Ana tjetër e medaljes së integrimit euroatlantik

Ana tjetër e medaljes së integrimit euroatlantik
  • 24 July 2017 - 09:13

Shkruan: Javier Solana

TENDENCA E BE-SË PËR ZGJERIM NUK ËSHTË E PAKTHYESHME
Paradokse me bollëk ka edhe në Evropën Qendrore dhe Lindore

Dy dinamika kryesore kanë karakterizuar trajektoren e BE-së përgjatë viteve, e edhe atë të Komunitetit Evropian, para saj. Në njërën anë, integrimi evropian është bërë më i thellë dhe, në anën tjetër, përfitimet nga integrimi kanë përfshirë një numër më të madh të shteteve

Shumë njerëz vënë shenjën e barazisë midis BE-së dhe Evropës, duke lënë anash disa nuanca përgjatë rrugës. Nga pikëpamja historike, natyrisht, është e qartë se BE-ja, pasi që ka kontribuuar në përfundimin e shekujve të tërë të luftërave dhe konflikteve të dhunshme midis shteteve të saj anëtare, tani paraqet antitezën e Evropës së para vitit 1945. Dhe, në aspektin gjeografik, zgjerimet e vazhdueshme të saj ia kanë mundësuar BE-së që të reflektojë, më afër sesa ndonjëherë më parë, rreth një shtrirjeje në tërë kontinentin evropian. Por, dalja e Britanisë nga BE-ja na ka rikujtuar diçka fundamentale që deri më tani ishte fshehur: tendenca e BE-së për zgjerim nuk është e pakthyeshme dhe ekzistimi i vazhdueshëm i BE-së si entitet politik, nuk mundet dhe nuk duhet të merret si i dhënë. Dy dinamika kryesore kanë karakterizuar trajektoren e BE-së përgjatë viteve, e edhe atë të Komunitetit Evropian, para saj. Në njërën anë, integrimi evropian është bërë më i thellë dhe, në anën tjetër, përfitimet nga integrimi kanë përfshirë një numër më të madh të shteteve. Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 ofroi mundësi të reja, si dhe sfida të mëdha. Me kolapsin e komunizmit, u zhduk Evropa e ndarë, e krijuar në Jaltë dhe zgjerimi i BEsë më nuk kufizohej te shtetet e orbitës perëndimore. 

Zgjerimi si metodë e ngadalësimit të thellimit të integrimit

Por, organizata e parë që ndërmori detyrën e ndjeshme të integrimit të Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore, ishte NATO. Në vitin 1997, dy vjet para se Çekia, Hungaria dhe Polonia të bëheshin anëtare të plota, Aleanca arriti një marrëveshje me Rusinë, me qëllim të absorbimit të ndikimit. Kjo marrëveshje shënon përfundimin e vërtetë të Luftës së Ftohtë. Në vitin 2004, vendet e njëjta iu bashkuan BE-së, bashkë me shtatë vende të tjera. Sferat tradicionale evropiane të interesit dukej sikur ishin zhdukur derisa magnetizmi i BE-së dukej se kishte arritur një shkallë kontinentale dhe globale. Sikur që tha Altiero Spinelli në fillim të viteve 1940, lëvizja pro evropiane duhej ta gjente një zgjidhje, e cila nuk injoronte ndjenjat kombëtare, por që ofronte një mënyrë për manifestimin e lirë të tyre. Për vendet që kanë qenë nën dominimin sovjetik, përpos garancive për demokraci dhe të drejta të njeriut, BE-ja paraqiste edhe një rrugë kah realizimi i plotë i aspiratave të tyre kombëtare. Asokohe, integrimi evropian kishte vlerë meqë nuk nënkuptonte ndonjë humbje de fakto të sovranitetit. Përkundrazi, BE-ja ofronte përparësi të mëdha socioekonomike, duke ua mundësuar vendeve të saj anëtare që ta çonin në maksimum ndikimin e tyre ndërkombëtar. Pas rënies së Perdes së Hekurt, Britania e Madhe dhe Gjermania e bashkuar ishin shtytësit kryesorë të lëvizjes së BE-së kah lindja, edhe pse motivet e tyre ishin të ndryshme. Derisa konservatorët britanikë e shihnin zgjerimin si metodë të ngadalësimit të thellimit të integrimit, kancelari gjerman Helmut Kohl mendonte se të dyja dinamikat ishin kompatibile. Dhe, ato edhe ishin të tilla, deri në fillim të shekullit XXI. 

Polonia, truall i pëlleshëm për retorikën kundër imigrantëve

Fatkeqësisht, rezultatet në dy nga gjithsej katër referendume rreth Kushtetutës së propozuar të BE-së, të mbajtur një vit pas zgjerimit të madh të saj, në vitin 2004, ngritën dyshime rreth këtij kompatibiliteti. Aluzionet rreth 'hidraulikëve polakë' që vijnë për t'ua marrë vendet e punës punëtorëve lokalë, pa marrë parasysh sa i padrejtë dhe poshtërues, kishte bërë përshtypje të thellë, sidomos në Francë, prandaj si francezët, po ashtu edhe holandezët, refuzuan projektin ambicioz kushtetues. Kjo zbythje e la BE-në të dezorientuar dhe ky dështim u zbut vetëm përkohësisht, me nënshkrimin e Traktatit të Lisbonës. Në mënyrë paradoksale, "hidraulikët polakë" u rishfaqën më shumë se një dekadë më pas, gjatë kampanjës së referendumit Brexit. Në po të njëjtën Britani, e cila dikur kishte mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së, punëtorët nga Evropa qendrore dhe lindore u përdorën si kurbane në kampanjën e daljes nga BE-ja. Duke ndjekur atë që sociologu Anthony Giddens e quajti "skenar somnambulësh", Britania vendosi që të dilte nga BE-ja pa ndonjë debat të ndershëm dhe të informuar rreth asaj se çka humbnin me këtë. Por, paradokse me bollëk ka edhe në Evropën Qendrore dhe Lindore. Merreni shembullin e Polonisë. Falë pajtimit të saj me Gjermaninë, Polonia mori një rol udhëheqës në komunitetin euroatlantik, duke shndërruar atë që dikur ishte boshti franko-gjerman, në një "trekëndësh të Weimarit". Përfitimet që Polonia mori nga ripozicionimi i saj gjeopolitik ishin të mëdha, sidomos kur të dhënat e saj makroekonomike krahasohen me ato të vendeve si Ukraina, e cila ndoqi një rrugë krejt tjetër pas kolapsit të komunizmit. Përkundër kësaj, qeveria aktuale polake kërkon që të përfitojë nga brishtësia aktuale e Evropës, duke e përdorë vizitën e bërë tash vonë të presidentit amerikan Donald Trump, si pykë për përçarjen e BEsë, me qëllim që të jetë i mundur vazhdimi i degradimit të institucioneve demokratike, pa frikë nga pengesat nga jashtë. Polonia sot është po ashtu truall i pëlleshëm për retorikën kundër imigrantëve, e cila bazohet te një dëshirë nostalgjike për t'u tërhequr brenda kufijve kombëtarë. Është evidente se Partia e ligjit dhe drejtësisë, që është në pushtet, nuk e sheh ironinë se janë imigrantët polakë ata që kanë qenë burim i antagonizmave në Britani dhe gjetiu. Qershia mbi tortë ka të bëjë me faktin se qeveria e Polonisë është në rrugë të mirë të themelimit të një shteti jo liberal brenda BE-së, duke shkuar hapave të kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Modeli i BE-së bazohet te një seri e përkushtimeve themelore, të cilat duhet të respektohen. Në fakt, këto përkushtime ishin ato që joshën shtetet e ish bllokut sovjetik për të kërkuar anëtarësim. Është e qartë se çdo përparim sociopolitik e ka teposhtën e vet, por sipas të njëjtës filozofi, edhe ngritja e nacionalizmit dhe populizmit duhet ta ketë rënien e vet. Duke marrë qëndrim kundër këtyre dy forcave, si dhe duke krijuar një narrativë të revitalizuar e cila është në përputhje me prioritetet e shoqërisë evropiane sot, BE-ja mund ta rimëkëmbë legjitimitetin dhe momentin e vet. e ardhmja e Evropës varet nga kjo.

(Javier Solana aktualisht është president i Qendrës ESADE për ekonomi dhe gjeopolitikë globale) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot ''.

(Kosova Sot)