Fundamentalizmi politik i "Vetëvendosjes"

Fundamentalizmi politik i
  • 17 August 2017 - 08:33

SHKRUAN: ELHAMI QERIQI

Ideologjitë si fashizmi, nazizmi dhe komunizmi, ndonëse konsiderohen si ideologji të tejkaluara, dhe që i përkasin së kaluarës, të cilat patën pasoja deri në përmasa të asgjësimit masiv për njerëzimin, siç duket kanë gjetur strehë tek një segment i caktuar politik ne Kosovë! Lëvizja "Vetëvendosje" u lind dhe u krijua e brumosur me ideologji të shekullit të kaluar. Lideri "shpirtëror", Albin Kurti, adhurohet nga çdo anëtar i kësaj partie deri në përmasa të një "kulti" (kulti i individit është karakteristikë e liderëve komunistë). 

Një aktivist pa vetëdijen e tij fillon t'i ngjajë liderit në të folur...

Nëse i analizojmë me pak kujdes sjelljet dhe veprimet e "Vetëvendosjes" nuk ka se si të mos vërej elemente të nazizmit, fashizmit, elemente të revolucionit socialist në Rusi si dhe revolucionit kinez, dhe revolucioni kuban, madje Ernesto Che Guevara është simboli mitik i tyre. Për ta sensibilizuar dhe propaganduar "revolucionin" VV-ja, përveç literaturës me përmbajtje të tilla, ajo improvizon edhe teatro për shikimin e filmave me përmbajtje revolucionare. Nëse e veneron (vëren) një aktivist të VV-së sheh se sa pasoja dhe sa gjurmë ka lënë kulti i liderit të tyre, Albin Kurti. Aktivisti i VV-së pa dashje është një person ku brendapërbrenda tij nuk ekziston "vullneti i lirë" i individit, përpos liderit, vullnet të cilin edhe teologët më fanatikë e pranojnë se ekziston, pra një aktivist pa vetëdijen e tij fillon t'i ngjajë liderit në të folur, në sjellje, në gjykime, në veprime madje edhe në pamjen e jashtme. 

Militarizimi i shoqërisë

Dhe dalëngadalë njerëz të tillë potencialisht të dhunshëm përpiqen të imponojnë agjenda të tilla, qoftë edhe përmes dhunës. Ky proces në një të ardhme të afërt mund të jetë me pasoja të renda, sepse "kulti i individit" nuk është i determinuar për të qenë i kufizuar në një parti apo lëvizje të caktuar, pasi personat e "adhuruar", dhe te "kultizuar" përpiqen që edhe natyrën ta nënshtrojnë dhe ta detyrojnë ndaj vetvetes dhe kjo ndodh për shkak se individi, i cili merr përmasa të "kultit", fillon të besojë se posedon dije dhe fuqi mbinjerëzore dhe në këtë mënyrë edhe sjellja e tij do të jetë prej despotit. Pra, në një të ardhme të afërt shoh rrezikun e një lëvizjeje, siç është VV-ja me ambicie përtej garës për pushtet, që nënkupton militarizimin e shoqërisë në përgjithësi, ngjashëm siç ndodhi me ideologjitë e shekullit të kaluar, pse jo edhe të erdoganizmit së fundmi si një lëvizje neo-osmane.

(Kosova Sot)