Të formohen komisione shtetërore për uzurpatorët

Të formohen komisione shtetërore për uzurpatorët
  • 20 August 2017 - 08:13

Shkruan: Reshat Badallaj - Zhuriani

 

Menjëherë pas luftës, Kosovës akoma gjaku pa iu larë dhe dielli pa e tharë, iu turrën si llavë ujqish për të uzurpuar, vjedhur dhe copëtuar. Profiterët nga fshatrat e thella ku edhe dreqi nuk bën ve, zbritën në "shehër" për të uzurpuar pronat jo vetëm të serbëve, gjakësorëve, pushkagjinjve që kishin bërë hata e kasaphane në Kosovë, po edhe pronave shtetërore për t'u pasuruar padrejtë- sisht dhe hajnisht dhe duke dëmtuar rëndë shtetin. Uzurpatorët e pamoralshëm tokash shtetërore që i uzurpuan dhe ndërtuan shtëpi po ashtu me para të vjedhura nuk kanë fare turp dhe shëtisin lirë nëpër rrugë, duke harruar se janë hajna të pasuruar pa djersë dhe me haram. Bile, pa fije turpi edhe përmendin UÇK-në, luftën. Do të pyesja për cilën UÇK dhe për cilën luftë flet ti bre hajn? Mendoni se populli nuk e di se nuk kishe as bukë për të ngrëne dhe tani hiqesh si patriot. Turp të qoftë!

Kosova ishte pa zot shtëpie

Por, jo vetëm kaq, këta hajna, profiterë dhe matrapazë edhe nëpër ndërtesa shtetërore, ata të cilët ishin krejt në fund, në kulm, kanë prishur pa leje, me leje të Ali babës dhe kanë vazhduar katin më lartë. Bënin sallamadi nëpër Kosovë. Kosova ishte pa zot shtëpie. Nuk interesoheshin si të shkojë vendi përpara. Poenta kryesore e tyre ishte si të vidhet, si të pasuroheshin jashtëligjshëm me vjedhje, të uzurpoheshin jo vetëm për vete, por edhe për motra e vëllezër. Si të doni dhe kush të dojë, ne jemi të gatshëm të japim edhe emra. Jo se nuk e di Prokuroria, por ata heshtin si gjyshe memece, ose ua kanë mbushur xhepat me para, ose nuk guxojnë nga frika, edhe pse e kanë dhënë betimin për të mbrojtur interesat shtetërore dhe të qytetarëve të saj. Shumë prokurorë mjerisht vijnë nga garnitura tradhtare e qenit plak, Titos, dhe kasapit Slobodan Milosheviq, që do të thotë të kesh punuar në kohën e qenit plak Titos, është kolera dhe murtaja e zezë, e dalë nga hiri i zezenajes kombëtare. Doemos se janë spiunë, tradhtarë dhe langonj të pushtuesit pa më të voglin dyshim. Shumë egër kanë uzurpuar pronat shtetërore, edhe pse kanë tokë e plang nëpër vendet malore nga kanë ardhur. Bile, ka shumë sosh nga këta langonj që pronat e tyre i kanë shitur për para të majme dhe janë pasuruar duke ndërtuar shtëpi në pronën publike, bile kanë blerë edhe vetura luksoze, duke shitur mend nëpër "shehër", me syze të errëta dielli që bajgën në asfalt ia qesin bakllava dhe hiqet atdhetar burri i botës. Ore uzurpator, ore hajn, shiko veten në pasqyrë se çfarë surrati ke.

Fara e ndryrë e hajdutëve

Për të ndalur këto uzurpime të egra, për t'u pasuruar buxheti i shtetit me miliarda euro doemos duhet të FORMOHEN KOMISIONE SHTETËRORE KUNDËR UZURPATORËVE, që kanë uzurpuar pronat publike. Ka pasur që janë bërë edhe vrasje në mungesë të shtetit dhe të ligjit. Vagabondët kanë shitur edhe toka të huaja dhe uzurpatorët duke mbrojtur tokën e vjedhur, me budallaki janë vrarë. Nga anët tona, në Zhur, të krahinës së Lumës, askujt nuk i vinte keq dhe thonë:"Si e kanë lypur, ashtu e kanë gjetur". Kjo bandë qeveritare, kuislinge ka ulur në sistemin e drejtësisë si shkrova më lartë këlyshët e Titos, Slobodan Milosheviqit dhe të bandës së rrahmanzinjve dhe nga kjo garniturë vagabondësh nuk pritet asgjë, por në të ardhmen është i domosdoshëm një komision i fortë shtetëror, për t´i konfiskuar tokat e vjedhura të uzurpuara të pronës shtetërore, ose të paguajnë dhe assesi të dalin të palagur hajnat, profiterët që disa pa fije marre hiqen edhe si patriotë, merreni me mend! Shpresojmë se në të ardhmen në këtë shtet do të vijnë gjenerata të vetëdijësuara që ia duan të mirën Kosovës, gjenerata që vërtet të kenë interes për vendin, të mbrojnë interesat shtetërore dhe jo të hajnave dhe uzurpatorëve. E di se pa u larguar kjo jashtëqitje aktuale e kombit, zor se do të bëhet, por do të bëhet herët a vonë dhe të vihen para drejtësisë uzurpatorët dhe hajnat e shtetit dhe të popullit. Të vihen para grilave, t´u merret pos shtëpisë edhe jorgan e dyshek, lugë e vorbë, çanak e tepsi. Asgjë të mos u lihet. Do të vijë dita që të gjithë do të bëjnë me gishtin tregues:Ja ky është hajn, ky është uzurpator. Do të vijë dita që edhe fëmijët e tyre do të turpërohen me hajninë që ua ka lënë babai uzurpator dhe hajn. Ne kurrë nuk duhet lënë rehat këtë farë të ndyrë hajdutesh e tradhtarësh. Zotin Dorëzan! Kaq për këtë fundjavë nga unë, Reshat BADALLAJ-Zhuriani. Kësmet shihemi në ditët në vijim.

Për këto që shkruaj e flas, mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot)