Negociatat, një histori dështimi e Kosovës

Negociatat, një histori dështimi e Kosovës
  • 15 July 2017 - 07:47

SHKRUAN: MR.SC. YMRET RESHITI

Pre e dobësive të dy njerëzve

Negociatat e Kosovës me Serbinë erdhën si domosdoshmëri për të lëvizur nga status-kuoja, të cilin ia kishin shkaktuar keqqeverisjet e njëpasnjëshme kosovare deri në vitin 2011. Negociatat si proces vetvetiu nuk e kanë dëmtuar Kosovën. Ishin negociatorët kosovarë ata që nuk ditën për t'i përfaqësuar mirë interesat e shtetit të tyre në ato negociata. Ishin negociatorët kosovarë ata, që me veprimet e tyre të gabuara dhe kundër kushtetuese, që dëmtuan rëndë interesin dhe sovranitetin e Kosovës. Hashim Thaçi tregoi se mbetet recidivistë i papërmirësueshëm në politikë. Ai nuk mund që ta tejkalojë egon e tij personale dhe të del nga petku i saj. Egoja e tij gjithmonë ka nënkuptuar se vetëm ai i di të gjitha, dhe vetëm ai mund të marrë vendimet më të rëndësishme për vendin pa pyetur për askënd, as për kushtetutën e vendit. Nga ana tjetër negociatorja Edita Tahiri assesi nuk ka mundur ta tejkalojë bindjen e saj se mjafton që ka diplomë Havardi për ta "mund" Serbinë në negociata. Turnet e negocimit ajo i ka marrë si sfilata mode apo si ceremoni të binjakëzimit të komunave. Ajo kurrë nuk është preokupuar për peshën e përgjegjësisë që ka karshi detyrës që ka marrë. Më tepër është përkushtuar për lukun e saj dhe për "selfit" e bëra nëpër hollët e Parlamentit Evropian sesa për interesin e shtetit, të cilin ka shkuar për ta përfaqësuar. Për pak kohë Edita Tahiri nga një negociatore e panjohur ballkanike arriti të shndërrohet në yll filmi! Për ta shtyrë egon e saj edhe ma lartë se fati i shtetit të saj, ajo krahas negociatorit serb Borko Stefaneviqit ishte aktorja kryesore në filmin kushtuar negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. "Një film që shfaqë 'suksesin' e trishtë të një negociatore tipike ballkanike, e cila në kohë paqe negocion humbjen. Qytetari i Kosovës mund ta përjetonte atë "sukses" para ekranit televiziv, aq sa zgjasin minutat e atij filmi. Pastaj qytetari i kthehet realitetit të vërtet kosovar. Përditshmërisë së tij të zymtë, të cilit edhe më shumë ia trashin ngjyrën sukseset e negociatores "VIP". E çka mund të pritet për një zyrtar shteti që më së pari ia shkruan historinë e suksesit vetvetes dhe pastaj fillon ta besoj atë histori.

Binomi Thaçi-Tahiri

Kosova në këto negociata ra pre e dobë- sive të dy njerëzve që patën në duar fatin e këtyre negociatave. Këta ishin binomi Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri, të cilët në këtë histori dështim politikodiplomatik si emërues të përbashkët kishin egot e tyre. Dhe, kjo ishte thembra e Akilit në negociatat e Kosovës me Serbinë në Bruksel që dëmtuan rënd shtetin e Kosovës. Negociatorët kosovarë ishin fajtorët kryesorë pse dështuan negociatat respektivisht, pse u dëmtua interesi i Kosovës në ato negociata. Fatkeqësia më e madhe për Kosovën ka qenë se për marrëveshjet me Serbinë në këto negociata kanë vendosur vetëm dy persona, duke anashkaluar vullnetin qytetar, institucionet më të larta të shtetit dhe aktin më të lartë-Kushtetutën e Kosovës. Kurrë nuk janë publikuar emrat e stafit të "ekspertëve", me të cilët është konsultuar ( nëse janë konsultuar) Thaqi dhe Tahiri kur kanë nënshkruar marrëveshjet me Serbinë në ato negociata. Nga rezultatet e negociatave mund të konkludojmë se të ashtuquajturit stafi ekspertëveume kontributin zero vetëm sa kanë paraqitur barrë për buxhetin e Kosovës në ato turne negocimi. Askush nuk kërkoi llogari për tërë atë kosto të lartë të shpenzimeve që i bënë vajtje -ardhje, Prishtinë-Bruksel. Pothuajse për çdo marrëveshje që është bëre në mes Kosovës dhe Serbisë, negociatorët kosovarë kanë thënë se "Serbia e njohu pavarësinë e Kosovës" edhe pse proceset e mëvonshme treguan se Serbia jo që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por me veprimet e saja agresive e ka sulmuar dhe e ka rrezikuar esencialisht pavarësinë e Kosovës. Tjetër gjë që i ka karakterizuar negociatat me Serbinë është edhe mungesa e skajshme e transparencës. Ekziston një terr i marr informativ mbi tekstet e këtyre marrëveshjeve. Përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve të arritura me Serbinë mbahen të fshehura nga publiku dhe institucionet kompetente të shtetit. Përmbajtja origjinale e këtyre marrëveshje asnjëherë nuk iu është ofruar publikut dhe as përfaqë- suesve politikë të popullit-deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Asnjëherë nuk u dha arsyeja përse mbahet të fshehta nga publiku dhe institucionet e shteti këto marrëveshje që janë lidhur në emër të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Sikur të ishin vërtet në interesit shtetit dhe qytetarëve të Kosovës këto marrëveshje nuk do duhej që të mbaheshin kaq fshehtë. Sa herë që Edita Tahiri shfaqet në televizion duke numëruar sukseset e saja nga negociatat me Serbinë, unë tmerrohem nga ato suksese. Thaqi dhe Tahiri tërë kohën me negociatat sillen sikur të jenë pronë e tyre private dhe jo ingerencë e shtetit të Kosovës. Është interesant të tregohet se në fillim vetë tema e negociatave për Thaçin ishte neveritëse, por më vonë u shndërruar në shumë joshëse. Edhe pse negociatat me Serbinë për Thaçi janë joshëse, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës ato po bëhen tepër të rrezikshme. Se vërtet negociata me Serbinë janë tepër të "çmueshme "për Thaçit, vërteton lutja që ky përmes telefonit i bëri presidentit të Serbisë Vuçiq, që menjëherë të takohen në Bruksel për t'i vazhduar negociatat me një format të ri, atë të nivelit të presidentëve të vendeve! Pse tërë ky përkushtim dhe nxitim i Thaçi që të marrë në duart e tij drejtimin dhe fatin e negociatave të Kosovës me Serbinë në kohën kur ende nuk kemi të themeluar Qeverinë e Kosovës, e cila është kompetente për udhëheqjen e negociatave. Sipas kushtetutës sonë negociatat si pjesë e politikës së jashtme të Kosovës janë kompetencë ekskluzive e qeverisë së Kosovës. 

Thaçi e konsideron pushtetin si lodër

Si mund presidenti i Kosovës të shfrytë- zoj vakumin institucional (kemi qeverinë në largim dhe mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës) dhe të tentoj që të bëjë uzurpim të kompetencave të organeve të tjera kushtetuese!? Çka po e shqetëson presidentin Thaçi që të mos i besoj drejtimin e negociatave me Serbinë asnjë zyrtari dhe asnjë institucioni tjetër kompetent të Kosovës. Pse po insiston me çdo kusht që edhe në cilësinë e presidentit të shtetit t'i "mbërthej në duart e tij" negociatat me Serbinë? Pse mendon presidenti Thaçi se vetëm ai duhet të ketë në "pronësi të tij personale" negociatat me Serbin? Për gjithë këto vite, duke pa ecurinë dhe rezultatet e dëmshme që prodhuan negociatat me Serbinë nën drejtimin e Thaçi dhe Tahiri, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që po ndihen të trishtuar. Për të mirën e presidentit Thaçi, qytetarëve dhe të vetë shtetit të Kosovës, duhet që këtij njeriu të mos i lihet në duar pushteti ngase ai po e konsideron si lodër, e në të vërtet po e përdor si armë të rrezikshme. Mund të ndodhë që nga përdorimi i gabuar i kësaj "arme" ( pushtetit) jo vetëm që ai mund të vetëvritet, por mund ta vras një shtet apo një popull të tërë. Negociatat, si ato teknike po ashtu edhe ato politike, në vend që ta pavarësonin edhe më shumë Kosovën nga Serbia, ato Kosovën e lidhën me obligime të shumëfishta dhe e bënë edhe më të varur nga Serbia, shumë ma shumë se sa ka qenë para negociatave. Fatkeqësisht historia e negociatave të Kosovës me Serbinë përmbyllet si mos me keq. Si histori e dështimit të madh të diplomacisë kosovare karshi asaj serbe.

(Kosova Sot)