"Dialogu intern" i Vuçiqit me serbët nuk mund të ndryshojë statusin e Kosovës së shkolonizuar dhe të pavarur

  • 27 July 2017 - 08:10

Shkruan: Prof.DR.Mehdi Hyseni

 

Nuk ka asnjë dyshim se një dialog i tillë i brendshëm i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, do të kishte pasur vlerë të dyanshme politike sikur të ishte bërë para vitit 1989, kur Serbia e Slobodan Milosheviqit, e Sheshelit dhe e Aleksandar Vuçiqit me terror, me agresion përmbysi autonominë e KSAK të vitit 1974 (duke vrarë shqiptarë civilë të pafajshëm, dhe duke mbyllur dhe shkatërruar shkolla, universitete, dhe duke larguar nga puna me qindra, mijëra dhe miliona shqiptarë). Ndërkaq, tash, 30 vite më pas, kur Kosova pas përjetimit të gjenocidit kolektiv serb (1989-1999), përgjithmonë është shkëputur nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999), me ndihmën dhe me mbështetjen e ligjshme historike, politike, diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së dhe të aleatëve të saj evropianë- perëndimorë (BE dhe NATO), "dialogu intern" i presidentit Aleksandar Vuçiq me të gjithë përfaqësuesit legjitim të popullit serb për Kosovën, nuk mund të ketë kurrfarë vlere as de fakto, as de jure e as politikisht, sepse statusi i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës është zgjidhur më 17 shkurt 2008. -Tanimë, Kosova është e pavarur dhe sovrane, këto atribute politike, juridike dhe kushtetuese të shtetësisë së Kosovës, të legalizuara dhe të njohura ndërkombëtarisht nga 114 shtete të OKB-së, nuk mund t'i ndryshojnë në mënyrë ligjore dhe paqësore as Presidenti, as qeveria, as Kuvendi, as partitë politike në pushtet, as ato opozitare, as Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe e as Kisha Ortodokse Serbe me mitropolitin Irinej në krye. Nëse Vuçiqi bindë serbët, se është koha e fundit për ta njohur Republikën e Kosovës, atëherë ai dialog i tij i brendshëm, vërtet, do të ketë kuptim të plotë politik dhe historik për të dy popujt, sepse do të lirohej nga një barrë e rëndë dhe hipotekë shekullore e kolonializimit të saj 100-vjeçar ndaj Kosovës, e cila historikisht dhe ligjërisht i përket SHQIPËRISË ETNIKE. Mirëpo, këtë të drejtë natyrore dhe të ligjshme të Kosovës shqiptare, përkatë- sisht të SHQIPËRISË ETNIKE ia mohuan Serbia, Rusia dhe Fuqitë e Mëdha të Evropës me verdiktin e turpshëm dhe të padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1912-1913), me ç'rast, jo vetëm Kosova (Vilajeti i Kosovës), por më se gjysma e territoreve indigjene të SHQIPËRISË ETNIKE u copëtuan, u ankesuan dhe u kolonizuan me forcë, me terror dhe me gjenocid nga ana e Serbisë dhe e Malit të Zi, në emër të rremë të "çlirimit të territoreve serbo-malazeze" nga zgjedha e Perandorisë Osmane, në të vërtetë, Serbia dhe Mali i Zi gllabëruan Vilajetin e Kosovës dhe Vilajetin e Manastirit shqiptar, të cilat, sikurse i gjithë Ballkani, ishin nën sundimin disashekullorë të Perandorisë Osmane.

Ardhmëria e serbëve dhe e Serbisë është njohja e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse njohja e Algjerisë nga sundimi 130-vjeçar kolonial i Francës (1962)

Ndryshe, presidenti Vuçiq dhe serbët e tij, mund të dialogojnë mes veti sa të duan (kjo është çështje e brendshme e tyre), por jo për kthimin e Kosovës nën Serbinë koloniale (1912-1999), ose për "atomizimin" e saj në kantone sikurse "Republika Srpska" në kuadrin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Këtë lojë mashtruese dhe naive, shqiptarët e Kosovës, nuk do ta pranojnë kurrë, sepse do të humbnin sovranitetit e tyre territorial dhe shtetëror. Nëse Vuçiq dëshiron të jetë paqësor me shqiptarët, atëherë, këtë prirje, duhet ta dëshmojë përmes njohjes së Republikës së Kosovës, e cila dikur ishte koloni, por, sot është e pavarur dhe sovrane. Me këtë realitet, duhet të pajtohen Serbia dhe të gjithë serbë, duke ndjekur shembullin pozitiv të shteteve të mëdha të Evropës Perëndimore dhe të asaj Lindore, që kanë hequr dorë nga sundimi i tyre kolonialist ndaj shteteve të Afrikës, të Azisë, të Amerikës Latine, si dhe ndaj shteteve euro-aziatike dhe baltike , gjatë viteve të 90-ta të shekullit XX, kur përfundoi lufta e ftohtë mes dy superfuqive botërore. Në këtë kontekst ish-BRSS-ja braktisi kolonitë ruso-sovjetike, siç janë Azerbajxhani, Turkmenistani, Taxhikistani, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Armenia, Estonia, Letonia, Lituania, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia).

Serbia dhe Mali i Zi, të paditen për shfrytëzimin jolegal të pasurisë së shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit (1912- 1999)

Duke qenë se Serbia dhe Mal i Zi (monarkitë dhe mbretëritë e tyre) me dhunë, me terror dhe me gjenocid i kanë copëtuar territoret e Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajetit të Manastirit, vetëm për zgjerimin e kufijve të Serbisë së Madhe dhe të Malit të Zi, si dhe për shfrytëzimin ekonomik, bujqësor dhe të pasurisë së paluajtshme , të burimeve nëntokësore, me qëllim të shkatërrimit dhe të ndryshimit të strukturës demografike dhe socio-ekonomike për serbizimin e territoreve të Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajetit të Manastirit, Kosova dhe Shqipëria, urgjentisht, duhet të formojnë ekipet e tyre profesionale shtetërore dhe shkencore, që nga Serbia dhe Mali i Zi, të kërkojnë dëmshpërblimin për 100 vitet e shkuara, që arbitrarisht në mënyrë joligjore kanë shfrytëzuar pasuritë e shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës dhe në Vilajetin e Manastirit (1912-2017). Kjo kërkesë për zhdëmtimin njëshekullor të pasurisë së paluajtur të shqiptarëve në të dy vilajetet e theksuara të Shqipërisë Etnike, juridikisht, sipas së drejtës ndërkombëtare, është plotësisht e justifikueshme. Prandaj, duke mos hezituar dhe vonuar (edhe në këtë shekull,XXI), Shqipëria dhe Kosova, duhet të ngrisin trupat e tyre profesioniste për të vlerësuar dhe për të kërkuar dëmshpërblimin nga Serbia dhe Mali i Zi. Ndryshe, serbët, malazezët dhe maqedonasit, vazhdimisht do na e mohojnë të drejtën natyrale dhe historike mbi territoret tona të SHQIPËRISË ETNIKE. Fundja, siç pa thënë edhe themeluesiBaba i qeverisë së Shqipërisë Etnike, Ismail Qemali (pas shpalljes së aktit historik të pavarësisë, më 28 Nëntor 1912), " Ne do vendosin paqe me fqinjët tanë, kjo varet prej tyre, jo vetëm prej nesh". -Po në këtë frymë të parimësisë, edhe ne sot, ndjekim këtë rrugë të paqes dhe të mirëkuptimit me fqinjët tanë, por, ata që nga viti 1912, e, edhe sot në shekullin XXI(dekada e dytë), po zbatojnë politikat e tyre hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste dhe neokolonialiste ndaj shqiptarëve dhe ndaj territoreve të tyre etnike autentike. Kjo politikë kolonizuese antishqiptare nuk shpie drejt paqes, mirëkuptimit, bashkëpunimit, mirëbesimit dhe drejtësisë së ndërsjellë mes popujve ballkanikë, por drejt konfliktit dhe rrezikimit të stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në Ballkan.

(Kosova Sot)