Marrëveshje apo taktizime politike

Marrëveshje apo taktizime politike
  • 25 July 2017 - 08:26

SHKRUAN: YMRET RESHITI

Ide që mund të gjenerojë krizë politike

Pacollit për një "Marrëveshje historike" nuk mund të kuptohet assesi ndryshe pos si ide taktike dhe obstruksioniste për rritjen e pazareve politike. Në rrethana normale politike që mbretërojnë në vend, vetëm ta mendosh një ide për "Marrëveshje historike" është absurde, e lëre më të propozosh një ide të tillë. Ideja e tillë është tërësisht e kapluar nga amatorizmi politik dhe e motivuar nga ambicia personale politike. Kjo ide është mjaft e koklavitur në aspektin konceptual dhe mjaft e larmishme në përmbajtje dhe ka pak politikë, biografi, histori, ekonomi, letërsi, fe etj. Vetë fakti se kjo ide nuk është kultivuar dhe kalitur nëpër kokat e ekspertëve politikë, paraqet një ide të "vyshkur" që në prezantim, ndërsa jetëgjatësia e saj i ka ditët e numëruara. Ideja që i tërë spektri politik të përfshihet si mishmash në një qeverie teknike gjithëpërfshirëse me mandat 1-vjeçar, jo vetëm që nuk është ide serioze, por është ide që mund të gjenerojë krizë politike nëse realizohet. Behgjet Pacolli taktizon në shpenzimin e kohës deri në votim të parë të mandatarit të Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që ai të jetë sa më i kërkueshëm dhe sa më i kushtueshëm për formimin e qeverisë. Behgjet Pacolli vazhdimisht ka deklaruar se "nuk është njeri i bllokadave në politikë" dhe ai e di mirë se ka dëshirë që të bëhet pjesë e qeverisë me PAN-in, por kërkon koncesione të majme politike.

"Marrëveshjet historike" nuk bëhen për çështje teknike

Duhet ta kemi të qartë se marrëveshjet historike asnjëherë nuk bëhen për çështje teknike, por për çështje madhore. Ideja për "Marrëveshje historike" fund e krye ka në esencë një mori çështjesh teknike dhe asnjë prioritet me rëndësi për shtetin dhe qytetarin. Në pikën "B", edhe pse përmenden temat me rëndësi, si: demarkacioni, asociacioni, liberalizmi i vizave, prapëseprapë edhe në këtë pikë, sikurse në shumicën pikave të tjera, përmenden çështjet teknike; ndryshimi i ligjit për zgjedhjet, ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të shtetit, shtimin e kompetencave ekzekutive dhe politike, mandatin e qeverisë. Prandaj, konsiderojmë se një ide e tillë që në esencë ka çështjet teknike prejudikon krizën politike në vend, pa ekzistuar fare ajo. Pse duhet patjetër të insistohet se nëse PAN-i nuk mund ta formojë qeverinë vendi hyn në krizë politike?! Janë edhe dy parti të tjera, LVV dhe LAA, që i kanë numrat e sigurt për formimin e qeverisë, gjithsej 61 deputetë. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese( sado i mjegullt) jep shansin e dytë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Procesi zgjedhor në Kosovë është përfunduar dhe KQZ-ja ka bërë certifikimi i rezultateve zgjedhore, ku secili subjekt politik i ka pranuar rezultatet zgjedhore. Pse atëherë duhet qeveri teknike ?! Në rajon kemin pasur situata kur subjektet politike nuk kanë pranuar procesin zgjedhor, respektivisht rezultatet e zgjedhjeve, prandaj për dalje nga kriza politike kanë formuar qeveri teknike. Gjithashtu, në rrethana politike të kërcënimit të stabilitetit të vendit, trazirave, luftës etj., kemi raste të formimit të qeverive gjithëpërfshirëse të emërtuara si " qeveri të shpëtimit" , "qeveri të unitetit" etj., dhe që mund të quhen qeveri të krijuara nga "marrëveshjet historike." Po në rastin e Kosovës nuk ekzistojnë rrethana të krizave të tilla politike, as për formimin e qeverisë teknike dhe as qeverisë gjithëpërfshirëse, prandaj nuk ka nevojë për ide dhe taktizime të tilla politike.

Ambiciet e përhimëta të Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit

Ideja e Behgjet Pacollit ka për qëllimin kryesor ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit nga votat e drejtpërdrejta të qytetarëve si dhe shtimin e kompetencave ekzekutive politike, ku presidenti i shtetit në të ardhmen të thotë fjalën e fundit në emër të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Behgjet Pacolli jo rastësisht ka dalë me një ide të tillë, pasi ideja e tij ka gjetur edhe mbështetjen e Hashim Thaçit, i cili vitin e kaluar ka propozuar një iniciativë të tillë. Ndryshimet kushtetuese të mënyrës së zgjedhjes dhe shtimit të kompetencave të presidentit të Kosovës, drejtpërdrejt shpijnë edhe në ndryshimin e sistemit qeverisës në Kosovë nga ai parlamentar në atë presidencial ose gjysmëpresidencial. Kosova ka sistem parlamentar të qeverisjes, e që është traditë ballkanike. Pothuajse shumica e shteteve të Ballkanit kanë sistem parlamentar të qeverisjes ose gjysmëparlamentar me epërsi të parlamentit. Ballkani është regjioni më i brishtë i Evropës, i cili nuk mund që të jetë imun nga interferencat e gjeopolitikëve, ngase nuk ka elita dhe lider të fortë, të cilët do t'i bëjnë ballë këtyre interferencave. Jo vetëm që nuk është e nevojshme për Kosovën që të fillohet me këtë proces politik të ndryshimeve kushtetuese, por ky proces është tepër i rrezikshëm për stabilitetit e vendit dhe interesin e qytetarëve të Kosovës, që në të ardhmen e afërt interesat e qytetarëve dhe të shtetit të varën kryekëput nga duart e një individi, siç është presidenti i shtetit. As Behgjet Pacolli dhe as Hashim Thaçi nuk janë persona të besueshëm në ushtrimin e postit të presidentit me kompetenca të shtuara politike ekzekutive. Pothuajse çdo parti politike dhe politikan Behgjet Pacollin e ka atakuar si njeri të Moskës -Rusisë. Bisedimet me Serbinë dhe vendimet arbitrare në shkelje të Kushtetutës, të cilat i ka marrë Hashim Thaçi, fillimisht si kryeministër dhe tani si president i shtetit janë tregues të frikshëm nëse ky njeri do të ketë në duar të tij pushtet të madh politik dhe ekzekutiv. Dihet se në regjionin e Ballkanit dhe posaçërisht në Kosovë gërshetohen interesat ruse, prandaj si mund t'i besohet një personi me "aferë " si njeriu i Rusisë , dhe tjetri i njohur për arbitrarizëm, veprime antikushtetuese dhe proserb, që të mos ndërmarrë ndonjë veprim që do të destabilizonte shtetin dhe do të krijonte shteg për futjen e ndikimin rus në Kosovë. Prapa idesë për një president me kompetenca të forta fshihen "ambiciet e përhimëta" të Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit.

Shitje e moralit politik

Në pjesën më të madhe të idesë së Behgjet Pacollit zë vend "shitje e moralit politik", i cili moral politik më së shumti i mungon Behgjet Pacollit. Behgjet Pacolli ankohet kinse ka një presion të madh nga subjektet e tjera politike për ta përfshirë atë në qeverisjen e ardhshme të Kosovës, por ai si "Skënderbe" po u bën ballë këtyre "presioneve " dhe po lufton si kreshnik i vërtetë për ta mbrojtur moralin e tij për të mos u shitur. Ai shkon aq larg, saqë merret në mbrojtje të të gjithë deputetëve kundër të cilëve gjëja po ushtrohet "presion" për t'i kontrabanduar ata në qeverisjen e PAN-it, të cilin" presion" ai e quan "gjah" . Për të shprehur dhembshurinë e tij prej politikani pa moral ndaj atyre deputetëve që po u bëhet "gjahu" , ai lutet " NDAL kësaj loje që e trajton deputetin si në tregun e gjësë së gjallë, ndalni nëse keni Perëndi ! Sikur të mos e kishim njohur Behgjet Pacollin më herët, ndoshta do t'i kishim besuar! Por, çfarë morali pati ai në vitin 2010 që me 7 deputetë hyri në pazare për formimin e qeverisë së pakicës me PDK-në, duke anashkaluar partitë e mëdha, si LDK-në, AAK-në dhe LVV-në vetëm e vetëm për t'u bërë president i Kosovës. Ku e kishte fshehur atëherë idenë për " Marrëveshje historike" gjithëpërfshirëse?!

(Kosova Sot)