Kritika është bërë e lirë, por nuk është e lirë jeta të cilën po e bëjmë ?!

Kritika është bërë e lirë, por nuk është e lirë jeta të cilën po e bëjmë ?!
  • 26 July 2017 - 08:02

Shkruan: SKËNDER MULLIQI

Revolucioni i munguar

Kot shkruajmë grafite nëpër mure, kot bërtasim në kupë të qiellit, duke e nëmur këtë klasë sunduese për të bëmat e saja të pista, nëse na mungojnë metodat e veprimit konkret kundër këtyre keqbërësve politikë dhe keqbërëseve ekonomikë

Të gjithë neve në ndeja dhe në raste të tjera kur bisedojmë me njëri-tjetrin, mendimet shpesh na kthehen nga e kaluara jonë e mirë ose jo shumë për t'u lavdëruar. Ne, që jemi tash më në moshë na shkojnë mendimet se në kohën kur në ishim të rinj ishte më mirë ose me keq se koha bashkëkohore. Ne, që kemi jetuar në shtetet e ish bllokut komunist shumica nuk i kemi përjetimet bash të mira, sidomos ata të cilët janë ndeshur në një formë apo tjetër me regjimin e egër komunist. Ne shqiptarët që patëm fatin e keq të jetojmë dhunshëm nën Jugosllavi përjetuam gjëra të rënda, si të segregacionit, të izolimit kulturor, të përjashtimit si popull nga sistemi. Hiq përjetime të mira nuk patën edhe ata, të cilët jetuan nën sundimin e diktaturës së vet. Përjetuam rënien e komunizmit, përjetuam lirinë e fjalës dhe të shprehjes që nuk e kishim, ose e kishim por e paguanim me dënime të rënda.

Të paprekur nga ligji

Nuk ka qenë e lehtë shembja e ishbllokut komunist në Evropë, ajo tërhoqi me vete edhe shumë viktima në njerëz dhe të mira materiale. Kjo ndodhi sidomos me rënien e ish -Jugosllavisë së Titos. Nëse dikur nuk kemi 'guxuar" të këndojmë lirshëm një këngë patriotike, sot e kemi një mundësi të tillë pa asnjë problem. Kjo ndoshta është e vetmja "vlerë " postkomuniste, të cilën po e përjetojmë të gjithë. Kapitalizmi është rend shoqëror, i cili nuk e kufizon lirinë e shprehjes. Me ardhjen e demokracisë, liria e shprehjes ka avancuar në vlerë shoqërore në republikat të cilat dolën nga ish -Jugosllavia. Më në fund mund të flasim dhe të bërtasim deri në kupë të qiellit, mund të ofendojmë, mund të kërcënojmë kënd të dëshirojmë dhe të mbetemi të 'pa prekur' nga ligji. Këtu dëshiroj të bëjë një analogji. Nëse populli gjuan gurë e dru mbi regjimin, këta të fundit nuk mërziten për këtë punë fare, se i kanë rregulluar të gjitha punët për vete dhe familjet e tyre. Por, kur ndodh që regjimi të 'gjuaj' gurë e dru mbi popullin, atëherë kemi tjetër muhabet. Kemi të bëjmë me shtypjen e masës së gjerë në forma të ndryshme. Pra, nuk është e njëjtë se kur njeriu flet ashtu kotazi dhe nuk vepron konkretisht kundër abuzuesve, të cilët sot po e rrënojnë shtetin e Kosovës. Kot shkruajmë grafite nëpër mure, kot bërtasim në kupë të qiellit, duke e nëmur këtë klasë sunduese për të bëmat e saja të pista, nëse na mungojnë metodat e veprimit konkret kundër këtyre keqbërësve politikë dhe keqbërësve ekonomikë. Të gjithë po kemi të drejtë të "shajmë ' pushtetin , por nuk po kemi të drejtë ta " heqim" qafe këto pushtet të shfrenuar.

Demagogjinë e kanë bërë mënyrë të mbijetesës në politikë

Politikanët të gjitha sharjet dhe fyerjet po i "tolerojnë", veç një gjë nuk po tolerojnë, nëse dikush tenton të veprojë edhe praktikisht. Çka është tepër, tepër është, thotë një fjalë e popullit. Nëse ka kaluar koha e kërcënimeve të pushtetit karshi popullit sikur në kohën e komunizmit klasik, ky kërcënim karshi familjeve tona po bëhet në mënyrën 'bashkëkohore' të sundimit , në emër të demokracisë po dhunohet çdo vlerë shoqërore. Po shohim sot gjithfarë fyerjesh dhe sharjesh në internet dhe rrjete të ndryshme sociale, dhe askujt nuk po i shkon " asnjë fije floku". Krejt këto po kanë rrjedhën normale të saj. Nëse dikush sot në qendër të qytetit bërtet duke sharë "regjimin dhe se qeveria është kriminale " pak kujt do t'ia tërheq vëmendjen, mund të konsiderohet si njeri i marrë. Ai, i cili këtë gjë e shkruan në status konsiderohet si njeri normal. Sot, është bërë normë që në internet të ndahen mendimet e ndryshme, por jo ato të bëhen konkrete në realitet. Kjo është bërë shumë komode dhe është kthyer në fenomen në vete. Njerëzit të flasin diçka tjetër dhe po veprojnë krejt ndryshe. Kritika është bërë e lirë, por nuk është e lirë jeta të cilën po e bëjmë. Jeta sot në Kosovë po na imponohet nga sundimtarët. Elitat politike, të cilat bëjnë 'be' në fjalën e lirë, kur është fjala për t'i mbrojtur pozitat e larta politike. E humbin kontrollin mbi këtë fjalë te lirë. Demagogjinë e kanë bërë mënyrë të mbijetesës në politikë. Mos të aplikojmë kritika, të cilat kërkojnë shpjegime nga sundimtarët, por të bëjnë kritika të cilat i bëjnë revolucionet. Ajo që i lidhë të gjithë njerëzit e mirë të këtij nën qielli është si të largohen këto struktura në pushtet. Dëshira është që me këto struktura të kriminalizuara dhe të korruptuara të konfrontohemi me metoda demokratike deri në shpartallimin përfundimtarë të tyre. Mos të bëhemi të paaftë për të ardhmen dhe perspektivën tonë. Të gjitha pakë- naqësitë e grumbulluara mos të mbesin vetëm në statuse, nëpër mure të internetit, dhe në rrjete të ndryshme sociale…

(Kosova Sot)