitë e vogla munden shumë lehtë të bëhen faktorë vendimmarrëses që të mos jenë të varura nga partitë e mëdha, nëse këto të gjitha bashkë krijojnë aleancë parazgjedhore. Aleanca e tyre parazgjedhore do t'u garantonte atyre që të kalojnë pragun dhe të kenë një numër deputetësh. Bashkimi i tyre do të krijonte një forcë të re politike ku më nuk do të jenë të varura nga partitë e mëdha, por atyre do t'u qesin kushte për formimin e qeverisë ose do të jenë zë i fortë i opozitës. Mirëpo, kjo aleancë e partive të vogla nuk mund të arrihet, sepse shefat janë ata të cilët edhe ashtu vetës ia kanë siguruar një post në çdo qeveri. Shefat e këtyre partive i manipulojnë anë- tarësinë e vet për t'ia siguruar vetes luksin dhe komforin me poste si zëvendësministër ose diku në qeveri si negociator me Serbinë. Duke qenë të sigurt për postet e veta, këta nuk pranojnë asnjë bashkim me partitë e vogla. 

Partitë e mëdha i shfrytëzojnë të voglat

Duke u bazuar se partitë e vogla nuk kanë guxim të marrin hapa për zgjerimin e tyre, partitë e mëdha i fusin nën sqetulla partitë e vogla duke ua hedhur nga një kockë sa për ta lëpirë, ndërsa vjedhjet e mëdha i bëjnë pa i futur në pazar shefat e partive të vogla të stërkë- naqur më nga një kockë. Duke i grumbulluar shefat e partive të vogla, këta nga të gjitha bashkë e shtojnë përqindjen e partisë dhe rrisin numrin e deputetëve të tyre, ndërsa të voglat mbesin aty ku ishin që nga fillimi i krijimit të tyre. Partitë e vogla, duke filluar nga AKR-ja, e cila për pak vota nuk arriti të kalonte pragun, nga frika e moskalimit të pragut bëri koalicion më LDK-në dhe në këtë mënyrë e humbi pavarësinë të jetë parti që garon për realizimin e programit të saj. Në anën tjetër, e kemi partinë NISMA, e cila në zgjedhjet e kaluara e kaloi pragun, por nga padrejtësitë e brendshme që iu bënë disa personaliteteve bëri që këta të aderojnë në parti të tjera kundërshtare, dhe zbehu imazhin e një partie serioze. Stafi i kësaj partie, nga frika moskalimit të pragut dhe etjes për pushtet, ndikoi që të lidhin aleancë paraelektorale më AAK-në. Afrimi i këtyre dy partive pa VV-në nuk kishte asnjë matematikë se këta mund të dalin të parët, andaj për të siguruar pushtetin i afrohen PDK-së, e kjo e fundit nga frika e humbjes së pushtetit në zgjedhjet e ardhshme e sakrifikojnë postin e kryeministrit me të vetmin qëllim që të vazhdojnë t'i mbrojnë pasuritë e fituara paligjshëm. Partitë e tjera të vogla, si: Balli Kombëtar, Partia Liberale, etj., nuk kanë staf të aftë për zgjerimin e tyre dhe këto do të mbeten edhe për shumë dekada të vogla e ndoshta rrezikohen të shuhen nëse nuk ndërmarrin vendime për veprime konkrete të pavarura. 

A punojnë partitë për interesa kombëtare? 

Secila parti thirret në interesa kombëtare, por në fakt të gjitha punojnë për interesa individuale. Sikur partitë tona të kishin punuar për interesa kombëtare, situata ekonomike e qytetarëve tanë do të ishte përmirë- suar dukshëm e jo që sot Kosova të radhitet në vendin e fundit. Sikur partitë tona të kishin punuar për interesa kombëtare, liderët e partive nuk do të kishin nënshkruar krijimin e Asociacionit të komunave serbe me të gjitha të drejtat e një shteti në një shtet tjetër. Asociacioni i komunave serbe origjinën e ka nga takimet në Vjenë, ku kanë qenë pjesëmarrës të gjitha partitë, si: AAK-ja,PDK-ja,LDK-ja dhe të tjerë, ndërsa nënshkrimi i tyre u bë disa vjet më vonë në Bruksel. Sikur partitë tona të kishin punuar për interesa kombëtare, Mitrovica nuk do të ishte e ndarë, por ajo është ndarë nga vullneti politikë i yni e jo i ndërkombëtarëve siç po deklarojnë disa liderë tanë. Sikur partitë tona politike të kishin punuar për interesa kombëtare, nuk do shpërnguleshin 12 mijë nga Mitrovica Veriore për të jetuar pa asnjë mbikëqyrje nga shteti dhe pa asnjë siguri për jetën e tyre në tokat dhe shtëpitë e veta. Kudo në botë partia politike mund të regjistrohet dhe të veprojë vetëm nëse ajo nuk i tradhton interesat kombëtare. Në momentin kur një parti politike i tradhton interesat e shtetit, ajo parti përjashtohet dhe shuhet nga skena politike. Në Francë në bazë të Artikull 3 të ligjit më 1 korrik të vitit 1901, partia përjashtohet dhe i ndalohen veprimet, kur ajo parti vepron në kundërshtim më ligjin që nënkupton cenimin e integritetit territorial dhe të qeverisë. Partitë politike në Kosovë janë ato nga të cilat u cenua integriteti territorial, si Demarkacioni i kufirit me Maqedoninë ku ne humbëm mijëra hektarë, duke i ndarë fshatarët nga toka e tyre pjellore. Partitë politike në Kosovë nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk e respektojnë Policinë e Gjyqësinë e Kosovës, por janë mbi ligjet dhe shtetin. Nëse vazhdon kështu, edhe për shumë dekada Kosova do të mbetet në terr e duke ia hedhur fajin ndërkombëtarëve, të cilët ndërrohen pas çdo gjashtë muajve. 

(Kosova Sot)