Trump ka bërë kërcënime ogurzeza gjatë tërë jetës së tij

Trump ka bërë kërcënime ogurzeza gjatë tërë jetës së tij
  • 15 August 2017 - 09:50

Shkruan: Fareed Zakaria 

Si u bë që arritëm deri këtu? Pse duket sikur jemi buzë një lufte në Azi, në të cilën do të mund të përdoreshin armët bërthamore? Koreja Veriore ka dhjetë vjet që ka kapacitet për prodhimin e armëve bërthamore. A thua përparimet e saj të fundit kanë qenë aq dramatike dhe të rëndësishme, sa që ta detyrojnë SHBA-në në një luftë preventive? Jo. Kriza në të cilën gjendemi është ekzagjeruar dhe trajtuar gabimisht nga administrata Trump deri në atë masë, sa që është shqetësuese dhe e rrezikshme. Që nga fillimi, Shtëpia e Bardhë ka dëshiruar që të duket e ashpër ndaj Koresë Veriore. Në muajt e parë të administratës Trump, para se të kishte mundësi për një analizë serioze të politikës, sekretari i shtetit Rex Tillerson tërhoqi vërejtjen se epoka e durimit strategjik në lidhje me Korenë Veriore, ka marrë fund. Javën që shkoi, këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMaster, deklaroi se potenciali i Koresë Veriore për ta goditur SHBA-në me armë bërthamore, është një rrezik 'i patolerueshëm'. Paramendoni, jo përdorimi i armëve nga Koreja Veriore, por vetëm potenciali. SHBA-ja do të reagojë Natyrisht, Trump shkoi më së largu, duke deklaruar të martën se, nëse Koreja Veriore nuk pushon me kërcënimet e saj, ajo do të ndeshet me një "zjarr dhe zemërim të paparë ndonjëherë në botë". Kur u pyet të martën, Trump vetëm sa e rriti kërcënimin, duke thënë: "Nëse diçka, atëherë ajo deklaratë nuk ishte e ashpër sa duhej". Me fjalë të tjera, Trump e ka bërë të qartë se SHBA-ja do të reagojë ndaj kërcënimeve të Koresë Veriore me një sulm masiv ushtarak, me gjasë edhe me përfshirjen e armëve bërthamore. A është kjo e besueshme? Jo. SHBA-ja nuk do ta fillojë një luftë parandaluese bërthamore në Azi. Komentet e Trumpit pa dyshim se kanë tronditur aleatët më të afërt të Amerikës në regjion, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Kërcënimet boshe dhe retorika ekstreme vetëm sa e dobësojnë prestigjin dhe fuqinë amerikane. Pra, pse duhet ta bëjë këtë ai? Meqë kjo është forma e rëndomtë e veprimit të Trumpit.

Përgjatë tërë jetës së tij, Trump ka bërë premtime madhore dhe kërcënime ogurzeza - por, rrallëherë ka realizuar ndonjërin prej tyre. Reuters ka konstatuar se, derisa ai ishte në biznes, shpesh kërcënonte se do të padiste organizatat e lajmeve për shpifje, por hera e fundit kur ai me të vërtetë e bëri një gjë të tillë, ishte 33 vjet më parë, në vitin 1984. Trump thotë se kurrë nuk i zgjidhë paditë jashtë gjykatës. Në fakt, ai këtë e ka bërë të paktën 100 herë, sipas vlerësimit të "USA Today". Edhe në jetën e tij politike, Trump ka ndjekur strategjinë e njëjtë të kapardisjes. Në vitin 2011 ai kishte deklaruar se ka hetues të cilët "nuk mund të besojnë se çka janë duke zbuluar" rreth certifikatës së lindjes së presidentit Barack Obama dhe se, në një moment të caktuar, ai do të publikojë disa gjëra interesante. Ai nuk kishte asgjë. Gjatë kampanjës ai u përbetua se do ta etiketonte Kinën si manipuluese të valutave, do ta zhvendoste Ambasadën amerikane në Jerusalem, do ta detyronte Meksikën që të paguante për ndërtimin e murit në kufirin e saj me SHBA-në dhe do ta fillonte një hetim rreth Hillary Clinton.

Deri më tani, "nadha". Pasi që u zgjodh, ai ia bëri Kinës që të kuptonte se mund ta njihte Tajvanin. Por, pak javë pas marrjes së postit, ai 'e palosi'. Ai tha se dispononte me incizimet e bisedës së tij me drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James B. Comey. Natyrisht, ai nuk kishte asgjë. Koreja Veriore, fuqi bërthamore Edhe tani, derisa merret me një krizë bërthamore, Trump ka bërë pohime, të cilat munden me lehtësi të vërtetohen se janë false. Ai shkroi në rrjetet sociale se urdhri i tij i parë presidencial ishte 'modernizimi' i arsenalit bërthamor të vendit. Në të vërtetë, ai vetëm ndoqi një mandat të Kongresit për autorizimin e rishikimit të arsenalit, gjë që ende nuk ka përfunduar. Mos vallë ai mendon se koreanët e Veriut nuk e dinë këtë? Kur SHBA-ja bënte sehir derisa BRSS-ja e Stalinit prodhonte armë bërthamore, ajo ishte e kujdesshme në retorikën e saj. Kur ajo pa një lider shumë më të rrezikshëm, Mao Ce Dun, duke punuar drejt armëve bërthamore, Amerika ishte edhe më e kujdesshme. Mao insistonte se nuk i frikësohej një lufte bërthamore, meqë Kina edhe në atë rast do të kishte më shumë se të tjerët, për t'i mposhtur imperialistët perëndimor. Por, përkundër kësaj, administratat vijuese amerikane e kishin ruajtur gjakftohtësinë. Bota tanimë është duke jetuar me një Kore Veriore bërthamore. Nëse ky realitet nuk mund të ndryshohet me anë të negociatave dhe diplomacisë, atëherë do të lindë detyra e zhvillimit të një sistemi të fortë të mbrojtjes, të tillë sikur ai që ruajti paqen me Rusinë e Stalinit dhe me Kinën e Maos. Krekosja e presidentit mund ta rritë rrezikun e keqllogaritjes, apo ta shkaktojë një spirale të rrezikshme të politikës së lojës me zjarrin. "Mendoj që amerikanët duhet të flenë rehat natën, të mos kenë shqetësime rreth kësaj retorike të veçantë të ditëve të fundit", deklaroi Tillerson të mërkurën. Kjo ishte një deklaratë jo e zakonshme, ndoshta edhe e paprecedent. Sekretari i shtetit duket se u thoshte amerikanëve dhe botës, që ta injoronin retorikën, jo atë të diktatorit të Koresë veriore, por retorikë e shefit të tij, presidentit të SHBA-së. Me gjasë këtë gjë e kanë bërë ndihmësit e Trumpit gjatë tërë jetës së tij. Ata e dinë se parimi udhëheqës për të nuk ka qenë arti i sulmit, por arti i blofit. 

(Kosova Sot)