A do ta bashkojë Trump Evropën?

A do ta bashkojë Trump Evropën?
  • 13 August 2017 - 11:09

Shkruan: Zaki Laïdi 

Përtej postimeve të tij bizare dhe të papërmbajtura, sfida që presidenti amerikan Donald Trump paraqet për Evropën është reale, por jo gjithmonë lehtë e definueshme. Ka dallime midis asaj që Trump thotë, asaj që bën administrata e tij dhe asaj që Kongresi e detyron presidentin të bëjë. Në fakt, jo më larg se javën e kaluar, Trumpit nuk i kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër, pos ta nënshkruante një projektligj për vënien e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, edhe pse vet kishte qenë shumë kundër një gjëje të tillë. Për më tepër, kapaciteti i BE-së për veprime kolektive dallon nga rasti në rast. Evropa mund të bashkohet në çështjet e pushtetit të butë, sikur që janë klima dhe tregtia; por siguria dhe mbrojtja e saj kryesisht varen nga marrëdhëniet franko-gjermane, të cilat kurrë nuk kanë qenë më të rëndësishme sesa sot.

Shqetësimet e BE-së për tregtinë

Trump lansoi një ofensivë kundër tregtisë multilaterale sapo e mori postin. Ai hoqi dorë nga Partneriteti transpaqësor (TPP) të përbërë nga 12 vende dhe e tërhoqi SHBA-në nga negociatat rreth Partneritetit transatlantik të tregtisë dhe investimeve (TTIP) me BEnë, gjë që do ta krijonte një treg të madh të përbashkët Atlantik-verior. Kjo ka bërë që BE-ja të shqetësohet, meqë ajo varet më shumë se SHBA-ja nga tregtia. Ndoshta për shkak të agjendës antitregtare të Trumpit, BE-ja tash vonë arriti një marrëveshje të re tregtare me Japoninë, më shpejt sesa që mund të ishte pritur; dhe ajo ka manifestuar gatishmëri për t'u hakmarrë nëse SHBA-ja ndërmerr masa për mbrojtjen e industrisë vendore të çelikut. Duket që Trump ka hequr dorë nga propozimet e tij të mëhershme për një taksë kufitare të përshtatshmërisë dhe ai mund të mos shkojë deri në fund në realizimin e retorikës së saj proteksioniste. Por, edhe nëse lihet anash skenari më i keq i mundshëm, Evropa do të mbetet në një gjendje të pasigurisë së thellë. Fundja, politikëbërësit nuk e dinë a duhet t'i besojnë retorikës së nxehur të Trumpit dhe këshilltarit të tij tregtar, Peter Navarro, ose fjalëve më pajtuese të Gary Cohn, ish -ekzekutivit të "Goldman Sachs", i cili tani udhëheq Këshillin ekonomik kombëtar të SHBA-së. Derisa Trump përqendrohet më shumë rreth çështjeve sekondare sikur që janë tarifat dhe deficitet, do të jetë e pamundur që SHBA-ja dhe BE-ja të themelojnë norma të reja të tregtisë globale. Por, BE-ja ende ka karta për të luajtur në çështje të tjera, sikur që janë ndryshimet klimatike. Sa për fillim, ajo do të vazhdojë që të udhëheqë pjesën tjetër të G20 në implementimin e marrëveshjes klimatike të Parisit, tani që Trump e ka tërhequr SHBA-në nga ajo marrëveshje. Dhe, ajo mund të punojë me shumë shtete dhe qytete të SHBA-së, si dhe me grupe të shoqërisë civile, të cilët mbesin të përkushtuar për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Integrimi i tregut energjetik evropian

BE-ja e ka edhe një mundësi për t'u bërë një lider global i energjisë që mund të përtërihet. Por, për të pasur sukses, ajo duhet ta integrojë tregun energjetik evropian duke harmonizuar politikat e nivelit nacional. Pa një strategji të përbashkët për vlerësimin e karbonit, BE-ja nuk do ta arrijë qëllimin e saj të lirimit neto zero deri në vitin 2050. Gjërat nuk janë kaq të qarta në frontin e sigurisë, sidomos duke pasur parasysh dallimet e mëdha midis retorikës së administratës së Trumpit dhe fakteve në terren. Për shembull, edhe pse Trump shfaqte admirim ndaj presidentit të Rusisë Vladimir Putin, ai nuk e shfuqizoi një vendim të marrë nga paraardhësi i tij në post, Barack Obama, për vendosjen e trupave amerikane në Poloni dhe në vendet baltike, nën mbikëqyrjen e NATO-s. Dhe tani, kur është përzier Kongresi, Trumpi nuk mundet njëanshëm t'i heqë sanksionet ndaj Rusisë. Për më tepër, Departamenti amerikan i Shtetit duket se dëshiron të riangazhohet me Ukrainën, edhe nëse një gjë e tillë nënkupton anashkalimin e disa anëtarëve të "Formatit të Normandisë", kryesisht Francën dhe Gjermaninë. Fatkeqësisht, mungesa e një politike koherente të SHBA-së ndaj Rusisë dhe Evropës, është duke shkaktuar pasiguri të reja. Për shembull, janë të shumtë ata në Gjermani që janë të shqetësuar rreth efektit të sanksioneve në sektorin energjetik të Rusisë, gjë që do të mund të ndikonte në Rrjedhën veriore 2 (Nord Stream 2), një gazsjellës i cili anashkalon Ukrainën për të dërguar gazin natyror direkt nga Rusia në Gjermani. Në të njëjtën kohë Polonia, kaherë e shqetësuar rreth tentimeve ruse për ta lidhur një aleancë energjetike me Gjermaninë, i ka mirëpritur sanksionet e reja. Kjo bën që rreziku të rritet edhe më shumë: në vend të nënshkrimit të një qëndrimi të përbashkët evropian vis- à-vis SHBA-së, vende të veçanta anëtare të BE-së mund të vendosin që të veprojnë si të vetme. Se a do ta bëjnë ato një gjë të tillë, me gjasë do të varet nga fuqia e aleancës franko-gjermane, e cila për një kohë të gjatë ka qenë motor i integrimeve evropiane. Franca ka më pak arsye sesa Gjermania që të shqetë- sohet rreth mos angazhimit amerikan. Në kohën kur si qeveria amerikane, po ashtu edhe ajo britanike, janë të zhytura në kaos, Franca, vend i përhershëm anëtar i KS të OKB-së do ta ketë një ndikim më të madh diplomatik në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Presidenti francez Emmanuel Macron nuk ka harruar se, në vitin 2013, Obama e poshtëroi Francën duke hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga 'vija e kuqe' rreth përdorimit të armëve kimike në Siri. Në këtë aspekt, Macron tanimë e ka rezervuar të drejtën e intervenimit në Siri nëse regjimi i Bashar al-Assadit përdor përsëri armë kimike.

Autonomia strategjike evropiane

Situata gjeostrategjike e Gjermanisë është më e rrezikuar, pa marrë parasysh pozitën e saj të fortë ekonomike. Shtyllat binjake të sigurisë gjermane janë garancia e mbrojtjes kolektive e NATO-s dhe një raport stabil me Rusinë. Tani që të dy këto aspekte janë në rrezik, sikur që janë edhe marrëdhëniet e Gjermanisë me qeverinë gjithnjë e më pak liberale të Polonisë. Gjermania përfundimisht duhet të pajtohet me idenë e autonomisë strategjike evropiane, të cilën është duke e promovuar Franca në mënyrë të hapur. Natyrisht, autonomia strategjike, për një kohë të gjatë tabu në Gjermani, do të duhet të zhvillohet edhe më tej, me anë të programeve ushtarake të përbashkëta franko-gjermane. Qeveria e Francës dhe ajo e Gjermanisë tash vonë kanë vendosur që të shkojnë përpara me një plan të përbashkët të prodhimit të një avioni luftarak, gjë që paraqet hapin e parë të mirë. Por, nuk duhet të presim që të shohim ndonjë të arritur spektakolare në një të ardhme të afërt. Në vitin 2018, Gjermanisë do t'i duhet që ta korrigjojë avionin e saj luftarak gjatë shtatë viteve të ardhshme. A do ta blejë ajo avionin francez "Rafale", në emër të solidaritetit evropian, apo do të përcaktohet për avionët amerikanë F-35 nga garantuesi tradicional i sigurisë së saj? Trump pa dashur ka krijuar mundësi reale për Evropën, e cila ngadalë është duke kuptuar se më nuk mund ta ketë një besim të pakushtëzuar ndaj Amerikës. Por, për t'u bashkuar në mënyrë efektive përballë rrezikut të përbashkët, evropianët së pari duhet t'i tejkalojnë instinktet e tyre nacionaliste, apo në rastin e Gjermanisë, ato anti-militariste.

(Zaki Laïdi është profesor i Marrëdhënieve ndërkombëtare në "L'Institut d'études politiques de Paris - Sciences Po")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)