Politika e veshur me petkun e zemërimit

Politika e veshur me petkun e zemërimit
  • 14 July 2017 - 08:19

SHKRUAN: BAHRI BIVOLAKU

Thonë që e vërteta dhe politika janë në marrëdhënie të këqija mes tyre. E vërteta e ngritur për dikë si sajesë e veprimeve në bazë të inateve a përfitimeve të mundshme, e nxjerrë nga metoda egolitariste të bindjes së vartësve, ka dëmin edhe më të madh politik, pasi krijon partizanë të çështjes e fanatik të bindjeve, ku mendimi racional, diskutimi humbë fuqinë. Një diskurs të tillë të të bërit politikë, kaherë e ka ndjekur 'Vetëvendosje', gjersa sot këtë kurs po mendon ta bartë edhe tek LDKja e aleatët e saj. Zemërimi i tepër nuk krijon racionalitet e as ngrit alternativë e diskurs, por vetëm mllefosje për gjithçka që e rrethon. Lirimi nga ky zemërim i hap mundësi të reja veprimit dhe jo zhurmave të krijuara artificialisht. Në Kosovë, në jetën politike të saj, ka kohë që mungon dëgjimi empatik apo thënë më kuptueshëm dëgjimi me qëllim për t'u kuptuar. Mungesa e tillë ka nxjerrë në sipërfaqe zhurmën si mjet imponues të komunikimit të përcjellë edhe me veprime jodemokratike. Të bërit politikë me mungesën e vullnetit politik për t'u dëgjuar e veshur me mungesën e zemërimit, është e pamundur dhe të tillët në mendje do të jenë të robëruar apo jo të lirë. Zemërimi është më shumë tipar i fëmijës të sëmurë, i cili vazhdimisht qan dhe përmes të qarit kërkon diçka për t'u realizuar. Kësaj radhe do të nxjerrë në pah disa veprime e deklarime politike të nxjerra me elementin e zemërimit dhe demonizimeve.

Demarkacioni, Asociacioni dhe bisedimet LDK - 'Vetëvendosje'

Mendoj që opinioni do të duhej të informohej se cili është produkti nga bisedimet në mes 'Vetëvendosjes' e LDK-së me aleatë për Demarkacionin e Asociacionin e komunave. Karshi këtyre problemeve, këto parti kishin qëndrime diametralisht të kundërta. A thua si mund t'i harmonizojnë ato dhe cila na qenka oferta programore e tyre karshi këtyre problemeve?Para jo shumë muajsh, Partia 'Vetëvendosje' liderin e LDKsë, Isa Mustafa, e gjuante me vezë, shishe, sulmonte eskortën e tij, e madje nga sulmet nuk Ia kursente as familjen në shtëpi. Sot po të njëjtës parti e lider i çojnë kërkesë për bashkëqeverisje dhe u thurin lavde. A thua ku mbetën parimet politike të proklamuara gjatë fushatës? Ky është amoraliteti politik atëherë e sot. A thua cila është përgjigja e LDK-së për këto qëndrime e veprime. Nëse para pak muajsh Dardan Molliqaj në fjalën e tij drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të VVsë dhe aktivistëve, duke i ftuar për të vazhduar me aktivitete dhe realizuar synimin e përmbysjes së shtetit të Kosovës si projekt siç e quajti ai ndërkombëtar, sot synojnë qeverisjen e po këtij shteti. A thua LDK-ja është pro këtyre qëndrimeve, apo si mund të bëhet një program unik i qeverisjes mes këtyre të dyjave?

Adresimi rreth Gjykatës Speciale

Ndjenja e shqiptarëve që jetojnë në territoret e tyre, por jashtë Shqipërisë Londineze për flamurin kombëtar është e madhe, por se të luhet me atë ndjenjë për përfitime politike është amorale. Me këtë ndjenjë luajtën drejtuesit e VV-së, duke bërë veprime populliste dhe përdhosur flamurin shtetëror të Kosovës e zëvendësuar me atë kombëtar. Do të isha dakord me veprimin sikur këta patriotë politikanë të shkonin edhe në veri të vendit dhe flamurin e Serbisë ta përdhosnin e zëvendësonin me atë kombëtar, apo presin që dikush tjetër ta çlirojë e të vendosë flamurin e Kosovës e që më pas të bëjnë veprimin gjoja atdhetar. Duan bashkim kombëtar të njerëzve apo të territoreve të tillët? Nuk e di a do t'i bashkohej LDK-ja veprimeve të tilla, apo 'Vetëvendosje' do të heqë dorë nga ato, duke treguar se i kishte vetëm për agjenda politike apo edhe fushata elektorale. Po e përmbyll këtë diskurs me një proverb, e cila iu dedikohet paraqitjeve të mëhershme të Driton Selmanaj dhe sot të Ilir Dedës. "Çka hanë dhelprat? Gjithçka që gjejnë. E kur nuk gjejnë asgjë, hanë diçka tjetër." Adresimi ka të bëjë me qëndrimet e tyre rreth Gjykatës Speciale. Është sa e çuditshme, po aq edhe e pamoralshme, që me burgosje eventuale të dikujt me dosje të sajuara nga Beogradi të kërkohen avantazhet politikopartiake. Këtë diskurs e kanë mjerisht këta dy deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mbase në këtë çështje LDK-ja e 'Vetëvendosje' lehtë mund të dakordohen.

(Kosova Sot)