Si mundet Trumpi t'i përmirësojë raportet midis SHBA-së dhe Rusisë?

Si mundet Trumpi t'i përmirësojë raportet midis SHBA-së dhe Rusisë?
  • 17 August 2017 - 09:52

Shkruan: Josh Rogin 

Disa pjesë të arkitekturës ruso-amerikane për kontrollimin e armatimit dhe mosproliferimin janë duke u dëmtuar për shkak të kombinimit të një sjellje të keqe të Rusisë dhe të neglizhencës amerikane. Pyetja që shtrohet është se a e ka ekipi i Trumpit vullnetin dhe aftësinë për korrigjimin e këtyre dëmtimeve para se të rrëzohet tërë struktura. Këto përpjekje komplikohen edhe më shumë nga fakti që marrëdhëniet ruso-amerikane janë në një pikë të ulët historike, pas përzierjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, intervenimit rus në Ukrainë dhe eskalimit të sanksioneve ekonomike dhe hakmarrjes diplomatike. Komuniteti i kontrollimit të armatimit është duke nxitur administratën Trump që të punojë me Rusinë për të adresuar problemet e mëdha, para se të bëhet tepër vonë. Por, disa republikanë në Kongres janë të etur që të ballafaqohen me Rusinë në fushën e kontrollit të armatimeve, bile edhe të bëjnë që SHBA-ja të tërhiqet nga këto marrëveshje. 

Transparenca ndaj aleatëve të Amerikës

Për presidentin Trump, i cili këto marrëveshje i konsideron të këqija, shpëtimi i tyre është punë e vështirë. Por, ai duhet të shqyrtojë me kujdes përfitimet që sjellin këto marrëveshje para se t'i hedhë ato tutje. "Vazhdimi i tensioneve me Moskën e ka rritur rrezikun që të shembet një arkitekturë e kontrollimit bërthamor dhe të armëve, të ndërtuar nga Bush, Reagan dhe Obama", thotë Daryl Kimball, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për kontrollin e armëve. Javën që shkoi, disa fluturake të paarmatosura të Forcës ajrore ruse fluturuan mbi Pentagon, CIA dhe mbi qendra të tjera të ndjeshme për sigurinë kombëtare, duke alarmuar shumë amerikanë. Por, shumë amerikanë, bile edhe zyrtarë në Uashington, nuk janë në dijeni të Traktatit të Qiejve të Hapur, e cila ka mundësuar që SHBA-ja, Rusia dhe 32 vende të tjera të fluturojnë mbi territorin e njëri-tjetrit, që nga viti 2002. Sipas Departamentit të Shtetit, ka vite që Rusia është duke e shkelur këtë marrëveshje, gjë që konfirmohet edhe nga sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe nga Senati. Rusia nuk lejon fluturimin mbi zonat kyçe të territorit të saj, si dhe ndërmerr hapa të tjerë, me qëllim të pengimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera nga realizimi i të drejtave të tyre që dalin nga marrëveshja. Disa në Kongres duan që SHBA-ja të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke vënë kufizime në fluturimet ruse. Disa liderë ushtarakë do të preferonin heqjen e tërësishme të marrëveshjes, për shkak të informatave të cilat Rusia është në gjendje që t'i mbledhë, për shkak të përparimeve teknologjike. Zyrtarët e administratës Trump janë duke e konsideruar Traktatin e Qiejve të Hapur si pjesë të rishikimit të përgjithshëm të politikës së mos proliferimit. Ata nuk duhet të harrojnë se kjo marrëveshje mundëson një transparencë të Rusisë jo vetëm ndaj SHBA-së, por edhe ndaj aleatëve të Amerikës. 

Shkelja e marrëveshjes

Po ashtu, Kongresi planifikon që së shpejti të konfrontohet me Rusinë edhe në lidhje me Marrëveshjen rreth forcave bërthamore me rreze të ndërmjetme, apo INF. Ka vite që Rusia është duke e shkelur këtë marrëveshje, duke zhvilluar dhe duke vendosur një raketë të re që rrezikon Evropën dhe që thyen parimet e marrëveshjes. Të dy versionet e projektligjit autorizues të mbrojtjes, si ai i Senatit, po ashtu edhe ai i Dhomës së Përfaqësuesve, do të siguronin me dhjetëra miliona dollarë për SHBA-në, që të zhvillojë raketën e vet, duke bërë që edhe SHBA-ja ta shkelë këtë marrëveshje. Demokratët e Senatit janë duke planifikuar që ta luftojnë këtë provizion pasi që projektligji të shkojë në Senat, muajin e ardhshëm. Në nëntor, Departamenti i shtetit i Barack Obama's ishte takuar me Rusinë në lidhje me marrëveshjen INF. Bisedimet nuk kishin dhënë fryte, por tani janë në veprim e sipër përpjekjet e reja për të rifilluar negociatat midis dy vendeve. Nënsekretari i Shtetit, Thomas Shannon, është takuar me homologun e tij rus, Sergei Ryabkov, më 18 korrik në Uashington dhe janë marrë vesh që të mbajnë "Bisedime të stabilitetit strategjik" në një të ardhme të afërt. Thomas Countryman, zyrtari i Departamentit të Shtetit për këtë çështje, më ka thënë se nëse Kongresi bën që SHBA-ja ta shkelë marrëveshjen, apo nëse Trump do të tërhiqej nga ajo marrëveshje, atëherë vendi do të humbte shumë. "Dhënia fund kësaj marrëveshjeje nuk do të bënte asgjë për ta rritur sigurinë tonë kombëtare", tha ai, duke shtuar se, një gjë e tillë do të ishte një fitore publike për Rusinë, prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që ta ndjekim një zgjidhje më pak radikale. Shannon dhe Ryabkov po ashtu janë deklaruar për vazhdimin e konsultimeve në kuadër të marrëveshjes së re START, e cila kufizon vendosjen e armëve bërthamore me rreze të gjatë. Kjo marrëveshje, e cila skadon në vitin 2021, po ashtu është në rrezik. Dakordimi për vazhdimin e saj tani do ta rriste besimin afatgjatë te kjo marrëveshje dhe do të ndihmonte në stabilizimin e raporteve, thotë Countryman. Në telefonatën e parë pas inaugurimit të presidentit Trump, presidenti rus Vladimir Putin propozoi një zgjatje të një START-i të ri, por Trump kishte refuzuar një gjë të tillë, duke e quajtur atë një marrëveshje të keqe. Më pas, ai kishte bërë pauzë, për t'i pyetur ndihmësit e tij se çka ishte ajo. Pika e ulët në raportet e dyanshme nuk është shkaktuar nga sjellja e keqe ruse në lidhje me kontrollimin e armëve; por nga përzierja e Rusisë në demokracinë tonë. Por, duke u marrë me çështjet e kontrollit të armëve duke përdorë diplomacinë e ashpër, në bashkëpunim me aleatët, do të bënte që Trump ta arrinte atë që thotë se dëshiron më së shumti - një rrugë kah përmirësimi i marrëdhënieve. Përgjatë procesit, ai po ashtu do të mund ta evitonte një garë të re të armatimit. 

(Kosova Sot)