Albin Kurti, një manipulator i madh

Albin Kurti, një manipulator i madh
  • 17 July 2017 - 08:01

Shkruan: Reshat Sahitaj

Portreti i një politikani

Albin Kurti është figura politike shqiptare më kontroverse, i cili i gjen mënyrat dhe arsyetimet për ndryshimin e deklaratave dhe qëndrimit të tij ndaj kundërshtarëve. Për të arritur majat e politikës, Albin Kurti e ka përdorur ideologjinë duke u thirrur në padrejtësitë nacionale që qeveritë tona i bënin njëra pas tjetrës. Rritja e VV-së në zgjedhjet e 11 qershorit, Albin Kurtin e ka ngritur në shkallën e liderit rebel më të votuar. Rritja e Albinit, respektivisht e LVV-së, na tregon se në Kosovë vlerësohen aktet vandaliste e jo mençuria, intelektualizmi dhe diplomacia politike. Rritja e VV-së në një të ardhme të afërt do të krijojë pakënaqësi dhe separatizëm brendapërbrenda tyre. Sa më shumë që do të rritet partia, aty do të ketë forca edhe intelektuale progresiste, të cilët besojnë që VV-ja nuk do ta votojë demarkacionin, do t'i ndërpresin bisedimet me Serbinë dhe nuk do ta lejojnë formimin e Zajednicës

Albin Kurti, figurë emblematike

Albin Kurti aktualisht është një ndër figurat më emblematike shqiptare, i cili për t'ia arritur qëllimit të tij i ka përdorur të gjitha mjetet dhe format makiaveliste vetëm e vetëm të krijojë imazhin e një figure kryesore e të dalë nga hija e bashkëpunëtorëve, sepse në ndërdijen e tij veten e ka pozicionuar në plan të parë e jo të dytë. Që në fillim të karrierës së tij, Albini ishte nën hijen e Bujar Dugollit, Driton Lajçit dhe Muhamet Mavrajt. Ky ekip ishte solid, ku secili ishte më i guximshëm se tjetri, mirëpo Bujari e përfaqësonte trurin e këtij ekipi, ndërsa të tjerët gjymtyrët. Në çdo ekip, sado që ai të jetë solid, është krejt e natyrshme që ekzistojnë xhelozitë e brendshme të pashprehura ku zhvillohet një garë e fshehur për të treguar shkathtësitë individuale që kontribuojnë në afirmim të individit dhe ekipit. Më daljen e UÇK-së në skenë, Albini i bashkohet përfaqësuesit politik, z.Adem Demaçi, ku Albini u shndërrua në zëdhënës politik i UÇK-së, me ç'rast karriera politike e tij po forcohej dhe kompleksi i inferioritetit po i shndërrohej në kompleks të superioritetit. Gjatë kohës sa ishte në zyrën e UÇK-së e dinë Albini si e kaloi më Adem Demaçin. Arrestimi i Albinit po ia shtonte famën, e posaçërisht intervista e tij dhënë nga burgu diku në Serbi. Tani shokët e Unionit të Studentëve, Albini i kishte lënë nën hije të tij, sepse tanimë me çështjen e lirimit të tij merreshin Brukseli dhe Nju-Jorku. Menjëherë pas lirimit nga burgu, Albinin e përkrahu Adem Demaçi, sepse për partitë ekzistuese të asaj kohe Albini ishte i padëshirueshëm dhe rrezik për karrierat e liderëve, përveç Ibrahim Rugovës, i cili nuk frikësohej për karrierën e tij. Deri në themelimin e Vetëvendosjes si parti politike, Albin Kurti i shfrytëzoi, i përdori dhe i manipulojë të gjithë figurat politike që më vonë i hidhte si limonin e shtrydhur. 

Albin Kurti figura më kontroverse shqiptare 

Albin Kurti është figura politike shqiptare më kontroverse, i cili i gjen mënyrat dhe arsyetimet për ndryshimin e deklaratave dhe qëndrimit të tij ndaj kundërshtarëve. Për të arritur majat e politikës, Albin Kurti e ka përdorur ideologjinë duke u thirrur në padrejtësitë nacionale që qeveritë tona i bënin njëra pas tjetrës. Çdo kolektivitet nacional apo etnik kërkojnë të dinë fatin dhe identitetin e tyre, e partia që thirret në ideologjinë nacionaliste shërben për të sqaruar identitetin kombëtar që në planin sociologjik implikon definicionin e një etnitetit kolektiv, ndërsa në planin psikologjikë është thirrje e individëve që identifikohen me NE. Albini ka vepruar me tri shpejtësi: e para, afrimin e figurave të njohura kombëtare të zhgënjyera nga politika e partive politike, e pastaj i ka gjuajtur si të padëshirueshëm nga frika e rrezikut të postit të tij; e dyta, afrimin e gjeneratës së re, duke dhënë shembullin e sakrificës gjatë përleshjeve me policinë tonë, të cilët po ashtu i ka hedhur vetëm para opinionit tonë si të padëshirueshëm, por në fakt një pjesë e tyre e madhe janë mercenarë që paguhen për akte vandaliste kurdo që paraqitet nevoja; shpejtësia e tretë është forca motorike për mbrojtje dhe sulme të nevojshme, ku Albini e ka afruar një pjesë të krahut të luftës, të cilët sigurojnë kutitë e votimeve, sigurojnë blerjen, vjedhjen dhe ruajtjen e votave nga të tjerët. Në këtë mënyrë, Albini e ka përvetësuar gjeneratën e re, të cilët në moshën që janë ata sot e ndjejnë nevojën e tyre për identitet dhe afirmim. Kjo gjeneratë tërë kohën e kalojnë duke u argëtuar me rrëfimet e tyre se si i kanë sfiduar forcat e rendit, si i kanë rrotulluar veturat e akte të tjera vandaliste, por që ata i konsiderojnë akte kombëtare dhe krenarie. Që rinia të nxitet edhe më me akte të tilla, VV-ja i organizon deputetët që të hedhin gaz lotsjellës, një akt që secili i ri do ta konsiderojë akt burrërie dhe madje për fatin më të keq edhe gratë deputete të VV-së, kryetari i tyre, Visar Ymeri publikisht Donika Kadën e quan Shota Galica. Turpi më i madh historik i VV-së ! Shota e ka vrarë komandantin serb në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e nënës së Azemit, kurse Donika deputete e ka fshehur gazin në ndonjë pjesë të trupit që rojat e Kuvendit nuk kanë të drejtë ta kontrollojnë dhe ky akt i saj quhet patriotizëm. Turp mbi turp! Rritja e VV-së në zgjedhjet e 11 qershorit, Albin Kurtin e ka ngritur në shkallën e liderit rebel më të votuar. Rritja e Albinit respektivisht e LVV-së, na tregon se në Kosovë vlerësohen aktet vandaliste e jo mençuria, intelektualizmi dhe diplomacia politike. Rritja e VV-së në një të ardhme të afërt do të krijojë pakënaqësi dhe separatizëm brendapërbrenda tyre. Sa më shumë që do të rritet partia, aty do të ketë forca edhe intelektuale progresiste, të cilët besojnë që VV-ja nuk do ta votojë demarkacionin, do t'i ndërpresin bisedimet me Serbinë dhe nuk do ta lejojnë formimin e Zajednicës. 

Nga dy të këqija zgjidhet e keqja më e vogël 

Nëse Albini do ta krijojë qeverinë, do të sfidohet me të gjitha këto probleme të cilat i ka shkaktuar vetë dhe i ka shfrytëzuar për të krijuar panik që më vonë të dalë mbi sipërfaqe si shpëtimtar i moscopëtimit të tokave tona. Si do të veprojnë deputetët kur do të votohet demarkacioni ndoshta me një ndryshim të disa hektarëve e hiç më shumë? Si do të reagojnë deputetët kur të votohet aplikimi i Zajednicës me pak ndryshime, e cila përsëri do të jetë më qëndrime antishqiptare? Si do të arsyetohet Albini? Në fakt, Albini do të deklarohet se u detyruam nga presioni i ndërkombëtarëve siç thoshin të gjithë zyrtarët tanë. Albin Kurti e di shumë mire se populli ynë nuk ka pasur alternativë tjetër dhe nga dy të këqijat e ka zgjedhur një të keqe më të panjohur, ose për inati të resë më vdektë djali, thoshte populli dikur. Në mungesë të një force politike kombëtarisht të pastër, votuesit e kanë zgjedhur VV-në, siç shprehen të gjithë: " Të tjerët i provuam, tash t'i provojmë edhe këta". E njëjta thënie më kujtohet kur e kritikova Bujar Bukoshin (asokohe kryeministër në ekzil Edita Tahirin), se pse ai e paguante me para të qeverisë sonë një serb të quajtur Gorazhd Cvetiq, kur ne të tjerët ishim të përhershëm në Parlamentin Evropian pa u paguar nga askush. Bujar Bukoshi u përgjigj: "Ta provojmë një herë, bre Reshat". Unë reagova duke i thënë se me serbët e kishte provuar Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha, por nuk ua kemi pa hairin". Në këtë kontekst nuk duhet bërë krahasimin në mes Bujar Bukoshit, i cili ka paguar serb për të lobuar për çështjen e Kosovës e nuk ka bërë asgjë veç ka dëmtuar, ndërsa populli ynë e ka zgjedhur Albinin si shqiptar e duke besuar që është kundërshtar i Isa Mustafës, të cilin e akuzonte si hajn, si kundërshtar të Ramushit, të cilin e akuzonte po ashtu dhe si kundërshtar të pakontestueshëm të Hashim Thaçit e Kadri Veselit për të cilët hidhte akuza të rënda. Pra, populli ka dëshirë t'i ndërrojë dhe kanë bërë mirë, ngase shumë shpejt populli do të zhgënjehet nga Albini, që gjer më tani VV-ja ka kundërshtuar e kurrë nuk ka qenë në pozitë për të vendosur dhe për t'u përballur me sfida ndërkombëtare. 

Nga cili shtet u financua LVV? 

Albini dhe ekipi i tij i pesëshes kanë krijuar rregulla strikte që të mbajnë qëndrueshëm vijën e tyre centraliste, në mënyrë që t'i ruajnë "donatorët " financuesit sekretë për ngritjen dhe zgjerimin e VV-së. Asnjë parti politike nuk mund të krijohet pa financues sekretë, të cilët japin buxhete të majme për t'i realizuar qëllimet e tyre ose për t'i mbrojtur bizneset e tyre. Zakonisht, partitë politike i themelojnë shtetet të cilat e kanë humbur pushtetin në kolonitë e tyre dhe për t'i mbrojtur interesat e veta në territorin e humbur krijojnë parti për destabilizim të situatës dhe vazhdueshmërisë së eksploatimit të pasurisë natyrore si dhe mbrojtjen e pakicës së mbeturinave të kolonizatorëve. Kolonizuesit e ndjejnë para kohe humbjen e pushtetit mbi koloninë e pushtuar dhe ata krijojnë dhe fabrikojnë figurat e reja politike e që në të gjitha rastet janë ish- të burgosur politikë, në të cilët populli ka besim. Kështu ka vepruar Franca në Algjeri dhe koloni të tjera, kështu ka vepruar Belgjika në koloninë e tyreKongo, kështu veprojnë amerikanët dhe çdo shtet tjetër. Biografia e liderëve të tillë është e pastër për opinionin e brendshëm i posaçliruar, ndërsa pjesa e marrëveshjeve sekrete të nënshkruara mbeten të mbyllura për dekada të tëra. Shtrohet pyetja, cili shtet është i interesuar për themelime të partive të reja në Kosovë? Mendoj se amerikanët dhe evropianët nuk kanë nevojë të financojnë asnjë forcë të re politike, sepse ata i përkrahin partitë ekzistuese në të cilat kanë qasje të lirshme dhe mundën që me pak përkrahje morale t'i orientojnë sipas nevojave të tyre. Për themelimin e partive të reja janë të interesuar në plan të parë Serbia me ndihmën e Rusisë dhe Greqisë, po ashtu tepër të interesuar janë Turqia dhe vendet arabe, të cilat dëshirojnë ta shtrijnë ekspansionizmin e tyre në emër të religjionit. Andaj, nga kjo rezulton se mund të krijojmë parti politike, por na duhet përkrahje materiale nga një shtet që ka qëllime të caktuara në Kosovë dhe automatikisht na lind dyshimi se cili nga këto shtete e financon Albinin. Natyrisht Albini dhe ekipi i tij kurrë nuk do pranojnë se janë të ndihmuar nga ndonjë vend i huaj, e para opinionit mund të dalin se varen nga buxheti i Kosovës, mirëpo partia fiton nga buxheti vetëm para se të kalojë pragun e 5% e jo më herët. Më kalimin e pragut dhe zgjerimin e partisë shtohen edhe financuesit e firmave private, siç e kemi rastin e kompanisë "Devolli", e cila e ndihmon VV-në për realizimin e interesave të tyre.

Në mes elektoratit të VV-së dhe i partive të tjera

Këto ditë liderët e partive politike janë në fluksin e problemeve më të vështira, të cilët kurrë më parë nuk e kanë përjetuar një krizë të tillë, sepse tanimë nuk varet vetëm te fjala e liderit, por elektorati është më i vetëdijësuar dhe i kërkon llogari liderit. Elektorati i LDK-së është më i vetëdijshëm se i partive të tjera. Degët dhe nëndegët e LDK-së kanë mbajtur mbledhjet e tyre dhe në çdo kryesi të tyre është vendosur që mos të bëhet koalicion paszgjedhor më PDK-në. Pra, LDK-ja e ka një elektorat që marrin vendime demokratike dhe ia diktojnë shefit të tyre orientimin. Në anën tjetër, elektorati i VV-së nuk ka asnjë të drejtë të konsultohet e të marrin vendime, pavarësisht se në statusin e tyre thuhet se për çdo gjë vendimet merren nga poshtë- lart. Po të ishte kështu, atëherë votuesit e VV-së nuk do ta lejonin Albinin të bënte koalicion me Isa Mustafën, e as me Ramush Haradinaj, e as me Fatmir Limajn, pasi VV-ja me vite të tëra ka hedhur akuza nga më të paskrupullta kundër këtyre. Si ka mundësi të krijojnë qeveri me Isa Mustafën, kur vetë Albini e ka akuzuar si njeri të Serbisë? Si ka mundësi të bëjë koalicion me Ramushin, kur vetë Albini e ka akuzuar AAK-në për mbledhje të haraçit? Mirëpo, Albini nuk e pyet elektoratin e tij dhe ata nuk janë ende të pjekur politikisht për zhvillimet dhe vendime demokratike. Nëse dikush nga kryesia e ndonjë nëndege do të ngritët të kundërshtojë ai do të përjashtohet ose do të distancohet partia nga ai individ, siç ishte rasti i Sadri Ramabajës. Distancimi i partisë nga Sadri Ramabaja është shenjë se VV-ja financohet nga një shtet i huaj dhe Sadriu me deklaratën e tij i ka dëmtuar interesat e atij shteti, pa qenë i vetëdijshëm se me deklaratën e tij, shteti financues i kërkon Albinit të distancohet. Pse Albin Kurti nuk distancohet ndaj deklaratave të pista të Fisnik Ismailit?! Deklarata e Fisnik Isamilit kundër Ganimete Musliut është akt që partia duhet të marrë masa rigoroze, përveç distancimit, ndërsa Fisnik Ismaili duhet të ndiqet penalisht për fyerje publike, për njollosje të moralit … Sistemi i organizimit hermetik e ndihmon Albin Kurtin që vetë të vulosë e vetë të vendosë, ndërsa elektorati është i manipuluar e për këtë vite më vonë do ta kuptojnë. 

Pse VV-ja u ka dhënë hapësirë bijve dhe bijave të spiunëve?

Dihet që Kosova ishte koloni e Serbisë, dhe gjatë kohës së okupimit shumë individë kanë punuar në shërbim të pushtuesit. Shtresa e atyre që i kanë ndihmuar pushtuesit, kanë pasur mundësi t'i shkollojnë fëmijët e tyre, kurse shtresa e varfër pa asnjë rrugëdalje u detyruan të fillonin luftën kundër Serbisë. Me përfundimin e luftës, fëmijët e spiunëve, shumica të shkolluar, u futën në shërbim të UNMIK-ut, ndërsa fëmijët e luftëtarëve mbetën të papunë e pa kushte për të vazhduar shkollimin. Fillimisht, Albin Kurti e themelon partinë me figura të luftës dhe figura të njohura, të cilët me forcimin e tij do t'i largojë, për ta stërmbushur VV-në me bij e bija të spiunëve. Për të qenë më kredibilë në sy të popullit, Albini i ka ruajtur disa figura patriotike, si Salih Zybën, Alban Krasniqin, Albulenën e disa tëtjerë, mirëpo i ka sforcuar ata që nuk duhet të ishin as anëtarë të thjeshtë të partisë. Forcimi i bijve të spiunëve në VV është i detyrueshëm, sepse baballarët e tyre kanë informata të shumta mbi liderët, dhe nëse nuk i sigurojnë fëmijët e tyre ata mund të flasin për gjëra sekrete të panjohura për opinionin tonë. Duke e pozicionuar fëmijën e tyre liderët e sigurojnë pozitën e tyre, ndërsa baballarët e sigurojnë vazhdimësinë e pushtetit të tyre dhe i mbrojnë interesat e kolonizatorit të dikurshëm. 

Albin i kërkon dëmshpërblim Adem Demaçit

Fushata për zgjedhjet e 11 qershorit ishte njëra nga fushatat më të qeta që u bënë nga paslufta e këtej. Koalicioni PAN ishin të sigurt që do ta fitonin shumicën dhe për këtë fjetën në rehatinë më të madhe. Liderët e tyre ishin të bindur që populli do t'i votonte, duke pasur parasysh se tani ishin bashkuar krahu i luftës, gjë që kurrë më parë nuk u bashkuan. PAN-i nuk e freskoi partinë me figura të reja dhe as që mendonte për këtë gjë, sepse me vete tani kishin elefantët e moçëm dhe emrat legjendarë. Në anën tjetër, plasaritjet e brendshme të LDK-së duke u identifikuar si krahu i Isës dhe krahu i Vjosës, u dobësua partia. LDK-ja kishte larguar nga lista për kandidatë, emra të shquar të partisë, e në mungesë të një lideri të pakontestueshëm e të pakomprometuar këta pësuan humbje. Krejt ndryshe qëndronte Albin Kurti dhe VV-ja e tij, të cilët bënin përpjekje të vazhdueshme për ta shtuar numrin e votuesve edhe në pjesën më të lënë të vendit. Albin Kurti dhe stafi i tij i shfrytëzuan të gjitha mundësitë, edhe ato më radikale vetëm e vetëm që të dalin fitues. Mobilizimi i tyre ishte i gjithanshëm plus në favorin e tyre shkonte edhe keqmenaxhimi i qeverisë së mëparshme, ku të gjitha figurat që akuzoheshin ishin bartës të listave. Albin Kurti nuk u mbështet vetëm në shpresa, por edhe veproi që shpresat t'i realizonte, andaj për të mos ia lënë çdo gjë fatit, VV-ja kërkonte të depërtonte te çdo shtresë e popullsisë sonë. Pak ditë para qetësisë elektorale, Albin Kurti do ta angazhonte babanë e tij, që të bisedonte me simbolin e rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçin, që djali i tij të bënte një fotografi me të, që t'i prekte edhe masën popullore patriotike të zhgënjyer nga qeveria e kaluar. Babai i Albin Kurtit i thotë Adem Demaçit që gjatë kohës së luftës ta kam dhënë djalin e tash është koha që ti djalin tim ta shpërblesh duke e pranuar në shtëpi për të bërë foto. Takimi i Albinit me Adem Demaçin dhe Rexhep Qosjen bëri bujë në opinionin tonë, sepse publiku mendonte se Albini kujdesët për shëndetin e simbolit të rezistencës. Po të ishte se Albini kujdeset vërtet për figurat patriotike kombëtare, Adem Demaçin do ta kishte vënë në listë për deputet. Po të ishte se kujdeset për figura patriotike, Adem Demaçin do ta kishte propozuar për kryetar të shtetit e jo Atifete Jahjagën. Ka edhe shumë gjëra të tjera gjatë kohës kur Albini ka qenë zëdhënës i UÇK-së, por ato i di Albini dhe pakkush nga ne. Nëse babai i Albinit dhe Albini paskan të drejtë të kërkojnë të shpërblehen për kontributin e tyre gjatë luftës, atëherë unë personalisht po ia shtroj Albinit një pyetje: A kam të drejtë unë të kërkoj shpërblim nga Albin Kurti, për punën time që kam lobuar dhe kam vepruar për lirimin e tij? Lexuesve po ua përkujtoj se Albin Kurti u lirua nga burgu i Serbisë nga presioni i ndërkombëtarëve. Që të bëhet një presion nga ndërkombëtarët, unë, Reshat Sahitaj jam njëri në mesin e atyre që kam vepruar. Që shkrimi im të ketë peshë dhe të mos merret vetëm si fjalë, këtë po e dokumentoj përmes letrave dhe dokumenteve të asaj kohe. Në kohën kur Bujar Dugolli dhe Albin Kurti ishin liderë të Unionit Studentor, i ftova këta dy liderë për takime në institucionet evropiane dhe ua lehtësova marrjen e vizave në Ambasadën belge në Beograd dhe në qeverinë belge në Bruksel. Ja faksi dërguar Ambasadës belge në Beograd më 23.12.1997 Në këtë letër i kërkojmë ambasadorit belg, që ekipit të Unionit Studentor t'ia lëshojnë vizat, pasi ata do të vijnë për sensibilizimin e dramës kosovare në institucionet belge dhe evropiane. Më vonë, posa Albini të arrestohet, unë, Reshat Sahitaj dhe ekipi im, kemi kontaktuar një numër të madh deputetësh të Parlamentit Evropian dhe personalitete belge për lirimin e Albinit. Aktualisht, duke e parë situatën, po shkruaj pa asnjë modesti dhe po ia sqaroj Albinit, e veçmas lexuesve, se çështja e Albin Kurtit është ngritur edhe në OKB, në Nju- Jork, jo nga dikush tjetër, por falë intervenimeve dhe takimeve të mia me personalitete evropiane. Për ilustrim ja letra e dërguar nga Senati Belg për mbajtjen padrejtësisht të Albin Kurtit në burgun e Pozharevcit dhe për lirimin e tij të menjëhershëm: Përpjekjet e mia dhe të ekipit tim në Bruksel për lirimin e Albin Kurtit janë të shumta ku kemi intervenuar edhe te administratori i asaj kohe, Bernard Kushneri. Ja letra dërguar Kushnerit nga i cili është kërkuar që të intervenojë për lirimin e Albinit nga burgu. Letrat janë dërguar nga mikja jonë Anne Marie Lizin që ishte kryetare e Senatit për një kohë të gjatë si dhe kryetare për politikë të Jashtme dhe kryetare për të drejtat e njeriut në OKB. Albin Kurti i di këto si dhe takimet në Bruksel e po ashtu konferencën për medie në Internacional Press Centre, ku në panel ishte Bujar Dugolli dhe Albin Kurti të shoqëruar nga zonja Anne Marie Lizin. Nëse i ka harruar, unë i posedoj vide -incizimet për t'i dokumentuar. Andaj, pse Albini kërkon të shpërblehet, e unë ende kurrë nuk jam shpërblyer nga Albin Kurti, i cili ka pasur mundësi të ma sigurojë një post të këshilltarit pa rrogë, por nuk jam shpërblyer nga asnjë qeveri e jonë e pasluftës, sepse të gjithë janë njëlloj-një brumë. Për vete dinë të kërkojnë shpërblime e për ata që kanë vepruar asgjë, kurse për bijtë e bijat e spiunëve ka shpërblime me medalje, me dekorata, me ngritje, me poste të rëndësishme…  

(Kosova Sot)