Topitja nuk mjafton për Gjermaninë e Angela Merkelit

Topitja nuk mjafton për Gjermaninë e Angela Merkelit
  • 11 September 2017 - 10:43

Shkruan: Philip Stephens

Zgjedhjet nuk kanë nevojë që të jenë interesante, për të qenë të rëndësishme. Gjermania pritet që së shpejti të drejtohet drejt kutive të votimit. Pjesës tjetër të botës i hapet goja nga mërzia. Mbështetësit e 'politikës si potere' janë duke bërë gabim. Evropa është në një gjendje më të mirë sesa kohëve të fundit, por nuk mundet që sigurinë dhe prosperitetin e vet t'i merr si gjëra të kryera. Topitja është gjëja që nevojitet në shtetin më të fuqishëm të kontinentit. Për një ikje të përkohshme nga ngërçet e Brexitit britanik, debati TV i kësaj jave midis kancelares Angela Merkel dhe Martin Schulzit, sfiduesit të partisë së saj Social demokrate, ishte i pakënaqshëm. Tronditja do të mund të ishte më e madhe për ata në Uashington që janë mësuar me sulmet teatrale, që çdo ditë vijnë nga smartfoni i Donald Trump-it. Ku ishte abuzimi personal, faktet e rreme dhe rrenat e rëndomta? Athua asnjëri kandidat nuk e kishte parë Trump-in duke sulmuar Hillary Clinton-in, apo presidentin e Francës, Emmanuel Macron, duke u ballafaquar me sharjet ksenfobe të Marine Le Pen? A nuk kishin dëgjuar ata politikanët britanikë duke gënjyer rreth pasurive marramendëse që do të vijnë nga Brexit?

Gjermania nuk ka qenë imune ndaj populizmit

Pa marrë parasysh sa mund të jenë munduar, Merkel dhe Schulz nuk mundën ta ngritnin temperaturën. Ajo që i ndan ata politikisht është një hendek i topitjes, e jo ideologjik. Debati nuk e rriti aspak eksitimin rreth parashikimit të anketave se Merkel do ta fitojë edhe një mandat të katërt, me gjasë duke e formuar qeverinë me partinë e Schulzit, SPD. Gjermania nuk ka qenë imune ndaj populizmit që ka kapluar elitat politike në tërë Evropën. Partia nativiste, Alternativa për Gjermaninë është duke bërë gjithçka që mundet për ta rritur islamofobinë, pas krizës së imigrantëve të vitit 2015. Por, ajo zor se do të mund të marrë më shumë se 10% të votave. Kritikët thonë se votuesve nuk iu është ofruar një zgjidhje e qartë. Por, a nuk ishte kushtetuta e pas luftës së dytë botërore, e përpiluar nga fituesit në vitin 1945, që ishte dizajnuar apostafat për ta promovuar pajtimin? Sido që të jetë, ekziston edhe një shpjegim për mungesën e zemërimit. Gjermania është një vend i përparuar dhe stabil në një kontinent, i cili kohëve të fundit zor se mund të konsiderohet i tillë. Kriza e euros dhe ajo e imigrantëve janë vënë nën kontroll. Mund të thuhet se gjermanët e kanë bërë zgjedhjen e tyre - ata janë të kënaqur me atë sesi janë gjërat. Ata që pëlqejnë zhurmën si të tillë, duhet ta kërkojnë atë në Britani. Atje alternativat politike tani përfaqësohen nga një parti në pushtet, e obsesionuar me sipërmarrjen shkatërruese të ndarjes së Britanisë nga kontinenti i saj dhe nga një lider i opozitës së majtë ekstreme, i cili ka nostalgji për socializmin e epokës sovjetike. Zgjedhja midis kryeministres konservatore Theresa May dhe liderit laburist, Jeremy Corbyn, nuk mund t'i dëshirohet askujt. Ajo që e karakterizon Merkelin nuk është vetëm jetëgjatësia e saj në post, por edhe mbështetja e saj e madhe nga rendi ndërkombëtar i hapur dhe liberal. Kur të tjerët bënin turr në Uashington për t'i bërë homazhe Trump-it pas fitores së tij në zgjedhje, Merkel insistonte se ndaj presidentit të ri do të sillej në bazë të kushteve të saj. Orientimi i saj pro atlantik nuk vihet në pyetje, por nuk është i pakushtëzuar. Rreziqet flasin vetvetiu. Rusia e Vladimir Putinit dëshiron t'i rivizatojë kufijtë territorialë të Evropës. Trump njëherë për njëherë është një aleat jo i besueshëm dhe i zjarrtë. Britania ka dalë nga fusha e politikës së jashtme

Nacionalizmi luftënxitës i Trump-it

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ende duhet ta dëshmojë veten. Politikat e brishta të Italisë janë tensionuar edhe më shumë nga rritja e valëve të refugjatëve nga Afrika Veriore. Polonia dhe Hungaria marrin para të majme nga BE-ja, derisa në anën tjetër nuk i respektojnë vlerat liberale të saj. Për momentin, një Gjermani e qëndrueshme është ajo që i ka mbetur Evropës në aspektin e një shteti, i cili është i gatshëm që të mbrojë normat dhe institucionet e rendit të pas luftës së dytë botërore. Nacionalizmi luftënxitës i Trump-it dhe vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja, e kanë dëmtuar rëndë Perëndimin. Kancelarja gjermane nuk është duke u dorëzuar. Përkushtimet e saj ndaj lirisë, sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike i kanë rrënjët te 35 vitet të cilat ajo i ka kaluar në lindjen komuniste. Sikur që thekson gazetari Stefan Kornelius në një biografi të shkëlqyeshme, Merkel e di se demokracia liberale e cila ia ka siguruar Evropës paqen dhe prosperitetin, nuk është 'ligj i natyrës'. Kancelarja nuk është e shenjtë. Ai që rrezikohet është interesi i vendit. Gjermania ka qenë fituese e madhe nga sistemi i bazuar te rregullat dhe nga globalizimi ekonomik. Biznesi dhe eksportet kanë lulëzuar derisa qeveri pas qeverie gjenin strehim nën ombrellën e sigurisë të Amerikës dhe nuk pranonin përgjegjësi ndërkombëtare përtej Evropës. Duket se Merkel është e vetëdijshme se këto ditë kanë kaluar. Ajo e ka bërë prioritet rindërtimin e marrëdhënieve franko-gjermane dhe e ka rritur buxhetin e mbrojtjes. Përkundër kësaj, ende ekziston një turp i ndërgjegjes. Ajo flet për gjëra të tilla para votuesve duke përdorë vetëm fjalë të përafërta. Rrethanat kanë ndikuar që kancelarja të veprojë. Por, roli udhëheqës në skenën globale nuk është diçka e kërkuar, apo e mirëpritur nga elektorati. Sa më larg që shkon nga Berlini, aq më hezitues janë votuesit që ta pranojnë se Gjermania më nuk mund të fshihet prapa historisë së saj. Topitja është e mirë, nëse është zëvendësim për gënjeshtrën. Por, ajo nuk mjafton. Ajo që ka munguar në kampanjë, është një diskutim serioz rreth rolit ndërkombëtar të Gjermanisë, nga i cili ajo nuk mund të ikë më.

(Kosova Sot)