Rreziku i LDK-së nga krijimi i miteve të rrejshme!

Rreziku i LDK-së nga krijimi i miteve të rrejshme!
  • 28 June 2017 - 08:20

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Krijimi i miteve apo personaliteteve imagjinare ekziston nga lashtësia. Ndërsa krijimi i personaliteteve të dyfishta është dukuri e kohës sonë, është dukuri e njerëzve me ambicie të theksuara karrieriste, duke shkelur mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Glorifikimi i ngjarjeve historike, ka ndikuar në prodhimin e figurave mitologjike, në shpërputhje të plotë me realitetin e kohës dhe hapësirës, në të cilën kanë vepruar. Ndërsa personalitetet e kohës sonë janë të ndërtuara në përputhje me realitetin, vërtetësinë e ngjarjeve dhe kohezionin politik.

Rugova, personalitet i dashur për bashkëkombësit

Kështu bie fjala, imazhi i personalitetit të liderit historik Ibrahim Rugova, është ndërtuar përgjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, nën prangat e okupimit klasik serb. Urtësia, sinqeriteti dhe përçimi i frymës unifikuese e kishin bërë Ibrahim Rugovën, personalitet të dashur për bashkëkombësit e tij dhe të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare, personalitet të papërsëritshëm në 100-vjetshin e ardhshëm. Se në ç'masë ishte ngritur personaliteti i Ibrahim Rugovës, u dëshmua në lamtumirën e fundit në janarin e vitit 2006. Krahas një pjesëmarrjeje masive të popullatës shqiptare, kur temperaturat ishin minus 20 gradë, e paparë dhe e jashtëzakonshme ishte edhe pjesëmarrja e burrështetasve dhe personaliteteve më të njohura të arenës ndërkombëtare. Fjalët që u shkruan e thanë për të nga personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare, janë treguesi më i mirë i për respektin që gëzonte lidershipi i Ibrahim Rugovës në botën shqiptare dhe arenën ndërkombëtare. Ky imazh pozitiv i Ibrahim Rugovës kishte bërë që pas shkuarjes së tij në amshim, në radhët e LDK-së të fillojë një betejë e ashpër mes eksponentëve politikë, të shndërruar më pas në grupe rivale në këtë subjekt politik me qëllim të përvetësimit të "vazhdimësisë" rugoviane në LDK. Një betejë e tillë, madje edhe shumë më e theksuar dhe sofistikuar është duke vazhduar këtyre viteve, muajve, javëve dhe ditëve të fundit. Përkundër dëshirës dhe ambicieve për të marrë primatin e vazhdimësisë rugoviane në LDK, asnjëri nga pretendentët politikë deri më sot nuk arriti të krijojë besueshmëri dhe lidership të përmasave rugoviane, përkundrazi e bënë të kundërtën, duke e ndarë dhe përçarë elektoratin si asnjëherë më parë.

Krijimi i grupeve brenda klanit

Madje lidershipi aktual i LDK-së, e ka bastarduar aq keq frymën rugoviane në LDK, duke shkaktuar krijimin e grupeve edhe brenda klanit të cilin ai drejton, gjegjësisht krijimin e dy blloqeve artificiale; -bllokun e mbështetësve verbal dhe -bllokun e të "rebeluarve" artificialë. Si njëri, ashtu edhe tjetri bllok politik, janë në shërbim të tij, janë të klonuarit e tij të cilët i përdor dhe i fut në veprim varësisht prej situatave dhe rrethanave elektorale. Përgjatë këtyre viteve të sundimit të klanit Mustafa në LDK, askush nuk e ka mbrojtur më mirë sesa të "rebeluarit" e tij. Pa dashur të personalizoj situatën,me qëllim të vërtetimit të asaj që ceka më sipër, do t'i marrë vetëm dy raste si shembuj, kur të "rebeluarit" u treguan besnikët me të mëdhenj të tij. Rasti i parë ka të bëjë me kohën e VLAN-it, gjegjësisht të zgjedhjes së Isa Mustafës kryeparlamentar në Kuvendin jolegjitim (pa pjesëmarrjen e pozitës), kur të njëjtin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Pikërisht në atë përballje me Gjykatën Kushtetuese, avokate e tij ishte njëra nga grupi i të "rebeluarve". Për koincidencë, sikurse në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, me rastin e shkarkimit nga posti i kryeministrit (përmes "Mocionit të mosbesimit" të organizuar pushtet-opozitë) me 10 maj 2017, prapë në cilësinë e deputetes e luajti rolin e avokates e "rebeluara" e tij, por kësaj radhe në mbrojtjen e idhullit të saj, ishte e shoqëruar edhe nga "avokatë" të tjerë nga grupi i të "rebeluarëve",...duke u munduar të mbrojnë të pambrojturin përmes lëvdatave mitologjike, duke e shndërruar atë në "djall të mbështjellë me lëkurë qengji"! Kjo dëshmoj edhe një herë, se gjithë ata që paraqiteshin si të "rebeluar", i qëndronin gjithnjë nën sqetull diktatorit. Sa herë që e ka kërkuar nevoja, hapur apo fshehurazi i kanë mbajtur "zhagun" Isa Mustafës në shkatërrimin e LDK-së rugoviane. Edhe përkundër faktit se ditëve të fundit janë shtuar zërat (me të drejtë) për dorëheqjen e Isa Mustafës si pasojë e debaklit zgjedhor, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë. E vështirë të ndodhë dorëheqja e Isa Mustafës së barrikaduar nga klani mafioz i sejmenëve të tij dhe akoma më vështirë të ndodhë shkarkimi shkaku i mbrojtjes nga të "rebeluarit" e tij nga brenda!

Figurat e panjohura politike

Mirëpo, edhe në këtë aspekt janë duke u bërë përgatitjet, për të ruajtur vazhdimësinë e klanit Mustafian në LDK, nga figura krejtësisht të panjohura politike në periudhën rugoviane. Kështu pra, asgjë nuk ndodh rastë- sisht, i rastësishëm nuk është as anatemimi i figurave markante, themeluesve dhe veprimtarëve më të devotshëm të LDK-së që i qëndruan besnikë për 27 vjet rresht filozofisë politike rugoviane. Ngritja e shpejtë e disa figurave politike në LDK-në post-rugoviane u ngjan "Kërpudhave pas shiut", të cilave do t'u gëzohej vetëm kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, për t'i përdorur si "lëndë të parë" në fabrikën e premtuar të Kërpudhave në një rajon të Mitrovicës. Kur jemi në këtë segment, të gjithë mbështetësit e liderit diktatorial të LDK-së, qofshin ata të hapur apo në prapaskenë, e kanë afatin e shkurtër të mbijetesës në politikë, ngjashëm me kërpudhat e Bahtirit, apo thënë edhe më qartë, janë mite të rrejshme, të krijuara në mënyrë artificiale nga mentorët politikë të lidershipit post-rugovian në LDK. Nuk është hera e parë që dëgjojmë zyrtarët e lartë të LDK-së duke u thirrur në emrin e presidentit historik Ibrahim Rugova! Kjo vjen në shprehje, jo rezultat i dashurisë dhe përkushtimit që kanë ndaj ish-liderit shpirtëror, por si pasojë e dështimit të tyre në menaxhimin e partisë dhe keqqeverisjen e vendit. Dikush po harron se ka kaluar koha e miteve, jemi në shekullin 21, ku distanca mes mitit e realitetit është shumë e largët. Zhvillimi i hovshëm teknologjik nuk e lejon më krijimin e miteve si në të kaluarën. Andaj, krijimi i miteve të rrejshme nuk e forcon LDK-në, përkundrazi e katandisë dhe shkatërron atë në themel, ashtu siç e kanë projektuar kundërshtarët politikë të Ibrahim Rugovës.

(Kosova Sot)