Shansi i humbur i Donald Trump-it

Shansi i humbur i Donald Trump-it
  • 25 July 2017 - 10:09

Shkruan: Fareed Zakaria 

GJASHTË MUAJ PAS MARRJES SË DETYRËS

Trump ka mundur që të fillonte shpejt me riformësimin e politikës amerikane

Ndarja e vetme me traditën republikane ishte në politikën e jashtme, ku Trump është duke ndjekur një agjendë me të vërtetë bizare dhe të paqëndrueshme, e cila duket se frymëzimin e gjen te pasionet ankesat e tij personale -ndalimi i hyrjes në SHBA për shtetasit e disa vendeve, kërkimi i pagesave nga aleatët, përqafimi i autokratëve që i bëjnë lajka atij dhe familjes së tij
E kzistojnë shumë mënyra për ta vlerësuar presidencën Trump gjashtë muaj pas fillimit të saj. Ajo që më bën përshtypje, është rruga që nuk është ndjekur, shansi i humbur. Gjatë kampanjës, ishte e qartë që Donald Trump kishte shumë të meta, por ai mbështetej te ballafaqimi real me problemet e SHBA-së dhe te zhgënjimi i thellë i amerikanëve me sistemin politik. Për më tepër, ai përqafoi dhe shprehu një populizëm i cili shkoi përtej ndarjes tradicionale midis së majtës dhe të djathtës. Si do të ishin gjërat tani sikur presidenti Trump të kishte qeverisur në një mënyrë pragmatike, si një reformator i orientuar kah hapja e vendeve të punës, i përqendruar te amerikanët "e harruar" për të cilët shpesh flet ai? Pas zgjedhjes së Trump-it, një grup i vogël i intelektualëve pro-Trump, si nga e djathta, po ashtu edhe nga e majta, ishin bashkuar për lansimin e një gazete, "American Affairs", e cila premtonte "diskutimin e politikave të reja që janë jashtë dogmave konvencionale". Ky është forumi më i mirë për artikulimin e ideologjisë që qëndron prapa ngritjes së Trump-it dhe ka pasur një interesim të madh rreth pikë- pamjeve të gazetës në tema të ndryshme të cilat ishin hapur nga redaktorët. 

Sistemi zviceran

Rreth tregtisë, imigrimit dhe politikës së jashtme, redaktorët kishin shfaqur ndryshime modeste krahasuar me qëndrimet standarde të SHBA-së, disa prej të cilave është duke i ndjekur administrata. Por, në çështjen qendrore të politikës ekonomike vendore, "American Affairs" dukej shumë më e ndryshme dhe më populiste. Duke marrë parasysh çështjen që gjendet në qendër të ideologjisë republikane, tatimet, redaktorët treguan të ishin 'tepër skeptikë rreth ortodoksisë konservatore që automatikisht përshkruan shkurtime tatimore si ilaç për çdo sëmundje". Edhe pse reforma e taksave të korporatave është e garantuar, thoshin redaktorët, "zvogëlimi i normës tatimore për rrogat më të larta nuk ka të ngjarë që të adresojë sfidat kryesore ekonomike në ndonjë mënyrë sinjifikante". Në vend të kësaj, ata rekomandonin eliminimin e mekanizmave me anë të të cilëve të pasurit bëjnë evazion tatimor. Për më tepër, gazeta denonconte derregullimin financiar dhe apelonte për taksa më të larta ndaj fondeve dhe menaxherëve të ekuiteteve private. Kjo gazetë mbështetë shpenzimet direkte dhe të mëdha qeveritare në infrastrukturë, duke tërhequr vërejtjen ndaj mbështetjes së madhe te sektori privat. Sa i përket kujdesit shëndetë- sor, redaktorët kishin dalë haptazi në favor të mbulimit të përgjithshëm dhe sugjeronin dy opsione, një sistem me një pagues të vetëm, apo një version të sistemit zviceran, i cili në thelb është Obamacare me një mandat real. Nuk ka nevojë të themi se kjo nuk ishte në agjendën e Trump-it. Por, duke i lexuar këto ide inteligjente, lindë pyetja inteligjente, e pse jo? Që të gjitha këto politika, të propozuara më lart, do t'iu ndihmonin "njerëzve të harruar" kauzën e të cilëve e përfaqëson Trump. 

Obamacare nuk është shfuqizuar

Deri më tani kanë ekzistuar dy tipare kryesore të presidencës Trump. Tipari i parë është se, larg të qenit një plasje populiste, kjo presidencë ka ndjekur një agjendë tradicionale republikane - heqja e Obamacare, dobësimi i Dodd-Frank, zvogëlimi i taksave, derregullimi i industrisë. Plani anemik Infrastrukturor i Trump-it është pak më shumë sesa shpërblime tatimore për investuesit privatë. Ndarja e vetme me traditën republikane ishte në politikën e jashtme, ku Trump është duke ndjekur një agjendë me të vërtetë bizare dhe të paqëndrueshme, e cila duket se frymëzimin e gjen te pasionet ankesat e tij personale - ndalimi i hyrjes në SHBA për shtetasit e disa vendeve, kërkimi i pagesave nga aleatët, përqafimi i autokratëve që i bëjnë lajka atij dhe familjes së tij. Tipari tjetër karakteristik i administratës Trump ka qenë jokompetenca. Sikur që është thënë nga shumëkush, sikur Trump të kishte vendosur që ta fillonte presidencën e tij me një projekt të madh infrastrukturor, ai do t'i vinte demokratët në një pozitë tepër të vështirë. Atyre do t'iu duhej që ta mbështesnin atë edhe përkundër se një gjë e tillë do t'ua dëmtonte bazën partiake. Në vend të kësaj, Trump zgjodhi kujdesin shëndetësor, një çështje të komplikuar dhe të vështirë, që bashkoi kundërshtarët e tij dhe përçau republikanët. Si pasojë, shumë pak është bërë në fakt, në këtë drejtim. Obamacare nuk është shfuqizuar, nuk janë siguruar para për ndërtimin e murit në kufi, NAFTA vazhdon që të ekzistojë, dhe nuk ka ndonjë reformë të taksave, e as ndonjë marrëveshje për ngritjen e kufirit të borxhit. Edhe sa i përket derregullimit, një zonë e gjerë e autoritetit presidencial, nuk është bërë kushedi sa. Shumë prej veprimeve ekzekutive të Trump-it kanë pasur të bënin me "rishikimin" e masave të ndryshme. Një aktivist ambiental më tha se ishte munduar t'i jepte vullnet stafit të tij, duke iu thënë se fjalët e administratës Trump rrallë janë pasuar nga veprat e suksesshme. Trump ka mundur që të fillonte shpejt me riformësimin e politikës amerikane. Ai dalloi zërat të cilët të tjerët nuk i dalluan, kuptoi se çka donin ata njerëz të dëgjonin dhe kishte artikuluar një pjesë të madhe të saj. Por, kur erdhi koha e realizimit, doli se ai nuk kishte ide apo politika serioze, e as një dëshirë serioze për to. Ai thjesht donte të ishte president, të takonte liderët botërorë, të bënte foto në Zyrën Ovale dhe të fluturonte me avionin "Air Force One", duke deleguar politikën e vërtetë publike te zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Paul Ryan, apo te zëvendëspresidenti Pence. Deri më tani, Trump ka dalë të jetë më pak revolucionar sesa që ishte pritur, një republikan standard i bizneseve të mëdha, edhe pse jo kompetent, i veshur me rroba populiste. 

(Kosova Sot)