Ana biznesore e Brexit-it

Ana biznesore e Brexit-it
  • 16 June 2017 - 11:08

Shkruan: Rain Newton-Smith 

Ekonomia deri më tani është treguar fleksibile

Gati një vit më parë, britanikët votuan - 52% ndaj 48% - që të dilnin nga BE-ja. Shumë prisnin që ky votim të shkaktonte luhatshmëri të madhe ekonomike. Por, ekonomia, deri më tani, është treguar fleksibile, edhe pse derisa jemi duke iu ofruar zgjedhjeve të kësaj jave, ka shenja se një inflacion më i lartë është duke u hakmarrë te konsumatorët dhe te disa biznese. Pyetja që shtrohet është nëse ekonomia mund t'i durojë procedurat aktuale të shkurorëzimit. Pas votimit Brexit, veprimet e shpejta të Bankës së Anglisë ndihmuan në qetësimin e tregjeve financiare dhe në rrjedhën e kredive. Për dallim nga kriza financiare e vitit 2008, kostoja e kredisë për shumë kompani dhe familje britanike nuk është rritur, bile-bile mundet edhe të ketë rënë. Marrë në përgjithësi, konsumatorët britanikë kanë bërë atë që e bëjnë më së miri: kanë shpenzuar paratë e tyre duke blerë në dyqane dhe online. Vitin e kaluar shpenzimet e amvisërive mbështetnin një rritje të përgjithshme prej gati 2%. 

Duhet të ballafaqohemi me këto sfida me gjakftohtësi

Ndryshimi i madh në tregjet financiare ka pasur të bëjë me rënien e shpejtë të vlerës së funtit. Norma më e dobët e këmbimit iu ka ndihmuar eksportuesve britanikë që ta rrisnin aftësinë e tyre konkurruese. Anketa e trendëve industrialë në prill, e bërë nga Konfederata e Industrisë Britanike (ku unë jam ekonomist kryesor), tregoi rritjen më të fuqishme në porositë eksportuese të prodhimit që nga viti 2011. Por, kjo është një shpatë me dy tehe: prodhuesit britanikë po ashtu ballafaqohen me rritjen më të shpejtë të njësive mesatare të kostos që nga viti 2011, për shkak të rritjes së çmimeve të importeve. Rënia e vlerës së funtit po ashtu mund të fillojë t'i dëmtojë amvisëritë. Inflacioni i çmimit të konsumatorëve pritet që këtë vit t'i afrohet vlerës prej 3%. Megjithatë, duke pasur parasysh dinamikat ndryshuese të tregut të punës, rritja mesatare e rrogave nuk ka të ngjarë që të jetë më e madhe se 2.5%. Në suaza reale, të ardhurat mesatare familjare kanë të ngjarë që të mbeten të njëjta, apo edhe të bien, duke rrezikuar motorin thelbë- sor të shpenzimeve të konsumatorit, i cili është esencial për ekonominë. Edhe më keq, këto sfida makroekonomike mund të mbeten tepër të vogla, krahasuar me ato që dalin nga negociatat e ardhshme Brexit. Rreziku kryesor për bizneset është se, përgatitja për të gjithë skenarët e mundshëm të euros, mund të bëhet një çështje vetëkonsumuese, duke bërë që kompanitë të lënë anash qëllimet e tyre më të mëdha strategjike. Lajmi i mirë është se, tani për tani, komuniteti i biznesit duket i besueshëm. Sipërmarrësit dhe shefat ekzekutivë kanë mjaft përvojë në marrjen e vendimeve në një botë jo të sigurt. Prandaj, përkundër të pasigurtave të Brexit-it, ata janë duke vazhduar që të investojnë në fushat e orientuara kah e ardhmja, sikur që është kompjuterizimi "cloud", inteligjenca artificiale dhe analizimi i të dhënave. E vërteta është se, është revolucioni teknologjik dhe rritja e konsumimit në Azi - e jo raporti i Britanisë me BE-në - ai i cili do të transformojë mënyrën sesi bëhet biznesi gjatë disa prej dekadave të ardhshme. Me vazhdimin e negociatave Britani - BE, është kritike që kompanitë ta kenë këtë në mendje, duke izoluar grupet punuese të Brexitit dhe duke mbajtur pjesën tjetër të menaxhmentit të kompanisë të përqendruar te një strategji më e gjerë e biznesit. Kjo nuk d.m.th. se duhet të dorëzohemi para kompleksitetit të detyrës që e kemi përpara. Përkundrazi, ne duhet të ballafaqohemi me këto sfida me gjakftohtësi, duke kërkuar që disa vendime të vështira të merren sa më parë që të jetë e mundur. Nga perspektiva e biznesit, njëra nga sfidat më të mëdha ka të bëjë me popullin. Si duket tani për tani ekonomia britanike është e rrethuar me mangësi të aftësive: më shumë se dy të tretat e kompanive nuk janë të sigurta se mund t'i plotësojnë boshllëqet për vendet e punës që kërkojnë aftësi të larta, gjatë 3-5 viteve të ardhshme. Zgjidhja afatgjatë qëndron te një edukim më i mirë dhe te trajnimi i aftësive në tërë Britaninë. Por, në aspektin afatshkurtër, migrimi mund ta bëjë të veten. 

Shtyrja e negociatave

Tanimë, emigrantët e BE-së japin një kontribut të madh për ekonominë e Britanisë. Në shumë organizata dhe kompani, qytetarët e BE-së përbëjnë më shumë se 40% të të punë- suarve. Këta shtetas të BE-së dhe familjet e tyre tani janë duke u ballafaquar me një pasiguri reale. Por, qytetarët e BE-së që janë tanimë në Britani, nuk do të mjaftojnë, si të vetëm, për ta fuqizuar atë motor. Për këtë shkak Britania tanimë ka nevojë për një sistem të ri dhe të shpejtë të imigrimit, të bazuar në dëshmi. Bizneset, punëtorët dhe familjet kanë nevojë ta dinë deri në fund të vitit se si do të duket një sistem i tillë, duke përfshirë edhe kriteret për hyrje. Një vendim tjetër kritik i cili duhet të merret tani, është se "mungesa e marrëveshjeve" nuk është opsion. Larg të mbajturi hapur të një mundësie të tillë, sikur që ka bërë qeveria e kryeministres Theresa May, Britania dhe BEja duhet të përkushtohen për arritjen e një marrëveshjeje të qartë rreth çështjeve rregullative, duke siguruar që kompanitë në të dyja anët e Kanalit anglez mund të vazhdojnë që të bëjnë biznes. Një skenar që çon në humnerë duhet evituar me çdo kusht. Nëse duam që ekonomia britanike të përshtatet me implementimin e Brexitit, sikur që është përshtatur me votimin pro Brexitit, Qeveria, sikur edhe bizneset, duhet ta minimizojnë ndikimin e pasigurisë, duke e menaxhuar atë pasiguri në mënyrë efikase. Pa marrë parasysh arsyen politike për shtyrjen e fillimit të negociatave serioze të Brexitit, nuk duhet të lejohet që ajo ta lejë nën hije arsyen ekonomike për çuarjen e bisedës përpara. (Rain Newton-Smith është ekonomiste kryesore në Konfederatën e industrisë britanike) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"