Lufta e ardhshme e Lindjes së Mesme

Lufta e ardhshme e Lindjes së Mesme
  • 26 July 2017 - 10:45

Shkruan: Joschka Fischer

NUK KA QETËSI NË BOTËN ARABE

Një faktor tjetër destabilizues është rihapja e "çështjes kurde"

Pas shkatërrimit të ISIS-it, kapitulli tjetër në historinë e Lindjes së Mesme do të përcaktohet nga një konflikt i hapur dhe i drejtpërdrejtë midis Arabisë Saudite sunite dhe Iranit shiit, për dominim në rajon. Të dy fuqitë regjionale tanimë janë pozicionuar në këtë konflikt, ku SHBA-ja gjendet përkrah Arabisë Saudite, derisa Rusia përkrah Iranit

Pas humbjes së Mosulit, në Irakun verior, ISIS shpejt mund t'i përket së kaluarës. Por, mposhtja e ISIS-it dhe shkatërrimi i kalifatit të vetëshpallur në Siri dhe Irak, nuk do ta sjellë paqen në Lindjen e Mesme, e as nuk do t'i japë fund tragjedisë siriane. Më shumë gjasa ka që një gjë e tillë ta hapë një kapitull të ri të historisë së përgjakshme të regjionit, aspak më të parrezikshëm sesa kapitujt paraprakë që nga shkatërrimi i Perandorisë Osmane, në fund të Luftës së parë botërore. Vazhdimi i këtij modeli të dhunës duket gati i sigurt, meqë regjioni mbetet i paaftë që t'i zgjidhë konfliktet e brendshme, e as ta krijojë ndonjë kornizë për paqe. Ai ngelet i ngujuar diku midis shekujve XIX dhe XX. Zor se mund të thuhet që fuqitë perëndimore nuk kanë faj për gjendjen në Lindjen e Mesme. Çdo përmendje e Marrëveshjes Sykes-Picot, me anë të së cilës Britania dhe Franca ndanë territoret ish- osmane, ende zgjon një zemërim aq të madh në Botën arabe, saqë duket se ky plan, i bërë në mënyrë sekrete, nuk është bërë në vitin 1916, por pak ditë më parë. 

Interesat ekonomike

Nuk duhet harruar as rolin e Rusisë cariste në këtë regjion. Pas Luftës së Dytë Botërore, trashëgimtari i saj, BRSS-ja, si dhe rivali i saj nga Lufta e Ftohtë, SHBA-ja, filluan intervenimet e tyre të shumta. Në fakt, SHBA-ja mund ta ketë pjesën më të madhe të fajit për gjendjen aktuale të këtij regjioni. Interesi fillestar amerikan në këtë regjion lidhej me naftën. Por, pas fillimit të Luftës së Ftohtë, interesat ekonomike me të shpejtë u shndërruan në interesa strategjike, me qëllim të pengimit të formimit të qeverive antiperëndimore, mike të sovjetikëve. Përpjekjet e Amerikës që ta ruante ndikimin në rajon u lidhën më pas me një partneritet të ngushtë të saj të sigurisë me Izraelin, e më pas edhe me dy intervenimet e mëdha ushtarake në rajon, kundër Irakut të Saddam Husseinit. Edhe intervenimi amerikan në Afganistan ka pasur pasoja të thella për Lindjen e Mesme. Kryengritja e viteve 1980, e mbështetur nga Amerika, e lansuar nën flamurin e xhihadit kundër pushtuesve sovjetikë, transformoi dy aleatë të ngushtë të SHBA-së - Pakistanin dhe Arabinë Saudite - në kërcënime strategjike. Kjo u bë e qartë më 11 shtator të vitit 2001, kur u mor vesh se, 15 nga 19 sulmuesit e Al Kaidës, ishin shtetas sauditë. Dhe, ishte Pakistani ai që i krijoi talebanët, të cilët i ofruan Al Kaidës një strehë të sigurt për lansimin e sulmeve kundër SHBA-së dhe Perëndimit. Suksesi i Luftës së parë të Gjirit, të lansuar në janar të vitit 1991 nga presidenti George H.W. Bush, ishte rrezikuar në mënyrë fatale 12 vjet më pas nga i biri i tij, presidenti George W. Bush, i cili me luftën e tij të Gjirit krijoi një katastrofë regjionale, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Derisa Bushi i vjetër kishte qëllime të kufizuara, për çlirimin e Kuvajtit, duke mos kërkuar ndryshimin e regjimit në Irak, i biri i tij kishte qëllime më ambicioze.

Arabia Saudite dhe Irani

Ideja ishte që të rrëzohej Saddam Husseini nga pushteti dhe të krijohej një Irak demokratik, i cili do të shërbente si katalizator i ndryshimeve demokratike në tërë Lindjen e Mesme, duke e transformuar atë në një regjion demokratik, pro perëndimor. Brenda administratës së Bushit të ri mbizotëroi idealizmi perandorak mbi realizmin kokëfortë, duke rezultuar me një destabilizim të vazhdueshëm të Lindjes së mesme si tërësi dhe duke bërë që Irani ta zgjeronte fushën e tij të ndikimit. Pas shkatërrimit të ISIS-it, kapitulli tjetër në historinë e Lindjes së Mesme do të përcaktohet nga një konflikt i hapur dhe i drejtpërdrejtë midis Arabisë Saudite sunite dhe Iranit shiit, për dominim në rajon. Deri më tani ky konflikt është zhvilluar në heshtje. Të dy fuqitë regjionale tanimë janë pozicionuar në këtë konflikt, ku SHBA-ja gjendet përkrah Arabisë Saudite, derisa Rusia përkrah Iranit. Lufta aktuale 'kundër terrorizmit' do të zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga ky konflikt hegjemonik. Dhe, pasi Arabia Saudite dhe katër aleatë sunitë imponuan sanksione kundër Katarit, pjesërisht për shkak të lidhjeve të ngushta të Katarit me Iranin, ky konflikt ka arritur pikën e parë vluese mu në qendër të regjionit, në Gjirin Persik. Nuk do fjalë se, çdo konflikt direkt me Iranin do t'ia jepte flakën regjionit, duke lënë me të madhe nën hije të gjitha luftërat paraprake në Lindjen e Mesme. për më tepër, derisa në Siri ende vazhdon lufta dhe Iraku është i dobësuar nga konfliktet sektare për pushtet, ISIS apo ndonjë trashëgues i saj, kanë të ngjarë që ende të ngelin aktivë. Një faktor tjetër destabilizues është rihapja e "çështjes kurde". Kurdët, një popull pa shtet, janë dëshmuar si luftëtarë të denjë kundër ISIS-it dhe duan që të përparojnë drejt një autonomie, apo edhe drejt një shteti të pavarur. Për vendet e prekura nga kjo çështje, në rend të parë për Turqinë, por edhe për Sirinë, Irakun dhe Iranin, kjo çështje është një 'casus belli' potencial, meqë prek integritetin territorial të tyre. 

Intervenimi ushtarak 

Duke pasur parasysh këto çështje të pazgjidhura dhe eskalimin e konfliktit hegjemon midis Iranit dhe Arabisë, kapitulli i ardhshëm në regjion premton të jetë gjithçka tjetër, pos paqësor. Është e vërtetë që SHBA-ja mund të ketë nxjerrë mësime nga fatkeqësia irakiane, se nuk mund ta fitojë një luftë tokësore në Lindjen e Mesme, përkundër fuqisë së saj superiore ushtarake. Presidenti Barack Obama tentonte që t'i tërhiqte forcat amerikane nga regjioni, gjë që u tregua vështirë e realizueshme, si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ushtarak. Për këtë shkak ai përjashtoi mundësinë e intervenimit ushtarak, qoftë edhe vetëm nga ajri, në luftën civile siriane, duke lënë një boshllëk, të cilin me shpejtësi e plotësoi Rusia, me të gjitha pasojat e njohura. Trashëgimtari i Obamës në post, Donald Trump, po ashtu ka bërë kampanjë duke u bazuar në premtimin e tërheqjes nga regjioni. Që nga momenti i zgjedhjes së tij, ai ka lansuar sulme raketore në Siri, ka hyrë në angazhime më përkushtuese me Arabinë Saudite dhe aleatët e saj, si dhe ka eskaluar konfliktin retorik amerikan ndaj Iranit. Është e qartë se Trump ende ka shumë për të mësuar rreth Lindjes së Mesme, një regjion i cili nuk do të presë që ai ta kuptojë atë. Nuk ka arsye për optimizëm. 

(Joschka Fischer ishte ministër gjerman i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskancelar midis viteve 1998-2005) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)