Pa gazetën "Kosova Sot", Kosova do të ishte shumë më keq se që është sot!

Pa gazetën
  • 11 September 2017 - 08:48

SHKRUAN: HALIM HYSENI

Së pari, urime të sinqerta për përvjetorin e themelimit! Uroj punë dhe veprimtari shekullore kësaj Shtëpie të Madhe Botuese, e cila edhe pas aktit piroman dhe fashizoid serb, djegies së saj në tërësi në vitin 1999, arriti të ringritet në këmbë, falë shpëtimit të familjes së Ruzhdi Kadriut, e cila shpëtoi nga kthetrat e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit dhe kriminelëve të tjerë, të veshur me uniforma ushtarake dhe policore jugosllave- serbe. Veprimtarët që ideun dhe punuan në krijimin e këtij projekti të madh, me vlera të shumëfishta civilizuese dhe kombëtare, duhet të jenë shumë krenarë për punën e bërë, kontributin madhor civilizues dhe kombëtar, duke u vendosur në mbrojtjen e edukimit dhe të arsimit shqip, në kohën e okupimit fashizoid dhe homicid serb, i cili synonte zhdukjen, njëherë e përgjithmonë, të kombit shqiptar nga këto treva mileniumike pellazgo - iliro, arbëroshqiptare. Ajo kohë ishte e vështirë, kërkonte guxim dhe sakrificë, sepse jeta e shqiptarit nga gjakpirësit e shqiptarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe jo pak gjakprishur, që ditën shiteshin si patriotë, e natën kolaboronin me demonë, me vrasësit e kryekriminelit dhe kasapit të Ballkanit, Slobadan Milosheviqit dhe të trabantëve dhe të epigonëve të tij të sotëm, siç janë Alekasandër Vuçiq, Ivica Daçiq, alteregoja dhe snobi, Miloshevqi i vogël, Marko Gjuriq; që sot shëtisin nëpër kancelaritë e Bashkimit Evropian, duke e lozur rolin e engjëjve, në " biseda " - skenarë për kthimin e tyre të sërishëm në Kosovë, falë edhe "liderëve" oligarkë e plutokratë shqiptarë, të cilët për interesa meskine, për t'u pasuruar dhe për të mbajtur me çdo kusht pushtetin kanë harruar se çka ka përjetuar ky popull nga holokausti, homocidi , gjenocidi dhe etnocidi mijëravjeçar serb. Kjo Shtëpi e Madhe Botuese, me botimin e gazetës "Kosova Sot" , ka dhënë kontribut të paçmueshëm në mbrojtjen dhe mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë në vitet e '90-ta të shekullit të kaluar. Ky kontribut i jashtëzakonshëm është bërë me botimin e dokumentacionit me logon Republikë e Kosovës, me botimin e teksteve shkollore të mbushura me shpirt dhe frymë patriotike, ballinat e të cilave edhe sot me shumë nostalgji ruhen në shkollat e Kosovës. Për këtë vetë jam bindur me rastin e qindra vizitave që i kam zhvilluar nëpër shkollat e Kosovës. Me vjen keq, por duhet ta them publikisht se tekstet shkollore të asaj kohe ishin me një cilësi shumë më të lartë, sesa tekstet e botuara pas çlirimit të Kosovës nga UÇK-ja legjendare. Më kujtohet si sot, se kjo gazetë, pak ditë pas publikimit, organizoi një tryezë me ekspertët shqiptarë, e cila kishte qëllim krijimin e një strategjie dhe brenda saj edhe një strategji për ta avancuar sistemin e edukimit dhe të arsimit shqip në Kosovë, avancimi i të cilit synonte edhe çlirimin e Kosovës. "Kosova Sot", pas çlirimit të Kosovës nga homocidi, holokausti (me qindra njerëz të djegur për së gjalli nga forcat vrastare militare dhe paramilatare serbe, me qindra mijëra shtëpi të djegura të shqiptarëve), gjenocidi dhe etnocidi serb mbi shqiptarë është shndërruar në një kolonë të fuqishme të mbrojtjes dhe të ndërtimit të shtetit ligjor të bazuar në drejtësi sociale. Është mediumi i vetëm në Kosovë, i paanshëm, real dhe objektiv, që me guxim dhe devotshmëri të palëkundur, me argumente të pakundërshtueshme shënjestron fenomenet dhe dukuritë e shumta policentrike kriminale, kancerogjene të cilat kanë metastazuar aq shumë, saqë e kanë sjellë në pikëpyetje të madhe ekzistencën e shtetit të Kosovës, duke i devalvuar vlerat themelore dhe të shenjta të UÇK-së, duke shkelur mbi gjaku e bijve dhe bijave më të mira të këtij kombi. E përditshmja gazeta "Kosova Sot" është bërë navigatore e kursit që duhet të ndjekë shteti i Kosovës, për të qenë një shtet real demokratik, ku sundon ligji, barazia qytetare, drejtësia sociale. Sigurisht që ky kurs- orientir apo piketë e zgjedhur kërkon një tagër të shtrenjtë, të cilën është duke e paguar kjo shtëpi nga goditjet kolaterale të grupeve të lidhura me krimin, por progresi nuk mund të bëhet pa sakrifica, flijime dhe martirizme. Duke uruar përvjetorin këtij mediumi, duke shpresuar se nuk do ta lëshojë këtë kurs, uroj të gjithë stafin e kësaj gazete me dëshirë dhe shpresë të funksionimit të saj shekullor në ardhmen.

(Kosova Sot)