Na duhet një qeveri më e madhe

Na duhet një qeveri më e madhe
  • 12 September 2017 - 09:47

Shkruan: Fareed Zakaria

Duke i parë efektet shkatërruese të uraganeve Harvey dhe Irma, si dhe ato të zjarreve në perëndim, nuk mundemi e të mos mendojmë rreth rolit kyç të cilin qeveria e luan në jetën tonë. Por, derisa e pranojmë, bile edhe e festojmë rolin e qeverisë në raste të fatkeqë- sive të tilla, ne jemi thuajse të verbër ndaj nevojës për qeveri për zbutjen e këtyre krizave, në rend të parë. Që nga presidenti Ronald Reagan, pjesa më e madhe e SHBA-së ka përqafuar një kornizë ideologjike, duke thënë se qeveria është burim i problemeve tona. Reagani thuhet të ketë deklaruar: "Fjalia më e tmerrshme në gjuhën angleze është: "Jam nga qeveria dhe jam këtu për t'iu ndihmuar". Reagan angazhohej për largim nga vizioni i një shteti aktiv dhe, në vend të tij, ishte për një rol tepër të kufizuar të qeverisë, të përkushtuar ndaj funksioneve esenciale, sikur që është mbrojtja kombëtare. Jashtë këtyre fushave, ai mendonte se qeveria thjesht duhej ta inkurajonte sektorin privat dhe forcat e tregut.

Kompanitë digjitale

Pikëpamja e Reagan-it i ka rrënjët te vitet 1970 - një periodë e karakterizuar nga keqmenaxhimi fiskal, përzierja e tepërt e qeverisë dhe nga një rritje e ngadalësuar ekonomike. Ky mund të ishte qëndrimi i drejtë për atë kohë, por ai vazhdoi që të qëndronte me dekada të tëra, si një ideologji rigide edhe pse kemi hyrë në një epokë të re në të cilën Amerika ballafaqohet me sfida krejt të ndryshme, duke kërkuar shpesh në mënyrë të dëshpëruar një qeveri aktive. Kjo ka qenë një heqje dypartiake e përgjegjësisë. Tash e disa dekada, kemi vërejtur sesi rrogat me mungesë të rritjes për 90% të amerikanëve, shoqëroheshin nga një rritje tej mase për të pasurit e paktë, gjë që ka ndikuar në zgjerimin e hendekut të pabarazisë, në një shkallë të paparë që nga Epoka e praruar. Mendohej se qeveria federale nuk mund të bëjë asgjë rreth këtij dallimi të rritur, përkundër shumë dëshmive që thoshin të kundërtën. Kemi qenë dëshmitarë të hyrjes së Kinës në sistemin tregtar global dhe duke përfituar nga qasja në tregjet dhe kapitalin perëndimor, derisa në anën tjetër duke mbajtur në një masë të madhe një ekonomi të brendshme tepër të kontrolluar dhe duke ndjekur praktika grabitqare të tregtisë. Dhe, ne kemi supozuar se qeveria e SHBA-së nuk mund të bëjë asgjë rreth kësaj, meqë çdo veprim do të ishte proteksionist. Ne kemi parë institucionet financiare, duke ndërmarrë një rrezik gjithnjë e më të madh, me paratë e të tjerëve, duke luajtur kumar në stilin "turr - unë fitoj, jaz - ti humbë". Çdo lloj i rregullimit konsiderohej socialist. Edhe pasi që u shkatërrua sistemi, duke shkaktuar krizën më të thellë ekonomike që nga Depresioni i madh, filluan të dëgjoheshin thirrjet për derregullimin e sektorit financiar edhe një herë, meqë, në fund të fundit, rregullimi qeveritar është i keq. Në të njëjtën periudhë, kompanitë teknologjike janë rritur si për nga madhësia, po ashtu edhe për nga niveli, shpesh duke përdorë përparësinë e 'lëvizjes së parë' për të formuar kuazi-monopole dhe duke anuluar konkurrencën. Ekonomia digjitale pritej që ta fuqizonte sipërmarrjen individuale, por në vend të kësaj, ajo është bërë e tillë në të cilën katër apo pesë kompani dominojnë në skenën globale. Një kompani e re teknologjike sot aspiron thjesht që të blihet nga "Google" ose "Facebook".

Qeveria një spektator pasiv

Dhe, ne supozojmë se qeveria federale nuk do të duhej ta kishte asnjë rol në formësimin e kësaj ekonomie të madhe, të re. Më mirë që qeveria thjesht të bëj sehir derisa zhvillohet procesi, sikur një spektator pasiv duke shikuar një dramë të re të "Netflix"-it. Dhe, pastaj e kemi klimën. Këto uragane nuk janë shkaktuar nga ngrohja globale, por frekuenca dhe intensiteti i tyre me gjasë janë rritur nga ndryshimet klimatike. Uraganet me fuqi veçanërisht shkatërruese tani kanë pësuar ndryshim të emrit (kur një uragan është tepër shkatërrimtar dhe vrastar, atij i ndërrohet emri, për shkaqe të sensitivitetit) dhe, gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur po aq 'ndryshime' të emrave, sa edhe gjatë 40 viteve para tyre. Sivjet Kalifornia ka pasur më shumë se 6,400 zjarre të maleve. 17 vitet më të nxehta, të regjistruar, që të gjithë kanë qenë gjatë dy dekadave të fundit. Dhe, përkundër kësaj, kemi qenë tepër të kujdesshëm ndaj një qeverie tepër të madhe. Kjo është e vërtetë jo vetëm për ndryshimet klimatike, por edhe për fushat tjera të cilat kanë kontribuuar në fuqinë shkatërrimtare të stuhive. Hjustoni kishte vendosur që të mos kishte asnjë ndarje në zona, as edhe në zonat e prira për të pasur vërshime, duke rrafshuar me mijëra akre ligatina të cilat absorbonin ujin e shiut dhe zvogëlonin vërshimet. Industria kimike ka qenë në gjendje që ta bindte Uashingtonin që ta ushtronte një kontroll të dobët, në mënyrë që të kishte një mbrojtje të kufizuar ndaj zjarreve dhe ndotjes, gjë që është bërë mëse e qartë gjatë viteve të fundit. Dhe tani, natyrisht, Teksasi me taksa të ulëta dhe rregulla të pakta i është drejtuar qeverisë federale, duke kërkuar më shumë se 150 miliardë dollarë, për ta ndërtuar shtetin e vet të shkatërruar. Jemi duke jetuar në një epokë revolucionesh, natyrore dhe njerëzore, të cilat janë duke dëmtuar si individët, po ashtu edhe komunitetet. Kemi nevojë që qeveria të mos jetë vetëm vëzhgues pasiv i këtyre trendëve dhe forcave. Ajo duhet që t'i formësojë ato në mënyrë aktive dhe t'i menaxhojë ato. Përndryshe, individi i rëndomtë do të jetë i pafuqishëm. Mund të marr me mend se, këtë javë, pjesa më e madhe e njerëzve në Teksas, Florida dhe Porto Riko do të gëzohen kur ta dëgjojnë fjalinë: "Jam nga qeveria dhe jam këtu për t'iu ndihmuar".

(Kosova Sot)