A po bëhemi gazi dhe turpi para syve të botës demokratike?!

A po bëhemi gazi dhe turpi para syve të botës demokratike?!
  • 09 August 2017 - 08:24

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQ

Mjaft pamë cirk në Parlamentin tonë

Kosovës dhe popullit të saj i nevojitet paqja e përhershme e prosperiteti, e jo futja sërish në krizë politike e krizë institucionale gjashtëmujore

Formimi i Jugosllavisë ishte projekt serbosllav i shekullit XX, dhe shpërbërja e kësaj krijese artificiale u bë në mënyrën më brutale të mundshme nga Serbia hegjemoniste. Pas Luftës së Dytë Botërore , më së shumti u vranë njerëz dhe u bënë dëme materiale me shpartallimin e kësaj krijese artificiale. U formuan mini shtete të cilat vështirë po mbijetojnë politikisht dhe ekonomikisht. Po mos të ishte intervenimi i NATO-s dhe po mos të formohej TPI në Hagë, ndoshta edhe sot do të kishim luftë. Shqiptarët sot nuk mund të fshehin faktin që pas përfundimit të luftës ndihen me të drejtë të mashtruar, të manipuluar, të keqpërdorur, të turpëruar dhe të varfëruar nga kjo klasë politike. Partitë politike, të cilat u formuan, u larguan nga idealizmat duke u shndërruar më shumë në parti materialiste kriminale. Shtrohen pyetjet logjike. Pse shtetet e dala nga ish-Jugosllavia janë larg stabilitetit politik e ekonomik? Pse ende kanë mbetur me demokraci të brishtë? Pse ende Ballkani ka mbetur "fuqi baroti"? Të gjithë këto pyetje kërkojnë një analizë të hollësishme. Edhe pse faza e tranzicionit ishte dashur të jetë diku ka fundi, këto mini shtete po kthehen në vitet e 90-ta, të krizës së madhe kur edhe filluan luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Dihet së luftërat në Ballkan kanë marrë me veti mijëra viktima të pafajshme, dhe droja nga përsëritja e një situatë të tillë konfliktuoze nuk duket shumë e pa mundshme të na përsëritet.

Të gjithë bandat pushtetare janë lidhur bashkë për interesa të tyre personale

Popujt e këtyre shteteve e kanë përvojën e hidhur nga lufta e fundit, ku më së keqi kaluan myslimanët e Bosnjës dhe shqiptarët e Kosovës. Këta dy popuj përjetuan gjenocid të pa parë për një luftë që e shkaktoi shovinizmi i egër serbomadh. Këtë gjendje jo stabiliteti politik dhe ekonomik po e provokojnë udhëheqjet politike të pa përgjegjshme. Këto udhëheqje politike më shumë po u ngjajnë bandave pushtetare. Ata që këtyre popujve po ua përcaktojnë fatin e jetës nuk janë gjë tjetër veç banda të krimit të organizuar, janë banda të trafikimit, banda të prostitucionit, endjes së drogës dhe e shumë marifeteve të tjera të ndyta, të cilat marifete po ua ngushtojnë lakun në fyt qytetarëve të këtyre vendeve. Fola pak këtu për gjendjen politike dhe gjendjen ekonomike në rajon, sepse të gjithë bandat pushtetare janë lidhur bashkë për interesa të tyre personale, duke i abstrahuar gati krejt interesat vitale të shteteve që i përfaqësojnë. Vendi ynë është duke përjetuar ditët të vështira nga këto struktura politike të cilat që shumë kohë janë instaluar në krye të shtetit të Kosovës. Vetëm sa po e vështirësojnë jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë. Të jesh politikan nënkupton që të kesh zhdërvjelltësi dhe dijeni të nivelit të lartë. Të jesh politikan do të thotë të punosh mirë për shtetin dhe për popullin tënd. Politikani i karrierës nuk do të japë betimin e rremë së është për paqe dhe prosperitet, e në fakt i kontribuon më të madhe jo stabilitetit dhe konflikteve. Politikani i mirë e shuan zjarrin, tek ai dominon arsye e jo emocionet. Këto garnitura tona pushtetare janë plot me vese.

U bëmë gazi i botës

Tek ne mund të behësh politikan më lehtë së çdo gjë tjetër. Nëse je mjeshtër i hajnive, nëse je kriminel.., edhe mund ngjitesh lartë në hierarkinë shtetërore. Ata që janë në politikë në Kosovë me ndonjë përjashtim thirrjen e kanë njerëz të politikës. Këta janë bërë tregtarë të fateve tona. Arsyetimet të cilët po i bëjnë për gjendjen e keqe ekonomike dhe politike janë më shumë se qesharake. Këta që po e drejtojnë shtetin e Kosovës, po tregohen njerëz të pandershëm, dhe patriotë të rremë. Kanë bërë pasuri të madhe pa mund dhe pa djersë në kurriz të popullit të vet. Kur po takohen me njerëzit e fuqishëm të politikës ndërkombëtare na sillen sikur të ishin melaqe, janë në gjendje ta luajnë gjithë farë roleve. Nga këta njerëz të politikës nuk kemi mundësi të presim që të bëhet mirë, që të kemi zhvillim dhe prosperitet të këtij vendi. Nga kjo klasë politike po instalohet mos durimi qytetar, po instalohet mosdashuria e ndërsjellë, dhe jotoleranca. Është vështirë të mendosh vendin tënd oazë të paqetësisë dhe të jopaqes së qëndrueshme, për mungesë lidershipi, dhe për shkak të hegjemonisë së pashuar serbomadhe të çetnikeve Vuçiq dhe Daçiq. Na ka mbetur vetëm të ëndërrojmë se një ditë do të largohen të gjithë autokratët të cilët shtetin e Kosovës e kanë bërë pronë private. Kosovës dhe popullit të saj i nevojitet paqja e përhershme e prosperiteti, e jo futja e serishme në krizë politike e krizë institucionale gjashtëmujore edhe pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale .Të mbesin anash të gjitha lojërat e rrezikshme nga kush do qoftë që vijnë ato… Mjaft pamë gjatë këtyre viteve cirk në Parlamentin tonë. Po bëhemi gjithnjë e më shumë gazi dhe turpi i botës demokratike, siç e tha edhe ambasadorja gjermane në Kosovë… 

(Kosova Sot)