Veçantia antipopuliste e Gjermanisë

Veçantia antipopuliste e Gjermanisë
  • 19 September 2017 - 17:57

Shkruan: Michael Broning 

VENDI DUKET BUKUR REZISTUES NDAJ SFIDËS POPULISTE

Partitë politike duhet ta njohin populizmin 'e fshehur' gjerman

Derisa Gjermania përgatitet për zgjedhjet federale që do të mbahen këtë muaj, vendi duket bukur rezistues ndaj sfidës populiste, me të cilën janë ballafaquar vendet e tjera perëndimore. Me partinë populiste të krahut të djathtë, 'Alternative für Deutschland' (AfD) dhe konkurrentëve të tyre nga e majta ekstreme, 'Die Linke', ku që të dyja ato gëzojnë një mbështetje prej rreth 10% në anketa, një fitore për kancelaren Angela Merkel gjerësisht shihet si rezultati më i mundshëm. Por, kjo mbështetje e dobët ndaj partive ekstremiste, nuk d.m.th. se gjermanët janë të kënaqur. Një qeveri e udhëhequr nga Merkel mund të jetë ose vazhdim i koalicionit të madh midis Kristiandemokratëve të Merkelit dhe Socialdemokratëve të qendrës së majtë, apo ndonjë formë tjetër e renditjes politike. Sido që të jetë, kjo do të thoshte se Gjermania është më pak e ndjeshme ndaj tundimit populist sesa disa vende tjera perëndimore. Kjo zakonisht iu atribuohet dy shkaqeve strukturore.

Ngritja e partive anti-establishment në Evropë

Shkaku i parë ka të bëjë me të kaluarën unike të Gjermanisë në lidhje me totalitarizmin e krahut të djathtë dhe atë të krahut të majtë. Dhe, në të vërtetë, trashëgimia e shovinizmit të theksuar të Rajhut të tretë, si dhe 'socializmi aktual' në Gjermaninë lindore, kanë bërë që shumica e gjermanëve të anojnë kah një centrizëm i matur, duke bërë që shumica e votuesve të mos i mbështesin partitë ekstremiste. Në Gjermani, më shumë se në çdo vend tjetër, sa më ekstremiste që bëhet një parti politike, aq më e vogël është mbështetja e saj nga populli. Reagimi publik ndaj deklaratave nga liderët e dalluar të partisë AfD, duket se vetëm sa e vërteton këtë rregull. Apeli nga Bjorn Hocke, lideri i partisë AfD në Thuringia, për një kthesë " prej 180 shkallësh" nga tradita e pas Luftës së dytë botërore në lidhje me krimet e epokës naziste, si dhe referenca e bërë nga zëvendëslideri i AfD-së, Alexander Gauland për 'shkarkimin në Anadoll" të ministrit gjerman të integrimit me origjinë turke, kanë pasur ndikim refuzues te votuesit. Ngjashëm me këtë, thirrjet e partisë 'Die Linke' për të dalë nga NATO, bashkë me afrimin e saj ndaj Rusisë, kanë bërë që kjo parti ta humbë mbështetjen në shumicën e ish Gjermanisë perëndimore. Shkaku i dytë që përmendet rëndom i refuzimit të populizmit nga gjermanët, ka të bëjë me fuqinë e saj ekonomike. Shkalla e papunësisë në vend aktualisht është në vlerën e saj më të ulët, dhe GDP-ja është rritur për gati 10% që nga viti 2013. Shtojani kësaj një sistem funksional të mbështetjes sociale dhe bëhet e qartë pse zemërimi i përqendruar te pabarazia, që gjetiu ka shkaktuar revolta të votuesve, është duke pasur pak mbështetje në Gjermani. Por, kjo nuk d.m.th. se në frontin populist mbretëron një qetësi e plotë. Në fakt, mbështetja relativisht e dobët për partitë populiste në zgjedhjet e Gjermanisë len nën hije pakë- naqësinë aktuale të shoqërisë gjermane, që ka ngjashmëri me zemërimin i cili ka shkaktuar ngritjen e partive anti-establishment në Evropë dhe gjetiu. 

Procedurat paszgjedhore mund të kenë rolin vendimtar

Sipas një ankete të bërë tash vonë, 71% të votuesve gjermanë nuk kanë besim te qeveria e tyre, derisa 70% nuk kanë besim te mediat tradicionale. Partitë politike kanë një mbështetje edhe më të keqe: 80% të gjermanëve 'pak, apo aspak' nuk iu besojnë partive politike dhe gati 60% të të anketuarve mendojnë se partitë politike nuk janë në gjendje që të gjejnë zgjidhje për problemet aktuale. Për më tepër, në një listë të "profesioneve të besueshme" të përpiluar vitin e kaluar nga "Global Trust Report", politikanët gjermanë u gjetën në vendin e fundit, shumë prapa agjentëve të sigurimit dhe specialistëve të marketingut. Në të njëjtën kohë, numri i sulmeve kundër zyrtarëve të zgjedhur, është trefishuar në vitin 2016. Aktualisht, as mbështetja publike ndaj demokracisë nuk mund të merret si e qenë në Gjermani. Sipas një ankete të bërë tash vonë, vetëm 62% të gjermanëve të rinj pajtohen se 'sundimi i popullit për popullin' është forma më e mirë e qeverisjes. Përkundër një skepticizmi të këtillë, të përgjithshëm, ekziston një dallim i qartë dhe në rritje midis pikëpamjeve të qytetarëve të rëndomtë dhe të qasjes politike të qeverisë, që paraqet të ashtuquajturin 'konsensus të Berlinit'. Kjo është evidente sidomos në lidhje me imigrimin: përkundër qëndrimit qeveritar, shumica e gjermanëve duan që kufijtë e vendit të mbyllen ndaj refugjatëve, ku 70% e të anketuarve mendojnë se "islamizmi nuk i përket Gjermanisë". Ekziston edhe një mospërputhje e ngjashme midis votuesve dhe liderëve politikë në lidhje me disa çështje ekonomike. Vetëm rreth 31% të votuesve gjermanë janë deklaruar kundër përzënies së Greqisë nga eurozona, gjë që është kundërshtuar me zell nga politikanët gjermanë. Dhe, dy të tretat e gjermanëve mbështesin masat proteksioniste për mbrojtjen e vendeve gjermane të punës, masa të cilat përqeshen nga politikanët. Duke pasur parasysh mbështetjen e gjerë për qëndrime të tilla, është ende herët të thuhet se Gjermania, disi, është imune ndaj populizmit. Është e vërtetë se tabutë historike dhe një ekonomi e zhvilluar deri më tani kanë penguar pakënaqësinë popullore që të dalë në korridoret e pushtetit. Por, kjo pakënaqësi vazhdon që të vlojë nën sipërfaqe - duke u manifestuar në mediat sociale dhe në formë të abstinencës politike - pa treguar shenja të dobësimit. Prandaj, në vend të pasqyrimit të një mbështetjeje të vogël ndaj partive populiste në zgjedhje, klasa politike gjermane duhet të ndërmarrë veprime. Sa për fillim, partitë politike duhet ta njohin populizmin 'e fshehur' gjerman, të tillë sikur që është: një sfidë serioze strukturore. Ata duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre që të arrijnë deri te votuesit e pakënaqur në të majtë dhe në të djathtë të cilët, me apo pa të drejtë, ndihen se iu është bërë e padrejtë në aspektin ekonomik, kulturor, apo politik. Këtu, procedurat pas zgjedhore mund ta kenë rolin vendimtar. Derisa vazhdimi i koalicionit aktual mund të duket gjë e preferuar në aspektin politik, ai mund ta forcojë edhe dorën e atyre që angazhohen për ndryshime radikale politike. Mund të duket paradoksale, por luftimi i ekstremizmit mund të kërkojë një centrizëm më të vogël politik. Në fakt, katër vjet të tjera të 'stabilitetit' në Berlin mund ta sjellin Sonderweg-un antipopulist gjerman deri te një përfundim të shpejtë. 

(Michael Broning është kryesues i Departamentit të politikës ndërkombëtare në "Friedrich-EbertStiftung", një fondacion politik që ka lidhje me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë) 
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)