Mënyra e gabuar për parandalimin e luftës bërthamore

Mënyra e gabuar për parandalimin e luftës bërthamore
  • 20 August 2017 - 22:05

Shkruan: Carl Bildt 

Një shumicë e madhe e vendeve, me të drejtë, duan ta eliminojnë rrezikun ekzistencial nga katastrofa bërthamore. Por, arritja e një bote të lirë nga armët bërthamore është më lehtë të thuhet, sesa të bëhet dhe, ekziston rreziku që, disa prej përpjekjeve për ta arritur një gjë të tillë, të dëshmohen si të dështuara. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, stoqet bërthamore nëpër botë janë zvogëluar ndjeshëm. Rusia dhe SHBA-ja, që të dyja kanë reduktuar arsenalin e tyre bërthamor për 80% dhe, gjatë presidencës së Barack Obama-s, SHBA-ja ka apeluar te Rusia për një zvogëlim edhe më të madh. Në Evropën perëndimore, Britania dhe Franca i kanë zvogëluar edhe më shumë arsenalet e tyre bërthamore, edhe ashtu tepër të vogla. Këto vende kanë arsye të ndryshme për ta bërë një gjë të tillë. Por, si nënshkruese të Traktatit për mos proliferimin e armëve bërthamore (NPT), ato janë edhe të obliguara që ta bëjnë një gjë të tillë. Gjatë viteve të fundit, ka ngecur progresi kah çarmatosjes bërthamore. Rusia aktualisht është duke i modernizuar forcat strategjike bërthamore dhe ka filluar që ta përmend më shpesh në publik kapacitetin e saj bërthamor. Kjo shpjegon pse kanë ngecur përpjekjet për ta zvogëluar arsenalin bërthamor në Evropën perëndimore. SHBA-ja nga ana e vet po ashtu është duke shqyrtuar opsionet për modernizimin e arsenalit të vet bërthamor. 

Rreziku nga kundërsulmi bërthamor

Ndërkohë, Pakistani ka vazhduar me prodhimin e materialeve fisive, që përdoren për prodhimin e armëve bërthamore. Përpjekjet për ta bërë Lindjen e Mesme vend pa armë bërthamore nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, kryesisht për fajin e Izraelit. Bashkësia ndërkombëtare nuk mundi të merrej vesh rreth një rishikimi të NPT-së, në konferencat e mbajtura në vitet 2005 dhe 2015. Dhe, natyrisht, ambiciet bërthamore të Koresë Veriore ka krijuar një krizë tjetër bërthamore në Azinë Lindore. Në kuadër të kësaj prapavije, një bllok i madh i vendeve kanë propozuar një Marrëveshje të gjerë rreth ndalimit të armëve bërthamore, një draft i të cilës tanimë është mbështetur nga 122 shtete, anëtare të OKB-së, në fillim të qershorit. Fatkeqësisht, ajo që filloi si një përpjekje e vlefshme humanitare, kulmoni me disa propozime tepër të mangëta. Tri aspekte bien në sy. Së pari, meqë asnjëri prej shteteve bërthamore nuk mbështetin një marrëveshje për ndalimin e armëve bërthamore, propozimi aktual, vetvetiu, nuk mund ta çlirojë vendin as edhe nga një kokë e vetme bërthamore. Edhe më keq, marrëveshja e re mund ta rrezikojë NPT-në, i cili, përkundër të metave të veta, gëzon një mbështetje të gjerë, duke përfshirë edhe atë të pesë vendeve anëtare të KS të OKB-së. Përfundimisht, duke trajtuar konceptin e përmbajtjes së zgjeruar bërthamore si ilegale, apo të paktën, jo morale, draft marrëveshja në fakt mund ta rrezikojë sigurinë në Evropë dhe Azinë lindore. Draft marrëveshja fillestare, e cila ishte prezantuar më herët, këtë vit, nuk përfshinte një gjuhë e cila në mënyrë eksplicite ndalon përdorimin e armëve bërthamore si mjet frenues. Por, versioni të cilin e votuan vendet në korrik, e bëri këtë. Ky paraqet një ndryshim kritik. Rreziku nga kundërsulmi bërthamor është ai që i ndalë vendet nga përdorimi i armëve bërthamore. Dhe, e ashtuquajtura përmbajtje e zgjeruar nëpërmes aleancave, është ajo që mbron shtetet jo bërthamore nga kërcënimet e shteteve bërthamore. Pa një frenim të zgjeruar, vendet jo bërthamore do ta shihnin të arsyeshme që edhe vet të prodhonin armë bërthamore. Mu për këtë shkak Holanda, vendi i vetëm i NATO-s që merr pjesë në zhvillimin e marrëveshjes për ndalimin e armëve bërthamore, në fund votoi kundër saj. Japonia, vendi i vetëm që është sulmuar ndonjëherë me armë bërthamore, po ashtu e ka përmbajtur mbështetjen për këtë marrëveshje, meqë ajo mbështetet te një mbrojtje e zgjeruar bërthamore nga SHBA-ja. Pa një mbrojtje të tillë, Japonia do të ishte tërësisht e ndjeshme ndaj kërcënimeve bërthamore kineze dhe nga sulmet me raketa nga Koreja veriore. Në fakt, meqë diplomacia dhe sanksionet e rënda nuk i kanë dhënë fund programit bërthamor të Koresë veriore, atëherë përmbajtja bërthamore është si mënyra e vetme praktike për mbrojtjen e vendeve të Azisë Lindore nga kërcënimet, apo sulmet me armë bërthamore. Ngjashëm me këtë, pjesa më e madhe e vendeve evropiane - duke filluar nga Finlanda e deri te Portugalia - nuk do të donin të gjendeshin nën hijen e kokave bërthamore ruse, pa u mbrojtur nga ndokush. 

Zhvillimi i mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve

Duke ndaluar përmbajtjen, draft marrëveshja mund ta bëjë botën edhe më pak të sigurt sesa që është tani. Natyrisht, mbështetësit e marrëveshjes thonë se ajo do ta rritë marrëveshjen publike për një ndalesë të armëve bërthamore, me kalimin e kohës, duke i detyruar qeveritë e vendeve bërthamore, që të heqin dorë nga arsenali i tyre. Por, ky është një naivitet i madh. Askush që ka lidhje me realitetin, nuk mund të besojë seriozisht se qeveritë e vendeve si: Kina, Izraeli, Pakistani dhe Rusia, thjesht do të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore, vetëm pse opinioni publik është kthyer kundër tyre. Një qasje më realiste do të ishte ndjekja e zvogëlimit të mëtejmë të armëve bërthamore, si në SHBA po ashtu edhe në Rusi, ku rreziqet serioze ende kanë nevojë që të adresohen. Për këtë qëllim, është vitale që asnjë vend të mos e modernizojë arsenalin e vet bërthamor në atë mënyrë që mund të shihet si zgjerim i aftësive bërthamore. Në vend të kësaj, ato duhet ta përgatisin terrenin për zvogëlime të mëtejme. Në Lindjen e Mesme përfundimi i konflikteve aktuale dhe zhvillimi i mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve mund të ndihmojë në rrugën drejt një gjendjeje pa armë bërthamore, me kalimin e kohës. Në këtë aspekt, marrëveshjet bërthamore midis Iranit dhe P5+1 (pesë vendeve anëtare të përhershme të KS të OKB-së, plus Gjermania), paraqet një hap të parë të rëndësishëm. Sa i përket Azisë Jugore, mbetet të shpresojmë se një "détente" midis Indisë dhe Pakistanit do ta lehtësojë një kontroll më të mirë të armëve bërthamore edhe nëse hija e Kinës, e cila armët bërthamore i sheh si pjesë të vendit të saj në botë, do të vazhdonte të qëndronte mbi Indinë. Në fund, një çarmatosje e plotë bërthamore me gjasë nuk mund të arrihet me një Big Bang të vetëm. Botës mund t'i ndihmohet më shumë nga një qasje graduale, të bazuar te NPT-ja, te zvogëlimi strategjik i armëve nga fuqitë e mëdha dhe nga zgjidhja e konflikteve në regjionet kryesore. Në rastin më të mirë, marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore, do të jetë vetëm një reklamë. Por, ka arsye për t'u frikësuar se ajo do t'i komplikojë përpjekjet aktuale për zvogëlimin e mëtejmë të arsenalit bërthamor, do t'i thellojë ndarjet midis shteteve bërthamore dhe jo bërthamore dhe, në rastin më të keq, do ta rritë edhe rrezikun nga konflikti bërthamor në regjionet kryesore. (Carl Bildt aktualisht është kryesues i Komisionit global për qeverisje në internet dhe anëtar i Agjendës globale të Këshillit për Evropë të Forumit ekonomik botëror) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)