Socializmi i ri i budallenjve

Socializmi i ri i budallenjve
  • 10 August 2017 - 09:29

Shkruan: J. Bradford DeLong 

Rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të 'bumeve' ekonomike

Sipas teorisë kryesore ekonomike, globalizimi tenton që "t'i ngrejë të gjitha barkat", dhe ka pak ndikim në shpërndarjen e gjerë të të ardhurave. Por, "globalizimi" nuk është e njëjta gjë me eliminimin e tarifave dhe të barrierave të tjera tregtare. Sikur që thotë profesori i Universitetit, ekonomisti Dani Rodrik, teoria ekonomike parashikon që largimi i tarifave dhe barrierave të tjera jotarifore ndikon në rritjen e prodhimtarisë, por rezulton edhe me distribuime më të mëdha, derisa eliminimi i barrierave më të vogla stimulon redistribuimet më të mëdha krahasuar me fitimet neto. Globalizimi është i ndryshëm. Ai duhet që të kuptohet si proces gjatë të cilit bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur nëpërmes përparimeve teknologjike, të cilat ulin kostot e transportit dhe komunikimit.

Deficiti në prodhim

Kjo formë e globalizimit lejon prodhuesit e jashtëm që të eksportojnë mallra dhe shërbime në tregje të largëta, me një kosto më të ulët. Por, ajo po ashtu hap tregjet e eksportit dhe zvogëlon kostot për anën tjetër. Dhe, në fund, konsumatorët marrin më shumë mall, për më pak para. Sipas teorisë standarde ekonomike, ridistribuimi vjen në shprehje vetëm kur eksportet e një vendi kërkojnë faktorë shumë më të ndryshëm të prodhimit, sesa importet e tij. Por, në ekonominë e tashme globale nuk ka dallime të tilla. Në SHBA, një bilanc pozitiv financiar nënkupton se më shumë amerikanë do të punësohen në ndërtimtari, prodhimin e mallrave kapitale, si infermierë dhe ndihmës shtëpiakë. Ngjashëm me këtë, një bilanc pozitiv në shërbime nënkupton që më shumë amerikanë do të punojnë jo vetëm si këshilltarë me edukim të lartë në zyra, por, të themi, edhe si portierë dhe kujdestarë shtëpish në motelet jashtë Parkut nacional "Yellowstone". Në të njëjtën kohë, një deficit në prodhim mund të krijojë më shumë vende pune në prodhimtari jashtë vendit, në vendet ku kostoja e punës është relativisht e ulët krahasuar me kapitalin; por kjo shkatërron një numër relativisht të vogël të punës në SHBA, ku prodhimtaria tanimë është një industri intensive e kapitalit. Sikur që thotë ekonomisti i Universitetit Stanford, Robert Hall, më shumë amerikanë janë të punësuar në shitjen e automobilave, sesa në prodhimin e tyre. Mallrat që SHBA-ja i importon nga jashtë punësojnë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve pa zanat, por ato nuk zhvendosin një punë të përgjithshme fizike në Amerikë. Kështu, të paktën në teori, ndryshimi në punësimin në SHBA nga linjat e prodhimit e deri te ndërtimtaria, shërbimet dhe përkujdesja, mund ta ketë pasur një ndikim në distribuimin e përgjithshëm të të ardhurave në aspektin e gjinisë, por jo edhe të klasës. Pse atëherë ka ekzistuar një rezistim aq i fortë politik ndaj globalizimit në shekullin XXI? Unë i shoh katër arsye. 

Të huajt dhe imigrantët

Së pari dhe më së shumti, është lehtë për politikanët që, për problemet e vendit, t'i fajësojnë të huajt dhe imigrantët, të cilët nuk votojnë. Në vitin 1890, kur politikanët në Perandorinë Habsburge vazhdimisht fajësonin çifutët për probleme të ndryshme socio-ekonomike, disidenti austriak Ferdinand Kronawetter deklaroi se "Der Antisemitismus ist der Sozialismus der dummen Kerle": Antisemitizmi është socializëm për budallenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për antiglobalizimin. Së dyti, më shumë se një gjeneratë e një rritjeje ekonomike më të ngadalshme sesa që është pritur në veri të botës, ka krijuar një nevojë të fuqishme politike dhe psikologjike për 'kurbane'. Njerëzit kërkojnë një shpjegim të thjeshtë pse nuk janë duke e shijuar prosperitetin i cili dikur iu ishte premtuar dhe pse ekziston një dallim gjithnjë e më i madh midis atyre më të pasurve dhe të gjithë të tjerëve. Së treti, ngritja ekonomike e Kinës ka ndodhur në të njëjtën kohë me një periudhë në të cilën veriu i botës ishte duke u përpjekur që ta arrinte një punësim të plotë. Përkundër asaj që kanë thënë gjithmonë ithtarët e Friedrich von Hayek dhe Andrew Mellonit, rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të 'bumeve' me anë të të cilave vjen deri te një hiperproduktivitet i lartë. 

Prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë

Kështu, neoliberalizmi nuk kërkon vetëm tregje të hapura dhe garuese, ndryshime globale dhe stabilitet të çmimeve, por ai varet edhe nga një punësim i plotë dhe nga 'bumet' gati permanente, sikur që kishte thënë ekonomisti John Maynard Keynes në vitet 1920 dhe 1930. Në dekadat e fundit, rendi neoliberal ka dështuar që t'i sigurojë këto kushte, kryesisht për shkak se një gjë e tillë ka qenë e pamundur qoftë edhe me anë të politikave më të mira ekzistuese. Së katërti, politikëbërësit nuk kanë bërë mjaft për ta kompensuar këtë dështim me politika sociale më agresive dhe me një ridistribuim ekonomik dhe gjeografik. Kur presidenti amerikan Donald Trump tash vonë iu tha qytetarëve të NjuJorkut se duhet ta braktisin regjionin dhe të kërkojnë punë gjetiu, ai thjesht përsëriste politikanët e gjeneratës së kaluar të qendrës së djathtë nga veriu global. Dilemat aktuale politike dhe ekonomike të veriut global nuk janë aq të ndryshme nga ato të viteve 1920 dhe 1930. Sikur që kishte vërejtur Keynes atëherë, çelësi i zgjidhjes qëndron te prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë, ku më pas do të zhdukej numri më i madh i problemeve tjera. Dhe, sikur që thoshte ekonomisti austrohungarez, Karl Polanyi, është rol i qeverisë që të sigurojë të drejtat socioekonomike. Njerëzit besojnë se ata kanë të drejtë që të jetojnë në komunitete të shëndosha, të kenë vende stabile të punës dhe ta kenë një rrogë të denjë e cila rritet me kalimin e viteve. Por, këto të drejta të supozuara nuk rrjedhin vetvetiu nga të drejtat pronësore dhe pretendimet ndaj pasurive të mangëta natyrore. Kanë kaluar dhjetë vjet që nga kriza financiare globale dhe fillimi i "Recesionit të madh" në veriun global. Qeveritë ende nuk i kanë korrigjuar dëmet e shkaktuara nga këto ngjarje. Nëse ato nuk e bëjnë këtë së shpejti, atëherë "socializmat" e budallenjve do të vazhdojnë që ta bëjnë kërdinë në dekadat e ardhshme.

(J. Bradford DeLong është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkli) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)