Deri kur me qeverisje jolegjitime!?

Deri kur me qeverisje jolegjitime!?
  • 19 July 2017 - 08:12

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Përderisa në të gjitha vendet e zhvilluara dhe demokratike rënia e daljes së elektoratit në zgjedhje nën kuotat e 80 % konsiderohet shqetësim nacional, në vendin e paradokseve të mëdha të quajtur Kosovë, edhe pse për 13 vite rresht kemi pasur rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje, gjegjësisht nga viti 2004, dalja e votuesve në zgjedhje ka pësuar rënie nën kuotat e 50%-it, respektivisht në 49,5 %, kurse në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit me vetëm 41,3%. Sipas rregullave dhe rendit demokratik, për të fituar të drejtën, gjegjësisht legjitimitetin e plotë një klasë politike për të qeverisur me vendin, nevojiten së paku 51% e daljes së elektoratit në zgjedhje. Kur flasim për legjitimitetin e qeverisjes në vend, janë shifrat ato që na tregojnë në mënyrë besnike legjitimitetin e qeverisjes së vendit. Dhe vërtet nëse ju referohemi shifrave të daljes së elektoratit në zgjedhje atëherë lirisht dhe praktikisht mund të konkludojmë se nga viti 2004 e këndej vendit i ka munguar qeverisja legjitime, shkaku i daljes së ulët të elektoratit në zgjedhje. Për të ilustruar legjitimitetin e zgjedhjeve, duhet të nisemi nga zgjedhjet lokale të vitit 2000, ku daja e elektoratit në zgjedhje ishte 79%, e pasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, edhe pse kishte rënie të elektoratit në zgjedhje, përqindja ishte e kënaqshme, me 64, 3%. Paralajmërim serioz të mosdaljes së elektoratit në zgjedhje treguan zgjedhjet lokale të vitit 2002, ku dalja e elektoratit në zgjedhje ishte vetëm 53,9%, ku dy vite më pas, në zgjedhjet parlamentare kuotat e daljes së elektoratit në zgjedhje bien nën 50% (49,5%). Llogaritur në proporcion me daljen e elektoratit në zgjedhje, nga viti 2001 e këndej asnjë subjekt politik nuk e ka marrë legjitimitetin qytetar për të qeverisur me vendin, ngase asnjëra nga partitë nuk i ka arritur kuotat e 50%-it, edhe pse LDK-ja në vitin 2001 ishte shumë afër me 48%. Kështu nga viti në vit, nga një palë zgjedhje në tjetrën kemi rënie të legjitimitetit qeverisës në vend shkaku i rënies në përqindje të subjekteve politike. Këtë rënie të legjitimitetit qeverisës e bën akoma më të thellë fakti tjetër, kur për shkak të lidhjeve të koalicioneve dhe llogarive paszgjedhore të subjekteve për marrjen e pushtetit, drejtimi i qeverisjes me vendin i është dhënë liderëve të partive minore me më pak se 10% të votave të fituara (8,2%).

Pse që nga viti 2004 shumica e popullit nuk votoi!?

Edhe pse askush deri më sot nuk është marrë seriozisht me shkaqet e mosdaljes së elektoratit në zgjedhje, arsyet janë të shumta dhe të shumëllojshme. Në radhë të parë është mosprofilizimi i skenës politike kosovare, gjegjë- sisht profilizimit të gabuar të partive politike, i cili u tregua tepër i dëmshëm për zhvillimet demokratike në vendin tonë. Kështu, pra me profilizimin politik edhe në Kosovë si në çdo vend tjetër demokratik të botës, do të krijoheshin dy blloqe të forta politike, që do të krijonin një konkurrencë të mirëfilltë demokratike për elektoratin kosovar. Do të dihej qartë kush është pozitë dhe opozitë, kush është i djathtë e kush tjetër i majtë, gjegjësisht kush me orientim socialist e kush tjetër me orientim liberal. Pra, jo vetëm që do të qartësoheshin gjërat, por kjo do të ndikonte ne rritjen e interesimit të elektoratit për dalje në zgjedhje. Arsye tjetër janë edhe koalicionet e panatyrshme paszgjedhore, përmes të cilave liderët e papërgjegjshëm partiak kontrabanduan vullnetin e elektoratit të partive të tyre tek subjektet rivale parazgjedhore. Edhe pse në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, për herë të parë i kishim dy koalicione (të panatyrshme) parazgjedhore, të cilat nuk prodhuan diçka pozitive për vendin, vetëm sa ndikuan në fuqizimin e një subjekti tjetër politik. Mbase strubmullari i pakënaqësive më të mëdha të elektoratit për mosdalje në zgjedhje është keqqeverisja me vendin e klasës aktuale politike, e cila për 18 vite rresht, dhe afro 10 vite të pavarësimit të vendit nuk arriti të krijojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendit. Janë edhe mijëra shkaqe të tjera, por për të mos u zgjatur më tepër në këtë segment, po u kthehemi fakteve numerike. Nëse e marrim pikë reference daljen e fundit të elektoratit në zgjedhje, atëherë temë diskutimi mbeten rreth 60% e elektoratit që nuk kanë votuar. Parashtrohet pyetja hipotetike, ku janë 58,70% e elektoratit kosovar, që nuk dolën në zgjedhjet e fundit!? Përgjigja në këtë pyetje na çon deri të zgjidhja e problemit, gjegjësisht deri tek motivimi i daljes së elektoratit në zgjedhje, si kusht i domosdoshëm për ndryshimin e "Status quos" politike në vend. Shumica e elektoratit të regjistruar zgjedhor nuk jeton në Kosovë, ata ndodhen në Diasporë, të privuar nga e drejta në votim. Kjo situatë paradoksale po u konvenon këtyre partive politike të inkriminuara që të qëndrojnë edhe më tutje në pushtet.

Jo votim përmes poste, por votim dhe numërim në përfaqësitë diplomatike

Pas 17 shkurtit 2008, gjegjësisht nga zgjedhjet e vitit 2010-të e këndej, ishte dashur të organizohen zgjedhjet nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës (ambasada, konsullata) gjithandej vendeve ku ka shtrirje diplomatike shteti ynë. Me krijimin e komisioneve zgjedhore në secilin shtet, do të motivoheshin mërgimtarët për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur nga subjektet politike edhe në mërgatë. Në këtë rast numërimi i votave duhet të ndodhë në pikat e caktuara të votimit në mërgatë, e jo dërgimi i votave me postë, por komunikimi telematik i rezultateve zgjedhore nga shtetet përkatëse. Praktika këto e të gjitha shteteve me mërgatën e tyre. Një praktikë e tillë e organizimit të zgjedhjeve në mërgatë, do të kthente legjitimitetin qeverisës dhe ndryshimin e madh politik në Kosovë. Ndryshim ky i cili do të prodhonte qeverisje të mirë për vendin si dhe do të gjeneronte zhvillim të hovshëm ekonomik dhe përmirësim substancial të mirëqenies qytetare në Republikën e Kosovës. Edhe pse ndodhemi shumë larg, synim i politikanëve duhet të jetë arritja e kuotave të daljes së elektoratit në zgjedhje, ashtu siç ishte në vitet e '90-ta, respektivisht ai i zgjedhjeve të vitit 1991, kur pjesëmarrja e elektoratit në zgjedhje ishte 99%. Mbase për rrethanat e krijuara, kur skenës politike kosovare i mungon një liderë i përgjegjshëm dhe unifikues, është e pamundur arritja e kuotave maksimale të daljes së elektoratit në zgjedhje, mirëpo është i mundur kthimi i legjitimitetit qeverisës të vendit me përfshirjen e mërgatës në proceset zgjedhore.

(Kosova Sot)