Propozimi i Trump-it, fillim i mirë rreth imigrimit

Propozimi i Trump-it, fillim i mirë rreth imigrimit
  • 09 August 2017 - 09:39

Shkruan: Alice Stewart

NDALJA E IMIGRANTËVE ME LIGJ

"M'i jep masat tua të varfra, të lodhura, e të ngjeshura, të etur që të marrin frymë lirshëm"

Presidenti Donald Trump, bashkë me senatorët Tom Cotton dhe David Perdue, këtë javë publikuan detajet e Aktit të Reformimit të Imigrimit Amerikan për Punësim të Fortë (RAISE), që është një plan për luftimin e imigrimit ilegal në SHBA

Legjislacioni i ri i propozuar ka zhvendosur debatin e nxehtë rreth imigrimit nga diskutimi për një mur në kufirin jugor, për të cilin Meksika nuk do të paguajë kurrë, deri te diskutimi rreth Statujës së lirisë dhe te vlerat e vërteta të SHBA-së. Presidenti Donald Trump, bashkë me senatorët Tom Cotton dhe David Perdue, këtë javë publikuan detajet e Aktit të Reformimit të Imigrimit Amerikan për Punësim të Fortë (RAISE), që është një plan për luftimin e imigrimit ilegal në SHBA. Kritikët thonë se kjo është në kundërshtim me vetë Statujën e lirisë, e cila shërben si karrem dhe burim i shpresës për imigrantët që vijnë nga jashtë. Akti RAISE ka për qëllim që ta zvogëlojë numrin e imigrantëve të pakualifikuar për 50% dhe do ta zëvendësojë sistemin aktual, të bazuar te punësimi, me një sistem të bazuar te meritat, duke i klasifikuar imigrantët e mundshëm në bazë të cilësive të veçanta, sikur që është edukimi, njohja e gjuhës angleze, mosha dhe ofertat e punës. Demokratët e Kongresit e kanë cilë- suar këtë politikë si të turpshme, neveritëse dhe shëmbëlltyrë të mungesës së tolerancës në Shtëpinë e Bardhë.

Tradita amerikane

Gazetari i CNN-it, Jim Acosta, ka pyetur rreth kësaj politike këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë për siguri publike, Stephen Miller, duke përmendur "The New Colossus", poemën e gdhendur në Statujën e lirisë. E shkruar në vitin 1883, kjo vjershë thotë edhe këtë: "M'i jep masat e tua të varfra, të lodhura, e të ngjeshura, të etur që të marrin frymë lirshëm". Është e vërtetë që Amerika ka një traditë të ndershme të pranimit të njerëzve të përndjekur nga e mbarë bota - për këtë flet edhe poema në Statujën e lirisë. Ne vazhdojmë që t'i pranojmë të persekutuarit në bazë të Aktit të refugjatëve, të vitit 1980, edhe pse Akti RAISE do ta kufizojë numrin e atyre që do të pranohen. Akti RAISE nuk ka të bëjë me refugjatët, por me imigrantët që duan ta marrin kartonin e gjelbër. Por, politikbërësit tanë nuk mund ta injorojnë realitetin: numri i imigrantëve legalë ka tejkaluar shifrat e mëparshme. Elitat liberale thonë se duhet të vazhdojmë të pranojmë të varfrit e botës, sikur që kemi bërë gjithmonë dhe çdo gjë tjetër do të ishte diskriminuese. Problemi qëndron te fakti se të gjithë duan të vijnë në SHBA. Kur kemi një numër të madh të njerëzve pa kualifikim që vijnë në vend, ata dëmtojnë punëtorët e tillë që tanimë jetojnë këtu. Sipas të dhënave nga Departamenti i sigurisë kombëtare, më shumë se 1 milion imigrantë janë pranuar vitin e kaluar në SHBA për qëndrim të përhershëm; shumica prej tyre thuajse nuk kanë kualifikim dhe, sipas Shtëpisë së Bardhë, më shumë se 50% të të gjitha familjeve të imigrantëve marrin ndihma sociale, krahasuar me vetëm 30% të familjeve vendore. Edhe pse këto shifra janë kontestuar nga ca të tjerë, qëllimi përfundimtar i Aktit RAISE është që në SHBA të vijnë më shumë imigrantë, të cilët nuk do të duhet të mbështeten te ndihmat sociale dhe të cilët do të kontribuonin pozitivisht në ekonominë tonë. Anketat tregojnë se një e treta e amerikanëve janë në favor të zvogëlimit të gjithmbarshëm të numrit të imigrantëve.

Ëndrra amerikane 

Sistemi ynë i imigrimit duhet të tërheqë njerëzit e rinj dhe të shkolluar, të cilët mund të integrohen në shoqërinë amerikane më lehtë dhe të përqendrohet te bashkimi familjar i anë- tarëve të ngushtë, e jo të gjerë. Unë kam lindur dhe jam rritur në shtetin e senatorit Perdue, në Gjeorgji dhe gjatë 17 viteve të fundit kam jetuar në shtetin e senatorit Cotton, Arkanzas. Kam parë atë që shohin edhe ata: amerikanë të shumtë që duan dhe janë të gatshëm që të punojnë, të pasurohen dhe ta realizojnë ëndrrën amerikane. Akti RAISE ndihmon që kjo të bëhet realitet. Imigrimi nuk është një e drejtë, ai bazohet në një politikë mirë të debatuar dhe të vështirë. Është koha që të vendosim se çka është më së miri tani për Amerikën, e jo të përqendrohemi se çka thotë një vjershë e shkruar në fund të shekullit XIX. 

(Alice Stewart është komentatore politike e CNN-it) 

(Kosova Sot)