Ana reale e lajmeve të rreme

Ana reale e lajmeve të rreme
  • 27 June 2017 - 12:11

Shkruan: Steven Rosenbaum 

E vërteta është e zhytur në një det lajmesh të parëndësishme

Pajisjet digjitale dhe rrjetet sociale ofrojnë aq shumë lajme, saqë as konsumuesi më i zoti nuk mund t'i vlerësojë të gjitha ato. Duket se jemi duke jetuar në një version të "Brave New World" të Aldous Huxley-t, ku e vërteta është e zhytur në një det lajmesh të parëndë- sishme. Por, e ardhmja nuk duhet të jetë ajo distopi sikur që duket se sugjerohet nga e tashmja. Përqindja e amerikanëve, të cilët marrin lajmet e tyre nga mediet sociale është rritur me të shpejtë gjatë viteve të fundit, deri në 62% në vitin 2016. Dhe, megjithatë, sipas një studimi të bërë tash vonë nga "Pew Research Center", profesionistët e medieve, akademikët, specialistët e teknologjisë dhe të publikimit, gjithnjë e më shumë e shohin internetin si pellg të fjalimeve të urrejtjes, zemërimit dhe "karremave". 

Propaganda dhe keqinformimi

Pjesa më e madhe e informatave, të cilat vijnë në mënyrë digjitale te ne, më së miri mund të përshkruhen si lajme të rreme ("fake news"): rrëfime mashtruese, propaganda dhe forma të tjera të keqinformimit. Por, derisa shprehja "fake news" është shprehje e dobishme për një problem shumë real, ajo nuk na tregon se a jemi, në fakt, duke jetuar në një botë 'post të vërtetës', dhe, nëse po, atëherë kë duhet ta konsiderojmë përgjegjës. Për t'u përgjigjur në këto pyetje, duhet ta ekzaminojmë infrastrukturën e lajmeve të rreme. Pjesa më e madhe e 'badihavxhinjve' anonimë politikë dhe hakerëve socialë, të cilët krijojnë dhe shpërndajnë lajme të rreme, këtë e bëjnë në Reddit. Me 542 milionë vizitorë në muaj, Reddit është uebsajti i katërt në SHBA për nga numri i vizitave dhe i teti në botë. Një vëzhgues i rastit, i cili viziton Reddit-in, do të shohë si duket një bord i mesazheve 1.0 në ueb, me një zhargon dhe akronime thuajse të pakuptueshme, sikur "HH," "cucks," "centipedes," dhe "Zoti perandor i internetit". Këto janë kode të brendshme, të cilat nuk paraqiten rastësisht, apo pa dashje. Ato respektivisht i referohen "Heil Hitler", kritikëve të së ashtuquajturës të djathtë alternative, mbështetësve të Trump-it dhe, natyrisht, vetë Trump-it. Përkundër asaj se është tepër i popullarizuar, Reddit përmendet në lajmet e medieve tradicionale vetëm kur publikohen bisedat më kontroverse të tij, sikur që ndodhi në vitin 2008, kur një nën-ueb i Reditit, me emrin "Jailbait", ofronte një platformë për lexuesit për të këmbyer pornografi me fëmijë. Pas një ankese publike, Reddit e fshiu këtë nën-njësi në vitin 2011, sikur që bëri përsëri kur publiku u njoftua rreth një nën njësie ku femrat quheshin "CreepShot"

Teoritë e konspiracionit

Përkundër kësaj, mizoginia dhe fjalimet e urrejtjes kanë vazhduar që të qarkullojnë lirshëm në sajt. Në një maskaradë të shëmtuar të fjalimit të lirë, Reddit ka pranuar nën njësitë e quajtura "BeatingWomen" (t'i rrahim gratë), "FatPeopleHate" (urrejtja ndaj njerëzve me kile tepërta), "The Chimpire" (promovim i racizmit). Tash së fundmi, nën njësia "Pizzagate" ishte vizituar nga pjesëtarët e teorive të konspiracionit, të cilët thoshin se Hillary Clinton kishte udhëhequr një unazë të pornografisë me fëmijë nga një restorant i picave në Uashington, DC. Themeluesi i Reddit-it, Alexis Ohanian, nga ana e tij, nuk duket se shqetësohet fort rreth rreziqeve potenciale që sjell ueb sajti i tij. Gjatë një fjalimi, të cilin e mbajti në Festivalin e famshëm interaktiv SXSW në Ostin të Teksasit, ai nuk foli rreth linjës midis fjalës së lirë dhe asaj të urrejtjes, e as nuk e përmendi nën degën "The_Donald", me rreth 300,000 përdorues të regjistruar, që ka mund të kishte rol në fitoren e Trump-it. Në vend të kësaj, ai foli rreth një nën dege të quajtur "Shitty Watercolour", duke thënë se "pseudonimiteti" është simbol i lirisë dhe fjalimit të pacensorizuar. Gjatë një sesioni "Ask Me Anything", të mbajtur pas fjalimit, Ohanian nuk pranoi asnjë pyetje rreth "Pizzagate", "The_Donald," ose fjalimeve të urrejtjes. Edhe pse Reddit nuk është i vetmi në këtë drejtim, imuniteti i tij ndaj kritikave mund të ndihmojë në shpjegimin e indiferencës së tij. Duke qenë në listën e top-ten sajteve të ueb-trafikut amerikan, ai vepron si kanal i madh për mediet, të cilat e përdorin atë me qëllim të rritjes së vizitave të ueb-faqeve të tyre dhe të reklamave të tyre. Vet Reddit posedohet nga disa emra të njohur. Aksionari më i madh i vetëm i tij është "Advance Publications", kompania amë e "Condé Nast", derisa ndër investitorët e tjerë përfshijnë emrat, si Marc Andreessen, Peter Thiel, Sam Altman, Ron Conway, Snoop Dogg, Jared Leto dhe Josh Kushner, vëllai i Këshilltarit të lartë të Shtëpisë së bardhë, Jared Kushner. Fatkeqësisht, askush nga këta investitorë të rangut të lartë nuk ka bërë vërejtje ndaj nën-reddit-it "WhiteNationalism", apo "rapeisfun," "BurningKids," "cutefemalecorpses", etj

Presion ndaj kompanive

"Fake news" është simptomë e një problemi shumë më të madh. Derisa të ardhurat nga reklamat janë në rënie e sipër, organizatat mediatike kanë një nevojë gjithnjë e më të madhe për klikime. Dhe, kompanitë teknologjike rrudhin supet, duke thënë se ato janë "vetëm platformë", edhe pse marrin fitimet që sjellin lajmet e rreme. Pra, çka mund të bëjnë konsumuesit e lajmeve që të mbrohen nga lajmet e rreme? Për fillim, mund të kërkojmë që shtëpitë e besuara mediatike të mos ua huazojnë përmbajtjen e tyre kompanive anonime, si Reddit, si dhe duhet të bëjmë më shumë presion ndaj kompanive si "Advance Publications" që ta marrin përgjegjësinë për sajtet, të cilat i posedojnë dhe për atë çka ndodhë në to. Mbi të gjitha, kjo nënkupton largimin e kulturës së anonimitetit digjital, që lehtëson fjalimin e urrejtjes dhe keqinformimin. Platformat digjitale duhet të kërkojnë nga ata që shprehin idetë e tyre dhe japin informata, të nënshkruhen me emër dhe mbiemër. Pseudonimet janë për shkrimtarët fiktivë.

(Steven Rosenbaum është duke studiuar fenomenin "fake news" si pjesë e Rezidencës TED në qytetin e Nju-Jorkut) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)