"Kosova Sot", gazeta e vetme e lirë dhe e pavarur, e cila promovon të vërtetën dhe kombëtarizimin

  • 13 September 2017 - 09:24

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

19 vjet të gazetës lider

Ju pse meritoni konsideratë dhe mirënjohje edhe për të sotmen është fakti se edhe sot jeni avangarda mediatike, si një medie e guximshme intelektualisht, patriotikisht dhe profesionalisht për t'ia kundërvënë dhe demaskuar të palarat, turpet, korrupsionin dhe krimet e politikës, pushtetit dhe të padrejtësive të drejtësisë së sotme në Kosovë

Gazeta gjithëkombëtare shqiptare "Kosova Sot" mbush 19-vjetorin e lindjes së saj. Ajo është gazeta më e dashur dhe më e lexueshme e shqiptarëve, sepse prej dy dekadash të jetës së saj, ajo shquhet për punën fisnike si medie më e mirë, reale, e lirë, e pavarur, asnjanëse dhe më me përkushtim informativ, edukativ dhe patriotik. Ajo shquhet për pasqyrimin e së vërtetës, demaskimin e padrejtë- sive e korrupsionit dhe në mbrojtjen e demokracisë, ligjit, të drejtësisë dhe sidomos së pari dallohet për guximin e lartë intelektual e patriotik të stafit të saj gazetaresk, opinionist, analitik dhe të aftë profesionalisht për të demaskuar dhe për t'u përballur me të këqijat sociale, me politikën e politikanëve dhe me pushtetarët e çdo rangu për paudhësitë, krimin e organizuar dhe me korrupsionin institucional të mafio-oligarkisë të montuar në sistem në Kosovë. MT: Një medie patriotike Kjo gazetë e ka treguar veten e saj si një medie patriotike dhe e guximshme në përballje të drejtpërdrejtë, ballë për ballë dhe sy për sy me regjimin dhe propagandën kriminale dhe vrastare të shtetit kriminal të Milosheviqit, dhe si hakmarrje kundër saj, barbarizmi serb e dogji Shtypshkronjën e saj më 24 mars 1999, e që në fakt kjo ishte një fitore e saj kundër propagandës së barbarisë serbe, ashtu siç ishte fitore edhe lufta e NATO-s dhe e UÇK-së kundër Serbisë, që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e saj në kohët e vështira të terrorit dhe gjenocidit serb, e tregon fakti se Shtypshkronja e gazetës "Kosova Sot" u dogj dhe u shkatërrua pikërisht në kohën, kur NATO filloi Luftën kundër Ish-Jugosllavisë për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës, sepse media Juaj e që realisht është edhe e të gjithë shqiptarëve njëkohësisht, ishte ashtu si dhe lufta e UÇK-së dhe e NATO-s në funksion të lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës kundër regjimit barbar serb.

Avangardë mediatike 

Kjo ngjarje dhe e gjithë veprimtaria gazetareske 19- vjeçare e gazetës "Kosova Sot" i kanë hipotekuar tashmë në histori rolin dhe kontributin e saj historiko-kombëtar dhe për këtë duhet të jeni dhe të ndiheni krenarë, për atë përballje dhe kundërshti flakë për flakë dhe ballë për ballë jo vetëm me propagandën, por edhe me shtetin banditesk, kriminal, barbar dhe gjenocidial serb. Por, ajo për të cilën Ju meritoni konsideratë dhe mirënjohje edhe për të sotmen është fakti se Ju edhe sot jeni avangarda mediatike, si një medie e guximshme intelektualisht, patriotikisht dhe profesionalisht për t'iu kundërvënë dhe demaskuar të palarat, turpet, korrupsionin dhe krimet e politikës, pushtetit dhe të padrejtësive të drejtësisë së sotme në Kosovë. Pra, duke mbajtur dhe luajtur kështu rolin e vërtetë që i takon medies në demokraci: pikërisht atë të opozitarit dhe jo si shumica e medieve, qoftë ato të shkruara dhe ato vizive, që janë bërë satelitë dhe mercenarë të politikës, të parasë dhe të korrupsionit politik dhe materialist. Pra, në mbyllje ju uroj punë të mbarë në rolin Tuaj në shërbim të zhvillimit, konsolidimit dhe të emancipimit patriotik, demokratik, të lirisë, të progresit dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare. Gazetës "Kosova Sot" dhe stafit të saj i urojmë suksese në vijimësi të rolit të rëndësishëm që ajo luan për përmirësimin dhe për ruajtjen e demokracisë dhe në kontrollimin prej saj, si dhe demaskimin që ajo u bën tradhtive kombëtare dhe publike, si dhe korrupsionit politik, qeveritar dhe të pushteteve, si një medie e lirë në informimin e publikut me informacione, analiza, opinione dhe studime të spektrave të ndryshëm të shoqërisë, politikës, ekonomisë etj. si të brendshme dhe ndërkombëtare në interes të publikut, dhe jo si medie proinstitucionale, karakteristika këto për karakterin opozitar, të lirë, të pavarur dhe patriotik, që e karakterizon gazetën "Kosova Sot". Suksese!

(Kosova Sot)