A do ta sulmojë SHBA-ja Korenë e Veriut?

A do ta sulmojë SHBA-ja Korenë e Veriut?
  • 14 August 2017 - 14:50

Shkruan: Minghao Zhao

Donald Trumpit është duke i humbur durimi në lidhje me Korenë Veriore. Duke përdorur fjalë të ashpra, të pazakonshme për një president amerikan, Trump së fundmi përsëri tërhoqi vërejtjen se, nëse Penjani kërcënon përsëri SHBA-në me sulme, atëherë SHBA-ja do të reagojë me "një zjarr dhe zemërim të cilin bota nuk e ka parë ndonjëherë". Pa marrë parasysh se çfarë veprimi vendos që të ndërmarrë Trumpi, ai duhet ta kuptojë se me këtë jo vetëm se do ta rrezikonte deri në maksimum gadishullin korean, por do t'i përkeqësonte skajshmërisht edhe marrëdhëniet me Kinën. 

Testi ardhshëm bërthamor i Koresë Veriore

Dy provat më të fundit të raketave ndërkontinentale të Koresë Veriore, të bëra muajin e kaluar, sugjerojnë se ky vend tani e ka aftësinë që ta godasë SHBA-në kontinentale. Agjencia inteligjente amerikane e mbrojtjes ka ardhur deri te përfundimi se Koreja Veriore tanimë mund të ketë zhvilluar një kokë miniaturale bërthamore, e cila do të mund të bartet me një raketë të tillë. Ekspertët nga Universiteti "Johns Hopkins" presin që, çdo moment, të ndodhë një test i gjashtë bërthamor. KS i OKB-së tani në mënyrë unanime ka miratuar sanksionet më të ashpra deri më tani kundër Koresë Veriore, me shpresë që të ushtrojë presion ndaj këtij vendi të vogël, në mënyrë që ai të heqë dorë nga programi i prodhimit të armëve bërthamore. Rezoluta ndalon eksportimin e qymyrit, hekurit, xehes së hekurit, plumbit, xehes së plumbit dhe produkteve ushqimore të detit nga Koreja Veriore, të cilat së bashku përbëjnë të ardhura vjetore nga eksporti për 3 miliardë dollarë. Ajo po ashtu ua ndalon vendeve që të lëshojnë lejeqëndrime të reja punëtorëve nga Koreja Veriore, rrogat e të cilëve mendohet se do ta ndihmonin përpilimin e programeve dhe planeve bërthamore. Deri më tani nuk duket që sanksionet ta kenë arritur qëllimin e dëshiruar. Koreja Veriore ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj SHBA-së "me mijëra herë", duke përfshirë edhe sulmet kundër territorit të SHBA-së të quajtur Guam, i cili gjendet në Paqësorin verior, sikur që ka ritheksuar edhe vendosmërinë e vet që kurrë të mos heqë dorë nga arsenali i saj bërthamor. Ngjashëm me këtë, në Forumin regjional ASEAN të sapokryer në Manilë, ministri i Jashtëm i Koresë Veriore, Ri Yong-ho, ka vlerësuar se vendi i tij mund të mos marrë pjesë në negociatat rreth programeve të tij bërthamore dhe raketore, nëse SHBA-ja nuk heq dorë nga politika e saj armiqësore. Edhe SHBA-ja ka marrë një qëndrim po aq kokëfortë. Në një seancë të Komitetit të Senatit për punë të jashtme, kryesi i detyrës i asistentit të sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Azinë lindore, Susan Thornton, ka shprehur besimin e administratës se bisedimet nuk do ta bindin Korenë Veriore që të heqë dorë nga programi i saj bërthamor, edhe nëse asaj i bëhen koncesione ekonomike të shumëpritura. "Ne nuk do ta negociojmë mënyrën tonë të bisedimeve", ka thënë ajo. Në vend të kësaj, SHBA-ja ka punuar shumë për shtrëngimin e sanksioneve ndaj Penjanit, duke rritur izolimin ndërkombëtar të saj. Administrata Trump ka tentuar që t'i bindte Filipinet që ta përjashtonte Korenë Veriore nga Forumi ASEAN dhe është duke bërë presion ndaj Mianmarit që t'i suspendojë lidhjet ushtarake me Korenë Veriore. 

Opsionet e reagimit të mundshëm ushtarak

SHBA-ja ka pasur një sukses më të madh në ushtrimin e presionit ndaj Australisë, BE-së, Japonisë dhe aleatëve të tjerë të saj, për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Koresë Veriore. Sipas Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, BE-ja është duke shqyrtuar masa shtesë, duke përfshirë zvogëlimet e mëtejme në këmbimet financiare dhe tregtare. Qeveria e Japonisë ka vendosur që ta zgjerojë një ndalesë të hyrjes në këtë vend të zyrtarëve të Koresë Veriore, si dhe ta zgjerojë programin e saj të ngrirjes së aseteve për entitete dhe individëve që janë të lidhur me programin raketor dhe bërthamor të Koresë Veriore. Por, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tanimë ka deklaruar se shefat e bashkuar amerikanë të stafit, respektivisht kryesuesi i tyre, Joseph Dunford, si dhe komandanti amerikan i Paqësorit, Harry Harris, kanë biseduar me telefon me zyrtarin më të lartë ushtarak të Koresë Jugore, gjeneralin Lee Sun-jin, për të diskutuar rreth opsioneve të reagimit të mundshëm ushtarak. Për më tepër, forcat amerikane, japoneze dhe ato të Koresë së jugut, kanë bërë stërvitje të përbashkëta duke përfshirë edhe bombarduesit B-1B dhe asetet e tjera strategjike. Mesazhi është i qartë: SHBA-ja është e gatshme që të luftojë, po të ketë nevojë për një gjë të tillë. Natyrisht, evitimi i një lufte të tillë mbetet opsioni më i mirë botëror, një fakt që edhe administrata turbulente e Trumpit duket se e pranon. Por, kjo do të kërkojë një bashkëpunim nga Kina, vend të cilin administrata e Trumpit e ka tjetërsuar me të madhe. 

Rezervat kineze ndaj politikës amerikane

Në anën tjetër, Kina ka rezerva të mëdha në lidhje me politikën amerikane ndaj Koresë Veriore. Për shembull, Kina kundërshton ashpër vendosjen e sistemit antiraketor THAAD në Korenë Jugore, duke thënë se ai sistem rrezikon sigurinë e vetë Kinës. Për më tepër, Kina dënon "sanksionet sekondare" të vendosura nga SHBA-ja ndaj kompanive kineze dhe individëve të këtij vendi, për të cilët është konstatuar të kenë veprimtari ilegale me Korenë Veriore, duke i quajtur këto veprime kundër sovranitetit të saj. Por, demokrati kryesor i Senatit, lideri i pakicës Chuck Schumer, është gati që ta ashpërsojë këtë qasje, duke apeluar për ndaljen e investimeve direkte nga Kina. Dhe, kjo nuk është mënyra e vetme me të cilën Kongresi vepron kundër Kinës. Akti autorizues nacional i mbrojtjes, i vitit 2018, i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar, përfshin kërkesat për qeverinë e SHBA-së për forcimin e lidhjeve ushtarake me Tajvanin. mPrillin e kaluar, senatori John McCain tha se Koreja Veriore ia prezanton SHBA-së një 'krizë kubane të raketave, në lëvizje të ngadalësuar'. Kjo është një analogji e qëlluar, por një gjë e ka gabim: nuk ka më asgjë të ngadalshme në lidhje me këtë situatë. Administrata Trump do të bënte mirë që ta kuptonte këtë.

(Minghao Zhao është kërkues shkencor në Institutin "Charhar" në Pekin) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"Sot” 

(Kosova Sot)