Sfida e Angela Merkelit për Evropën

Sfida e Angela Merkelit për Evropën
  • 15 June 2017 - 10:23

Shkruan: Joschka Fischer

Kancelarja gjermane Angela Merkel kurrë nuk është konsideruar si oratore kushedi sa frymëzuese. Në fakt, ajo është e njohur për faktin se i bën të tjerët që të flenë, derisa ajo flet. Por, e tërë kjo ndryshoi pak ditë më parë. derisa ishte duke bërë kampanjë në periferinë e Munihut, në Trudering, Merkel mbajti një fjalim të fuqishëm i cili dominoi titujt e gazetave në të dyja anët e Atlantikut. Me ofrimin e festës së krishterë Rrëshajat, shumë pyeteshin mos Merkel ishte frymëzuar nga Shpirti i shenjtë. Nëse jo, atëherë ajo mund të jetë detyruar që të vepronte pasi ka kaluar shumë orë në shoqëri të presidentit amerikan Donald Trump gjatë samiteve të NATO-s dhe G7. Dhe, zgjedhjet e ardhshme federale të Gjermanisë pa dyshim se ishin në mendjen e saj. Por, fjalimi i Merkelit nuk ishte thjesht "beer tent Goslar". Ajo nuk rivalizonte me ish- kancelarin Gerhard Schröder, i cili, duke bërë kampanjë në qytetin Goslar në janar të vitit 2003, kishte deklaruar se Gjermania nuk do të merrte pjesë në Luftën e Irakut, pa marrë parasysh se a do ta kishte një luftë e tillë mbështetjen e KS të OKBsë. "Kohët kur ne mund të mbështeteshim në tërësi te të tjerët, kanë kaluar në një masë të caktuar", tha Merkel, "për çka mund të them vetëm se ne evropianët duhet ta marrim fatin tonë në duart tona". Disa mund ta kuptojnë këtë si largim të Gjermanisë nga aleanca transatlantike, duke ndjekur një rirreshtim strategjik, apo duke hyrë në një epokë të re të pasigurisë. Por, deklarata e Merkelit nuk e kishte këtë kuptim.

Agjenda izoluese

Kushdo që iu ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit,ka vërejtur se ndryshimet historike që janë duke ndodhur nuk kanë filluar në Gjermani. Ato janë duke dalë nga dy vendet themeluese të Perëndimit gjeopolitik: SHBA-ja dhe Britania. Para zgjedhjes së Trump-it dhe referendumit Brexit, gjermanët nuk shihnin asnjë arsye për të bërë ndryshime fundamentale ndaj rendit ekzistues gjeopolitik. Por, këto dy ngjarje tronditën themelet mbi të cilët qëndronte paqja dhe prosperiteti i Evropës që nga Lufta II Botërore. Vendimi i Britanisë që të dilte nga BE-ja mund t'i frymëzojë vendet e tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe, agjenda izoluese "Amerika në rend të parë" e Trump-it, na bën me dije se Amerika do të heqë dorë nga roli i saj udhëheqës në botë, duke hequr garancitë e saj për sigurinë në Evropë. Evropianët evituan një fatkeqësi të përmasave historike muajin e kaluar në Francë. Sikur të kishte fituar Marine Le Pen nga e djathta ekstreme, ajo me gjasë do t'i kishte dhënë fund euros, BE-së dhe tregut të përbashkët. Evropa kontinentale do të zhytej në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Ata që vazhdojnë ta mbështesin një Evropë të bashkuar, duhet të nxjerrin mësim nga ky veprim i Francës, përndryshe historia do të përsëritet. Evropa duhet ta zgjerojë kapacitetin e saj për të vepruar dhe për të reaguar ndaj krizave dhe rrethanave sfiduese. Ky ishte mesazhi i deklaratës së Merkelit. Në të njëjtën kohë, Merkel fliste rreth debateve aktuale midis ekspertëve dhe analistëve, rreth asaj se cili mund të jetë ndikimi i Brexitit dhe presidencës Trump në të ardhmen e bashkëpunimit transatlantik dhe evropian. Vetëm ata që e kanë nënvlerësuar Merkelin, mund të mendojnë se ajo do të largohet nga trans-atlanticizmi. Merkel e di se SHBA-ja është e pazëvendë- sueshme për sigurinë evropiane. Por, ajo po ashtu e di se presidenca Trump ka ngjallë dyshime si në garancitë amerikane të sigurisë, po ashtu edhe te vlerat e përbashkëta, të cilat deri më tani lidhnin fuqishëm dy anët. Një analizë e vëmendshme e fjalëve të Merkelit tregon se ajo nuk e vinte në pyetje të ardhmen e aleancës transatlantike. Në vend të kësaj,ajo apelonte për një Evropë më të fuqishme. Merkel e di se nëse SHBA-ja sakrifikon vendin e saj në krye të rendit ndërkombëtar, për shkaqe të politikës së brendshme, atëherë ajo nuk do të zëvendë- sohet nga ndonjë fuqi tjetër udhëheqëse, e as nuk do të paraqitet një rend i ri botëror. Ajo që do të kemi, do të jetë një vakum i pushtetit, i karakterizuar nga kaosi. Dhe, derisa bota është duke u bërë më pak stabile, ne evropianët nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të bashkohemi në mbrojtje të interesave tona. Askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ne. 

Ambienti kaotik

Për këtë shkak, fjalimi i Merkelit ishte në rend të parë rreth forcimit të Evropës. Dhe, për fat, ajo gjeti një partner te presidenti i ri francez, Emmanuel Macron. Që të dy liderët duan stabilizimin e eurozonës, rikthimin e rritjes ekonomike dhe forcimin e sigurisë evropiane me një forcë të përbashkët kufitare dhe me një politikë të re ndaj refugjatëve. Merkel me të vërtetë e mendonte atë që e tha në Trudering. Duke pasur parasysh ambientin kaotik ndërkombëtar dhe problemet e vet BE-së, nuk ka alternativë pos të veprojmë dhe apeli i saj mund të ketë ndikim të madh për vendin e Gjermanisë në BE, si dhe për raportin e Gjermanisë ndaj Francës. Roli aktual i Gjermanisë si ruajtëse e eurozonës, bie ndesh me qasjen e re të cilën ajo duhet ta marrë. Me qëllim të demonstrimit të një lidershipi të vërtetë brenda partneritetit franko-gjerman, Gjermanisë do t'i duhet që të bëjë lëshime politike. Për më tepër, vetëm për shkak se Trump thotë diçka, kjo nuk dmth automatikisht se ajo gjë është e gabueshme. Gjermania dhe Evropa në përgjithësi, duhet që të bëjnë më shumë për sigurinë e vet dhe për ta forcuar urën transatlantike e cila mbështet paqen dhe prosperitetin e evropianëve. Dhe, derisa e ndjekim këtë projekt, ne duhet të mbrojmë me fuqi vlerat liberale të cilat na bëjnë model për demokratët dhe "bête nxire" për fuqitë autoritare në botë. (Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar gjerman midis viteve 1998- 2005) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)