Veprimet e Serbisë për blerjen e kohës

Veprimet e Serbisë për blerjen e kohës
  • 20 June 2017 - 08:10

Shkruan: Ragip Guraziu

Sipas Beogradit zyrtar kjo gjendje jona momentale ka eskaluar aq shumë sa nuk ka mundësi për marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës për të formuar organet e reja shtetërore, edhe se të gjithë po falënderojnë 'Vetëvendosjen' dhe Albin Kurtin për këto befasi që bëri ky subjekt politik. Punët nuk do të ecin mirë, inatet kanë filluar kaherë, edhe pse këto zgjedhje të parakohshme parlamentare u cilësuan si më të mirat deri më tani, tani po e gëzojnë Serbinë dhe Beogradin, po presin ''hallakamë'' në Kosovë... Një po dihet; Serbia me Rusinë dhe kundërshtarët tanë po edhe ne vendorët po kontribuojmë në këtë aspekt për të keq edhe më shumë se kundërshtarët tanë, që Serbisë po i konvenon kështu për blerjen e kohës për aspiratat e veta dhe deri diku ia ka arritur, se serbët e veriut përfituan nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Këto dilema dhe shqetësime sa i përket formimeve të institucioneve të Republikës së Kosove, të dala nga këto zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, po barten te qytetarët e Republikës së Kosovës, gjegjësisht votuesit që kanë menduar se votën e tyre të shenjtë e kanë adresuar në vendin e shenjtë. Dhe kanë një arsye shumë të madhe ku gjendja momentale ka mundësi edhe të eskalojë, që këtë e dëshirojnë vetëm kundërshtarët e Republikës së Kosovës dhe po me duket edhe një pjesë e institucioneve tona shtetërore, që janë të joshur me pushtet e tani, u ka ardhur koha të dorëzohen dhe të kontribuojnë si opozitarë. Dihet se ''Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se integriteti territorial i pakontestueshëm dhe sovraniteti i padiskutueshëm", kështu kanë thënë edhe ekipi negociues i Kosovës me Serbinë, në krye me ish-kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi?! Atëherë u shtruan pyetjet në cilin sovran bën pjesë Veriu i Kosovës?! Ish-opozita këto shqetësime të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë i ka pritur me rezervë dhe shumë kritika dhe kjo është arsyeja se tani po vjen në pushtet, ta provojmë bile një mandat?!

Pakoja e Ahtisarit na kishte treguar rrugën e Kosovës?

Lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri e demokraci, për dije e dritë, ka një histori të gjatë e të lavdishme, tragjike dhe heroike njëkohësisht. Ajo është pjesë e pandashme e historisë së popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar, për zhvillimin dhe përparimin, për shtetin ligjor të qytetarëve të lirë e të barabartë. Serbia dhe miti serb, i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave të Serbisë, asnjëherë nuk e lë rehat Kosovën, shih për këtë, duke pretenduar se 'zemra' e tyre është Kosova! Në rast se kemi rrëshqitur, kemi rrëshqitur me Pakon e Ahtisarit, pasi e kemi pranuar dhe që iu mundësohet enklavave serbe të kenë lidhje horizontale me këtë farë decentralizimin që iu mundësua serbëve të Kosovës të bëhen me komuna aty ku ka enklava, edhe pse janë minoritet e që këtë privilegj nuk e shijon asnjë minoritet, qofshin shtetet rajonale, ballkanike, evropiane apo edhe botërore. Këtu nuk po llogaritim vetë shtetin serb, tri komunat e Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare, pa i llogaritur shqiptarët që jetojnë në Beograd, e që ka nja dhjetë herë më shumë sesa serbë në tërë Kosovën dhe nuk e kanë këtë privilegj sa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, jam i sigurt, qind për qind, se këto privilegje as për së afërmi nuk i kanë as minoritetet e tjera në vetë shtetin serb. Me këto provokime dhe me barrikada nga serbët e veriut të Mitrovicës, e që unë jam shumë i bindur se këto barrikada ishin të organizuar nga mbeturinat kriminele të Milosheviqit dhe strukturave udhëheqjes nga Beogradi, kriminelët të cilët kanë kryer krime në Kosovë, nuk do të kenë dobi, sepse tani e tërë bota është përqendruar dhe e ka kthyer kokën nga veriu i Mitrovicës dhe kthim prapa nuk ka. Kështu së paku ka garantuar Qeveria dhe strukturat e tjera politike të shtetit të Kosovës. Por, edhe një gjë duhet ditur të gjithë ne dhe të tjerët që janë këtu për sundimin e ligjit dhe rendit kushtetues. Se, në fakt, Kosova, sipas asnjë dokumenti kushtetues të vitit 1974, nuk ishte 'pjesë integrale e Serbisë nën sovranitetin e kësaj njësie federale'. Kosova ''ishte njësi konstituive - njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë dhe vetëm si e tillë në bazë të prezumacionit konstitucional 'të interesit të përbashkët' të Kosovës dhe të Serbisë ajo si 'corpus separatum', me sovranitet të vetin politik dhe kushtetues, ishte dhe në kuadër të Republikës së Serbisë''.

Rusia nuk ka më ''kaçik'' për konflikte

Në këtë moment, unë mendoj, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë metoda të tjera të zgjidhjes së problemeve në Veriun e Kosovës dhe nuk besoj se do të përsëritet konflikti i armatosur i Serbisë me NATO-n, por as Rusia nuk ka më ''kaçik'' për konflikte, pasi veç është në konflikte me tërë botën. Beogradi zyrtar ka fituar që nga dita kur është aprovuar pakoja e Ahtisarit. Çdo veprim i qeverisë serbe ka si qëllim blerjen e kohës dhe krijim e mjegullës në arenën ndërkombëtare. Kosova si gjithmonë lë hapësirë për krijimin e fushëbetejave të reja, të cilat pastaj shpallen si fitore. Serbia jorastësisht pranoi planin Ahtisari, prandaj herët apo vonë dhe Kosova do të ballafaqohet me një shtet jofunksional. Çdo gjë po shkon drejt krijimit të një realiteti se krejt kjo gjendje e krijuar është thjesht për arsye të mosmarrëveshjeve politike e jo për shkak të terrorit shtetëror 100- vjeçar ndaj shqiptarëve e edhe me pak për shkak të luftës serbe ndaj shqiptarëve. Ma gjej në Kosovë një të vetmen dëshmi se para 18 vjetësh vendi ka përjetuar luftë! Kosova po fiton në plan të shkurtër, në plan të gjatë do të fitojë Serbia. Fatkeqësisht. Shteti i Ahtisarit nuk do të jetë fitore. Mohimi i luftës dhe barazimi i viktimës me kriminelin nuk janë fitore! Tani dilemat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për krijimin e Qeverisë së re dita-ditës po e humbnin besimin, duke qenë në dijeni se vonesat e institucioneve të Republikës së Kosovës, nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit Serbia do të blejë kohë dhe kjo shkon në favor të saj?! (Autori është gazetar -analist i pavarur)

(Kosova Sot)