Serbia bëri gjenocid, Beogradi kërkon llogari nga viktimat dhe ndarjen e Kosovës!

Serbia bëri gjenocid, Beogradi kërkon llogari nga viktimat dhe ndarjen e Kosovës!
  • 23 August 2017 - 08:03

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Këtë të vërtetë të pakontestueshme dhe të pamohueshme se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë (1999), qysh para 18 vitesh, para gjithë botës e ka pohuar edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton (shpëtimtari i Kosovës), duke nënvizuar se : " The Kosovo crisis was a genocide in the heart of Europe".(Robert Jackson, The Covenant, Oxford University Press, London, 2000, p.281). Dorën në zemër, kjo e vërtetë mbi gjenocidin serb në Kosovë, gjatë 18 vjetëve të shkuar (1999-2017), do të duhej të ishte objekt debati si për qeveritë e derisotme të Kosovës, ashtu, edhe për OKBnë, për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe për Tribunalin e Hagës, jo statusi i minoritetit serb, as i pronave, e as i manastireve serbe, sepse këto nuk janë të rrezikuara nga askush në Kosovë. Një "temë" e këtillë e "diskriminimit" të minoritetit serb dhe të kishës së tyre ortodokse në Kosovë, është gënjeshtra më e madhe dhe më turpshme , e shpifur në kohë paqeje në Kosovë nga ana qarqeve politike, shtetërore dhe kishtare të Serbisë (1999- 2017), me qëllim që të ndikohet te faktorët dhe institucionet e bashkësisë ndërkombëtare (OKB dhe BE), që të revidojnë politikën dhe qëndrimet e tyre ndaj shtetit të ri të pavarur të Kosovës, në favorin e politikës kolonialiste serbomadhe, gjë që e gjithë kjo fushatë politikopropagandistike dhe diplomatike e Beogradit zyrtar dhe e Moskës (edhe pas pavarësimit të Kosovës, 17 shkurt 2008) po "justifikohet" duke u thirrur në respektimin e Rezolutës 1244 të KS të OKBsë, sipas së cilës, Serbisë si sukcesore e ish-RSFJ-së, i njihet e drejta mbi Kosovën si "pjesë e saj".

Amnistohet gjenocidi serb, trillohet "spastrimi etnik" nga shqiptarët në Kosovë!?

"Amputimi" i kësaj akuze perfide dhe të rreme, në adresën e shqiptarëve të Kosovës, është fabrikuar në "kuzhinën politike" të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, sikurse shumë shekuj më parë, duke mos ndryshuar asgjë në strategjinë dhe në taktikën teorike dhe praktike për shfarosjen e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në pjesën e saj lindore të Shqipërisë Etnike (1878-2017). Kjo politikë antishqiptare e qeverisë dhe e Kishës politike serbe, nuk është kurrfarë befasie për shqiptarët e Shqipërisë Etnike, por është edhe një mashtrim, edhe një gënjeshtër, edhe një manipulim më shumë, edhe për opinion publik serb, edhe për Ballkanin, edhe për Evropën, edhe për bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që Serbia, të mos thirret në përgjegjësi penale ndërkombëtare për shkak të kryerjes së gjenocidit të saj në Kosovë (1998-1999). Sa më sipër, ndërrimi i tezave dhe i argumenteve të qëndrueshme, që në mënyrë të dokumentuar e provojnë kryerjen e gjenocidit serb në Kosovë, gjithashtu, është në funksion të përpjekjeve dhe të luftës se ethshme propagandistike, politike dhe diplomatike serbomadhe të Beogradit dhe të KOS-it, që Kosovën ta "rikthejnë" nën suverenitetin mbretërorkomunist të Serbisë kolonialiste (1912-1999). E gjithë kjo luftë për zhbërjen e atributeve shtetërore të Republikës së pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008) po zhvillohet në trekëndëshin Beograd-Moskë-Nju-Jork. Ky është fatalitet dhe paradoks i papranueshëm për drejtësinë, për të drejtën ndërkombëtare dhe për rendin e ri juridik pozitiv ndërkombëtar.-Në vend se Serbia të ivestigohet dhe të ndëshkohet për tri gjenocidet e saj, të kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1991- 1999), kjo po trajtohet si "viktimë", jo si agresor!?

Kurrë nuk ka pasur, as nuk ka "spastrim etnik" të minoritetit serb, por gjenocid dhe kolonizim të Kosovës nga ana e Serbisë së Madhe (1878- 1999)

-Kjo është e vërteta, të cilën serbomëdhenjtë dhe Serbia së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, kurrë nuk e kanë pranuar para bashkësisë ndërkombëtare, por në vijimësinë shekullore, gjithmonë kanë falsifikuar dhe ndërruar tezat historike, politike, propagandistike dhe diplomatike shkencore , duke ndërruar rolin e viktimës dhe të agresorit. "Viktimë" e quajnë vetën e tyre, kurse "agresor" i quajnë shqiptarët!? Këtë gënjeshtër dhe falsifikim historik shekullor të agresorëve dhe pushtuesve serbomëdhenj, së fundi, në kohën më të re, gjatë dekadës së fundme të shekullit XX (1989-1999), para Evropës dhe para gjithë botës, e përgënjeshtruan tri gjenocidet e Serbisë së Madhe kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Pra, kjo është e vërteta se agresor dhe pushtues gjenocidal me bagazh dhe me hipotekë shekullore, ishte Serbia dhe serbët, kurse viktima, ishin kroatët (Kroacia), boshnjakët myslimanë(Bosnja) dhe shqiptarët(Kosova).

Serbia ishte agresore, shqiptarët viktimë

Këtë të vërtetë, se serbët ishin agresorë dhe se Serbia bëri gjenocid në Kosovë (1998/1999), e pohoi edhe ishzëvendëskryeministri i parë dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi(aktualisht president i Kosovës) në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara( 21 gusht 2015) me rastin e shqyrtimit të Raportit të rregullt për Kosovën, të paraqitur nga ishSekretari i Përgjithshëm i OKBsë , Ban Ki-Moon, duke vënë në dukje se " Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Ushtria e këtij shteti ka bërë krime gjenocidi në Kosovë; janë dhunuar mbi 20.000 gra; ka shkatërruar mbi 300 objekte fetare, ka djegur mbi gjysmën e Kosovës në vitet 1998-1999 ka shpërngulur me dhunë mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës. Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur edhe nga intelektualët serbë. Thjesht dhe qartë kjo luftë e Serbisë ishte një fashizëm i pastër." Kjo e vërtetë e pakundërshtueshme, e pohuar nga Hashim Thaçi, me çdo kusht, do të duhej të ishte objekt shqyrtimi, edhe në shkallë vendore ( të qeverisë dhe të parlamentit të Kosovës), edhe në shkallë evropiane (BE, OSBE), edhe në atë ndërkombëtare (OKB), jo të përfillej politika dhe diplomacia intrigante, shpifarake dhe mashtruse, se gjoja në Kosovë (në kohë paqeje) " sundon terror dhe spastrim etnik" ndaj minoritetit serb (1999-2017). Përkundrazi, e vërteta është krejtësisht ndryshe (të cilën e di edhe BE-ja, edhe OKB-ja), sepse gjatë viteve 1999-2017, Beogradi zyrtar përmes strukturave të ndryshme kriminale të sigurisë, të policisë etj., kanë spastruar etnikisht pjesën veriore të Kosovës, duke i shpërngulur mbi 90% të shqiptarëve me dhunë, me terror dhe me grabitje të pasurisë së tyre.

Serbia e ndihmuar nga Rusia me çdo kusht po orvatet që agresionin dhe gjenocidin e saj ta fshehë

Si rrjedhim i tolerimit të gjithë kësaj ndërhyrjeje të Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës (1999-2017), tanimë, është krijuar një problem i ri politik-statusi i Kosovës Veriore, duke përfshirë, edhe gjysmën veriore të qytetit të Mitrovicës si "zonë serbe", e rrethuar me "murin e Berlinit"- "dhuratë" e stafit të UNMIK-ut, të drejtuar nga shefi i parë i tij, Bernard Kushner. Tash e sa vjet debatohet për këtë çështje, për zbatimin e Rezolutës 1244, sipas së cilës Kosova konsiderohet " pronë legale" e Serbisë, për " mohimin e lirive dhe të drejtave" të minoriteti serb në Kosovë, jo për pasojat dhe për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ja, kjo është politika iracionale dhe absurde, jo humanizmi, as drejtësia. Serbia e ndihmuar nga Rusia dhe nga të tjerët, me çdo kusht po orvatet që agresionin dhe gjenocidin e saj, ta fshehë dhe ta justifikojë në kurriz të viktimave shqiptare dhe të Kosovës së djegur shkrumb e hi nga harangat çetniko-fashiste barbare policore, militare dhe paramilitare (1989-1999).

(Kosova Sot)