VV-ja & LDK-ja E LANË RAMUSHIN NË DUAR TË SERBISË

VV-ja & LDK-ja E LANË RAMUSHIN NË DUAR TË SERBISË
  • 11 September 2017 - 09:16

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Z gjedhja e Ramush Haradinaj kryeministër i Kosovës ka irrituar një numër të madh të popullsisë sonë, për arsye se votat e komunitetit serb ishin determinuese. Ende pa e hapur gojën kryeministri i Kosovës, kundërshtarët e tij politikë e lëshuan sallën dhe ia filluan propagandën e tyre të pistë duke ia njollosur biografinë e njeriut, i cili dikur sakrifikoi çdo gjë për çlirimin e Kosovës dhe jo rastësisht gjatë luftës shtëpia e Ramushit ishte e rrethuar nga forcat serbe që t'i zhduknin njëlloj siç bënë mbi familjen Jashari.

Kush merret më etiketime kundër Ramushit?

Në të gjitha portalet dhe gazetat tona, temë kryesore është Ramush Haradinaj i zgjedhur më dirigjimin e Serbisë, e madje manipulimet vazhdojnë në këtë aspekt. Po të analizohen komentet e ndryshme të qytetarëve tanë, që i shkëmbejnë mes tyre, shumica shprehin zhgënjimin e tyre se pse Ramushi nuk u zgjodh me vota të shqiptarëve, por është dashur të pritej ardhja e serbëve nga Beogradi në Kuvend pa të cilët, sot Kosova nuk do të kishte Qeveri. Pjesa më e madhe janë të zhgënjyer nga fakti se si është e mundur që Ramushi të pranojë të jetë kryeministër më vota serbe, e jo me ato të shqiptarëve. Kjo është pjesa e pafajshme e popullsisë sonë, të cilët janë të painformuar mbi rrjedhat e politikës se "nëntokës kriminale" kosovare. Ekziston një pjesë tjetër e popullsisë sonë, të cilët janë simpatizues të partive politike, që mbetën në opozitë e të cilët nuk do të lënë gur pa e lëvizur që liderët e tyre të vijnë në pushtet. Liderët që tani mbetën në opozitë, për interesa personale e aspak për interesa të popullit tonë e të tyre, do të vazhdojnë ta helmojnë masën me deklarata antiqeveritare dhe të krijojnë mundësi për rrëzimin e Qeverisë para kohe. Nëse nuk jemi vetë pjesë e pushtetit, ne e kërkojmë rrëzimin e atij pushteti, duke i premtuar popullit se ne jemi më të mirët. Kjo është xhelozia shqiptare që tregon, se fatkeqësisht, ne nuk jemi ende popull shtetformues, por kemi mbetur shkatërrues të institucioneve tona. Në çdo shtet të botës së civilizuar vazhdon parimi i demokracisë se kur shumica fiton, pakica fitoren e respekton. Po të ishte si në Kosovë, Donald Trumpi do ishte rrëzuar nga të pakënaqurit që nuk e votuan, mirëpo amerikanët e respektojnë votën e shumicës, qoftë edhe për vetëm "një" më shumë. Cilido që ka dëshirë nuk mund të etiketojë Ramush Haradinajn për antishqiptarizëm, sepse emri i tij është legjendë, dhe pa emrin e tij historia nuk mund të shkruhet, kurse emrat e dikujt që po çojnë shume pluhur do të harrohen shpejt. Nuk ka njeri të përsosur, andaj për gabime të Ramushit mund të flasin bashkëluftëtarët, veprimtarët e çështjes kombëtare, e assesi bijtë e spiunëve te UDB-së dhe bashkëpunëtorët e Serbisë.

Pse VV-ja i kërkoi ndihmë Serbisë?

Gjatë tërë kësaj kohe liderët e VV-së zhvilluan takime me forca të ndryshme politike, në mënyrë që Albini të bëhej kryeministër, ëndërr, e cila mbeti pa u realizuar edhe kësaj radhe. VV-ja bëri bisedime sekrete edhe me krerët serbë, duke i lutur ata që të mos e votonin Ramushin. Më në fund, vetë Vuçiqi deklaroi këtë të shtunë, se serbët kishin oferta nga dy palët, si nga VV-ja, po ashtu edhe nga PAN-i. Albini e kishte lutur edhe Behgjet Pacollin që mos t'i bashkohej Ramushit, e tash Behgjeti qenka i keq?! Pse tani VV-ja është kundër formimit të Qeverisë së Ramushit, kur këta u bënin lutje serbëve që t'i merrnin në Qeveri?! Serbët në Qeverinë e imagjinuar të Albin Kurtit do ta kishin pasur të njëjtën peshë politike. Nëse VV-ja është kundër Serbisë, pse nuk ia garantoi votat Ramushit, por kërkonin të votohej para se serbët të vinin në Parlament që Ramushin ta lënin pa vota të nevojshme. Nëse VV-ja e do Kosovën, pse nuk e votuan Ramushin?! Pse nuk e votuan Ramushin , i cili dikur ishte në koalicion me VV-në?! Pasi Ramushi u doli nga koalicioni, nuk qenka me i mirë për VVnë! Deklarata e Dardan Molliqajt është një dyfytyrësi, kur ai u shpreh, përveç të tjerash: " Projektet politike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt nuk po i pengojnë më Beogradit". Po sikur VV-ja të kishte arritur që serbët ta votonin Albinin, si do të ishte deklaruar Dardan Molliqaj? Kësaj pyetjeje nuk mundemi t'i përgjigjemi, sikur që nuk kemi përgjigje as në pyetje të tjera, si p.sh.: Pse VV në Mitrovicë ka bërë koalicion me Behgjet Pacollin, kur dihet se VV-ja vjell helm kundër Behgjetit, që nuk iu bashkua Albinit? Pse VV-ja bëri koalicion në Prishtinë me Kadri Veselin, kur, sipas tyre, Kadri Veseli etiketohet si njeri shume i rrezikshëm për Kosovën? Aty ku VV-ja është në pushtet, nuk flasin keq, e aty ku VV-ja e ka humbur pushtetin, këta akuzojnë, shpifin dhe përdorin mjete dhe metoda primitive, të mos them edhe barbare. Do të ishte shumë konstruktive dhe në dobi të shtetit tonë, që opozita të tregohet e matur, të tregohet demokratike dhe të tregohet e durueshme që katër vjet më vonë me vota të marrin pushtetin, e jo me rrena e me sjellje primitive radikale, duke krijuar incidente e duke inskenuar shpërngulje masive përmes militantëve të paguar. Me inskenimet e për ta nxitur popullsinë që të shpërngulet masovikisht, VV-ja e ka shndërruar Kosovën në teatër tragjik shekspirian. Po të ishte gjallë Shekspiri do t'ua kishte lakmi se sa aktorë të mirë mashtrues ka në VV. Në anën tjetër, një emër i krijuar artificialisht në laboratorët e LDK-së së Isa Mustafës e që quhet Avdullah Hoti, paturpësisht deklaroi: "… çlirimtarët po "vrasin" demokracinë parlamentare. Demokracia parlamentare është vrarë qindra e mijëra herë në Kosovën e pasluftës". Demokracinë parlamentare së pari e ka vrarë vetë Avdullah Hoti dhe partia e tij LDK, e cila definitivisht, nuk është më partia e frymës demokratike të Ibrahim Rugovës. Si mund të quhet demokraci parlamentare, kur partia jote i ka hequr nga lista emrat më të devotshëm të partisë suaj, si: Fatmir Sejdiun, Shpëtim Bulliqin, Rexhep Gjergjin, Hafiz Gagicën… e shumë e shumë emra të tjerë që edhe jetën e sakrifikuan për LDK-në? Nëse VV-ja dhe LDK-ja e paskan pasur për Kosovën e jo për pushtet, pse more vëlla nuk e votuan Ramushin për kryeministër? Nëse vërtet e paskan pasur që Kosovën të mos e lënë në duar të Serbisë, pse more nuk e votuan Ramushin unanimisht, se pakut për inat të Serbisë dhe për imazh të Kosovës? Pse nuk u ngrit dikush në foltore e të thoshte se nuk do t'i presim deputetët serbë nga Beogradi, por ne ia bëjmë votat dhe e votojmë Ramushin? Në seancën e kaluar të kuvendit Kadri Veseli shumë mirë ia tha haptas Albin Kurtit se votën time ta jap nëse i grumbullon 61 vota, atëherë pse VV-ja e LDKja i lejuan serbët ta zgjedhin Ramushin? Në këtë moment, nuk më intereson fare e kaluara e as e tashmja e Kadri Veselit, por ai ka dalë më burrë i fjalës sesa ju të tjerët që nuk pranoni asgjë, nëse nuk jeni në pushtet.

Hezitimi i Ramush Haradinajt

Që nga përfundimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, Ramush Haradinaj ishte në ethe të postit, do të zgjidhët apo jo me vota të shqiptarëve. Kalkulimet e tij se do t'i kishte numrat e mjaftueshëm, duke i përvetësuar disa deputetë nga LDK-ja e ndonjë parti tjetër e bënin optimist. Personalitetet mafioze të politikës kosovare e bënë të pamundur, që më vota të deputetëve tanë Ramushi të fitonte besimin e shumicës shqiptare. Këtyre mafiozëve as që u interesonte Kosova dhe zhvillimi i saj në të mirë të popullit, por e pamundë- sonin krijimin e Qeverisë së re, në emër të patriotizmit puro të rrejshëm, ata që erë patriotizmi nuk kanë as në familje, e as në biografinë e tyre individuale ndonjëherë. Vonesa e serbëve bëri që Ramushi të mendohej gjerë e gjatë. Fytyra e Ramushit mori pamje të zymtë. Në vete bluante gjithfarë mendimesh e ndër to në vete tha : "Unë që nuk kurseva asgjë për lirinë e Kosovës, sot duhet të pres votën e serbëve! Sa poshtë ka rënë atdheu im! Apo ndoshta , sa poshtë kam rënë unë! Do të dal në foltore t'i drejtohem parlamentarëve se nuk do të bëhem kryeministër me vota të tjerëve. Do të mbyllem në kullën time dhe në thellësinë e shpirtit tim për të vajtuar gjendjen politike të shqiptarëve ne Kosove. Dy partitë kundërshtare do të brohorasin nga gëzimi dhe do bashkohen për ta formuar Qeverinë me vota të shqiptarëve dhe të serbëve, e mua do më shpallin të paaftë, kurse nesër do të më akuzojnë edhe për ato që nuk i kam bërë. Ani kush do ta marrë Qeverinë se spiunët e ish-UDB-së dhe bijtë tyre të inkriminuar. Iu terruan sytë, iu turbullua të parët, e zëri mezi i dilte nga fyti i tharë prej helmimeve të patriotëve të rrejshëm e shekspirian. U ngrit me lehtësi, por një drithmë ia përshkoi trupin si dikur në frontin e pare te luftës me armikun. Eci më hapa të pasigurt drejt foltores, dhe e pranoi detyrën të jetë kryeministër i Kosovës, pavarësisht se e presin sfida tepër të mëdha.

Ramush Haradinaj, mbi tehun e thikës

Shumë analistë parashikojnë që kjo Qeveri e re nuk ka për të zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Zgjatja e jetës së kësaj Qeverie deri në përfundim të mandatit është në duar të Qeverisë, e jo në deklarata stereotipe të disa analistëve të paguar nga Beogradi. Zgjatja e jetës së Qeverisë së Ramushit nuk varet as nga protestat dhe incidentet që do të simulohen nga VV-ja në ditët dhe muajt e ardhshëm. Zgjatja e jetës së Qeverisë varet kryesisht nga Ramush Haradinaj dhe ministrat e tij. Më zgjedhjen e Ramushit kryeministër, Kosova ka hyrë në një fazë të re, kurrë më parë e praktikuar. Nga sot, definitivisht në Qeverinë e Kosovës fjalën e kanë edhe populli pakicë serb, të cilët do të shtrojnë projekte për zgjidhjen e problemeve të pakicës serbe ,që jetojnë në shtetin tonë. Nga sot, Ramush Haradinaj dhe ministrat e tij nuk janë më në shërbim të një pjese të popullsisë, por në shërbim të krejt qytetarëve të Kosovës. Ramush Haradinaj duhet të kuptojë dhe duhet të veprojë si kryeministër i të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës. Ramush Haradinaj duhet të veprojë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke mos e anashkaluar as opozitën e asnjë qytetar të vetëm, pavarësisht se do të jetë kundërshtar i tij për bindje politike. Sfida e parë do të jetë demarkacioni dhe "Zajednica" që Ramush Haradinaj do të përballet herët a vonë. Demarkacioni është ku Ramushi do të jetë mbi tehun e thikës, sepse pikërisht dikur vetë ishte kundërshtar i aprovimit të kësaj vije kufitare me Malin e Zi. Si do ta arsyetojë në të ardhmen e afërt pikën e demarkacionit me Malin e Zi, kur dihet se vetë e përdori si pretekst për rrëzimin e Qeverisë që po lëmë pas?!

Demarkacioni, sfidë për Ramushin

Lidhur me demarkacionin, Ramush Haradinaj do të ketë mundësi për t'i neutralizuar kundërshtarët politikë, nëse në këtë aspekt do të kërkojë ndihmë mençurisë së këshilltarëve të tij, diplomacisë evropiane dhe qeverisë së Malit të Zi. Demarkacioni ishte problemi kryesor gjatë Qeverisë së kaluar dhe pretekst për rrëzimin e saj. Një pjesë e madhe e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së, disa të djallëzuar e disa të painformuar, e kundërshtuan, korit të cilëve iu bashkëngjit edhe vetë Ramushi. Kundërshtimi i demarkacionit fillimisht i nxitur nga VV, me pretekstin se po shitej toka e Kosovës, ishte një iniciativë shumë e gabuar, sepse e lejonte zgjerimin e interesave të Rusisë në det. Kërkesat e NATO-s ishin që urgjentisht të aprovohej demarkacioni në mënyrë që Rusisë t'i ndërpritej dalja në detin Adriatik, mirëpo për shkak së Kosova nuk po e votonte këtë pikë, Mali i Zi u detyrua që në Parlamentin e tyre të votohej hyrja e NATO-s pa u aprovua nga Kosova çështja e demarkacionit. Mali i Zi e la VV-në e Albin Kurtin me gishta në gojë e Rusisë me tërë ato investime që kalojnë shuma miliardëshe ia ndaloi zgjerimin në këtë pjesë. Demarkacioni nuk është çështje urgjente për Qeverinë e Ramushit, ngase vetë malazezët e kanë tejkaluar. Para Ramushit shtrohet detyrë imediate që të fillojnë takime diplomatike më qeverinë e Malit të Zi , në mënyrë që nga ata të kërkojë koncesione, duke ua kërkuar rrudhjen e territorit të tyre në favorin tonë për disa kilometra. Për demarkacion është baza e kufirit tonë sipas Kushtetutës së 1974-ës, e që sipas Marrëveshjes së Rambujesë dhe Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës vija kufitare e Kosovës është nën mbrojtje dhe kontroll absolutë të NATO-s dhe për çdo mosmarrëveshje për këtë duhet adresuar NATO-s. "Zajednica", për të cilën është ngritur pluhur dhe po ashtu ishte shkak i rrëzimit të Qeverisë, do të jetë sfida më e lehtë e Qeverisë së Ramushit. Krijimi i bashkësive të një komuniteti në një shtet nuk është risi e as eksperiment që bëhet në Kosovë, sepse bashkësi të tilla kemi në Evropë. Komuniteti gjerman në Belgjikë e ka bashkësinë e tyre, siç e kanë të tjerët në Francë e gjetiu, mirëpo këto bashkësi e respektojnë shtetin ku jetojnë, e jo të krijojnë shtet mbi shtet, në asnjë mënyrë. Ramush Haradinaj duhet ta tejkalojë problemin e "Zajednicës", duke i bindur serbët që të votojnë ashtu siç i ka bërë korrigjimet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e jo ashtu siç e ka nënshkruar Edita Tahiri. Nëse Ramush Haradinaj do të ketë sukses në këto dy pika, Qeveria e tij do të vazhdojë deri në përfundim të mandatit, pa asnjë problem, edhe pse VV-ja do të bëjë përpjekje sistematike për rrëzimin e saj. Në anën tjetër, Ramushi dhe Qeveria e tij duhet të marrin masa urgjente për ndryshimin e ligjeve mbi sjelljet e deputetëve në Kuvend. Nëse një deputet krijon incidente fizike dhe incidente ku vihet në rrezik jeta e parlamentarëve, ai deputet duhet të arrestohet dhe të dënohet duke iu privuar jeta politike. Asnjë deputet nuk ka të drejtë të lëndojë apo të vërë në rrezik jetën e një deputeti tjetër vetëm pse nuk mendon si ai. Duhet të vetëdijesohemi dhe të jemi shtetformues, që të respektojmë Qeverinë tonë, përderisa ajo do të jetë konstruktive dhe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit tonë. Mos merrni turr të shkatërroni ende pa ia filluar. Personalisht në shkrimet e mia do ta përkrah Qeverinë e Ramushit, por do ta kritikojë vazhdimisht për vendimet që shkojnë kundër interesave të popullit dhe të shtetit te Kosovës.

(Kosova Sot)