A mund të bëhet vërtet Albin Kurti kryeministër?

A mund të bëhet vërtet Albin Kurti kryeministër?
  • 17 June 2017 - 08:37

Shkruan: Gani Qarri

Kalkulimet paszgjedhore

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja 'Vetëvendosje', Albin Kurti, jo vetëm që bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të zhvillojë takime me zyrtarë të LDK-së, por edhe shtoi se në koalicionin paszgjedhor, të kryesuar nga VV-ja, dyert i kanë të hapura të gjithë deputetët e pakënaqur të koalicionit PAN

Zgjedhjet e fundit, për shumë arsye, dalluan dukshëm nga ato të më parmet. Vetë fakti se me këtë rast u krijuan dy koalicione "gjigante" dhe më të mëdhatë të deritanishme parazgjedhore, duke grumbulluar dhjetëra grupime politike në të cilat u përfshin hiç më pak se 23 parti, të mëdha e të vogla, flet mjaft për parandjenjën e humbjeve nga komandantët dhe frikën e ndëshkimit që përjetonin të korruptuarit dhe politikanët e inkriminuar nga dënimi që mund t'u jepte populli në këto votime. Ato u ndanë në dy tabore të ndryshme kundërshtare. Vetëm në koalicionin PAN me në krye PDK-në u grumbulluan hiç më pak se 16 prej tyre, kurse në LAA, kryesuar nga LDKja mese 7 parti të tjera. Dy koalicionet kryesore, përkundër numrit të madh të partive të inkorporuara, nuk morën përkrahjen e nevojshme dhe u votuan vetëm nga një numër i kufizuar zgjedhë- sish. Kjo bëri që asnjëri koalicion të mos fitojë shumicën absolute. Derisa koalicioni PAN mori shumicën e thjeshtë, por që megjithatë nuk arriti të nxirrte numër të mjaftueshëm deputetësh për formimin e Qeverisë, koalicioni tjetër LDK,AKR, AA etj, jo vetëm se mori shumë pak vota, por edhe rrëshqiti aq poshtë, saqë u mund edhe nga një parti si VV, e cila garoi e vetme në këto zgjedhje. VV-ja çoi gjithë koalicionin prej 7 subjektesh politike të LAA në vendin e tretë. Ndaj, në kohën kur Kosova pret me padurim themelimin e qeverisë së re, të paszgjedhjeve të 11 qershorit, ende nuk dihet me saktësi nëse përfaqësuesit e koalicionit PAN do të arrijnë ta formojnë qeverinë, për shkak të mungesës së numrave, të cilët siç duket nga ato që flitet kësaj radhe nuk do ta kenë fare të lehtë që t'i sigurojnë.

Kriza institucionale

Sipas z. Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës, koalicioni PAN duhet të krijojë qeverinë brenda afatit 30 ditësh, e nëse edhe pas mundësisë së dytë të ofruar nga presidenti dështon formimi i institucioneve, atëherë ai thotë se do të ketë zvarritje, krizë dhe probleme serioze. Në anën tjetër, juristi Dastid Pallaska beson se në Kosovë ekziston një mirëkuptim që edhe partisë së dytë për nga numri i votave të fituara në zgjedhje mund t'i ofrohet mundësia që të formojë Qeverinë pasi që kjo, sipas tij, është edhe një zgjidhje kushtetuese. Kurse Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sqaron më tej se nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë qeverinë, presidenti mund t'ia ofrojë mundësinë për formimin e Qeverisë edhe partisë që nuk e ka shumicën e vendeve në Kuvend, e që sipas radhës i bie të jetë VV-ja, e cila duhet të provojë e dyta të formojë institucionet shtetërore. I frymëzuar nga këto deklarata, Albin Kurti qysh më 13 qershor u ka hyrë me vrap përpjekjeve për marrjen e mundshme të mandatit për formimin e qeverisë. Madje ai në një konferencë për media ftoi koalicionin LDK-AKR-Alternativa edhe në një takim konsultativ për ndërtimin e një qeverie të përbashkët. Përveç një takimi " të rastësishëm" në një hotel të Prishtinës që Kurti më 13 qershor pati me kryetarin e AKR-së,Behgjet Pacolli, pas thirrjeve të lartcekura edhe Mimoza Kusari-Lila, si pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDKnë, u deklarua për pjesëmarrje në takimin që do të organizohet nga 'Vetëvendosja'. Kandidati për kryeministër nga Lëvizja 'Vetëvendosje', Albin Kurti, jo vetëm që bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të zhvillojë takime me zyrtarë të LDK-së, por edhe shtoi se në koalicionin paszgjedhor të kryesuar nga VV, dyert i kanë të hapura të gjithë deputetët e pakënaqur të koalicionit PAN, të cilët nuk dëshirojnë më të kenë edhe një qeveri të klanit "Pronto", siç shprehet ai. Oferta e Kurtit u shfaq në mënyrë taktike dhe jo në emrin e tij personal, e as në atë të VV-së, por "në emër qytetarëve", të cilët në zgjedhjet e fundit, kanë votuar për ndryshime politike, formimin e një qeverie të re dhe çuarjen përpara të vullnetit të votuesve, për ndryshime në vend. Problemi kryesor që' Vetëvendosjes' t'i besohej krijimi i institucioneve shtetërore deri më tani konsiderohej moskomunikimi i Albin Kurtit me Ambasadën e SHBA-së, që në fakt edhe ishte pengesa më madhore dhe e pakalueshme për të.

Raportet me Ambasadën e SHBA-së

Madje, edhe në një debat televiziv, kandidati për kryeministër nga VV-ja, z. Kurti, në kundërshtim me kryetarin e Prishtinës z. Shpend Ahmeti, i cili edhe ka mbaruar studimet ekonomike në SHBA dhe konsiderohet si proamerikan, ai vetë e pranoi publikisht se si ende nuk ka marrëdhënie të mira me Ambasadën e SHBA-së, pa bekimin e së cilës vërtet është shumë e vështirë, nëse jo edhe e pamundur që VV-ja të vijë deri te mandati i formimit të Qeverisë. Por, pas takimit të një delegacioni të Lëvizjes 'Vetëvendosje' me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, në mbrëmjen e 14 qershorit në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, në praninë e Visar Ymerit kryetar i VV-së dhe Shpend Ahmetit, kryetar i Prishtinës, nga përfaqë- suesit e SHBA-së, duhet t'i jenë bërë të qarta vijat e kuqe edhe neokomunistit Albin Kurti dhe shpjeguar atij, një herë e mirë, se për t'u bërë kryeministër i një vendi evropian si Kosova, ai së pari duhet të evropianizohet, shpërlahet përfundimisht nga turkofilia dhe zhvishet përgjithmonë nga shamitë dhe ideja për mbulimin e vajzave shqiptare me simbolet turko-arabe. Përndryshe, kandidatura e z. Kurti do të bjerë menjëherë për tokë, e nëse pavarësisht kësaj VV-ja edhe më tej do mbetet në lojë si mandatarë e mundshëm, nga ajo me siguri do të kërkohet propozimi i një kandidati tjetër për pozitën e kryeministrit, për të mos lejuar me asnjë çmim, bastardimin e pamjes evropiane të shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës, as vendosjen e një personi me tri- negativitetet më banale të kohës, që ende rëndojnë mbi të, si: shamitë, turkofilizmi dhe neokomunizmi me të cilat, edhe gjatë fushatës, ai la të kuptohet se bashkëjeton dhe identifikohet ende me to. Kurti, po nuk u evropianizua as kësaj radhe, nuk mund as guxon të vijë, sot dhe asnjëherë, në krye të një shteti evropian, as të bëhet kryeministër i një vendi të çliruar nga NATO-ja dhe SHBA-ja, siç është Kosova. Madje pa trysnin e fortë të SHBA-së, edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi do ta kundërshtojnë fort kandidaturën e Albin Kurtit për kryeministër dhe nuk do të pranonte lehtë as vullnetshëm, të heqë dorë për asnjë çmim nga PAN dhe të mandatojë VV-në me formimin e Qeverisë.

Mesazhet për veprime kundër presidentit 

Në anën tjetër, mesazhet për veprime të forta edhe kundrejt presidentit nuk mungojnë as nga VV-ja dhe përderisa para vizitës së delegacionit të VV-së, në Ambasadën Amerikane, Kurti deklaronte se me përfaqësuesit e ambasadës së SHBA, në Prishtinë, do të bisedojë përmes "shokëve"!?.... kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, i ftuar në një nga emisionet televizive, "kërcënoi" direkt presidentin, duke thënë se, nëse ai nuk ia ofron mandatin për krijimin e qeverisë Vetëvendosjes, në rastin e parë që Thaçi bën shkelje të Kushtetutës, ata mund ta shkarkojnë nga posti i presidentit. E, për të parë se si në të vërtetë do të rrjedhin ngjarjet, sipas njoftimit të Valdete Dakës, kryetare e Komisionit Zgjedhor, do të kalojnë së paku edhe dy javë që së pari të certifikohen zgjedhjet, kështu që aksionet më të fuqishme pritet të ndodhin pikërisht pas kësaj kohe dhe vetëm atëherë do të thyhen "arrat" dhe shohim e njihemi më për së afërmi me zhvillime njëmend befasuese e pse jo ndoshta edhe tejet serioze dhe më të nxehta se kurdoherë më parë, për krijimin e Qeverisë së re.

(Kosova Sot)