"Kosova Sot", shpresa e vetme në përballje me të keqen dhe ndriçimin e së mirës

  • 21 September 2017 - 08:37

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

Tribunë për hapjen e shumë çështjeve

"Kosova Sot" është jo vetëm për klasën e "proletariatit", sikur do të thoshte dikush, por e zërit kundër korrupsionit, ryshfetit e nepotizmit, kundër degjenerimeve në 'Ligjin e Hipokratit', kundër prokurorive dhe gjyqeve, të cilat nuk kryejnë asnjë mbrojtje ligjore

Për gazetën "Kosova Sot" ka çka të thuhet e të diskutohet sot, por edhe nesër. Kjo është një histori dhe anatomi e përgjithshme për Kosovën dhe qytetarët e saj në periudhën e veprimtarisë nëntëmbëdhjetëvjeçare. Si medium që dha dhe po jep kontributin më të çmuar për shtresat e ndryshme sociale të këtij vendi. Nuk është dorëzuar para vështirësive të ndryshme, për këtë ka edhe lexuesit e vet besnikë, mirënjohje e dhurata më e çmuar për të.

Qëndresa gazetës "Kosova Sot"

Ka njerëzit e redaksisë, më parë pronarin, që janë shtylla e vetëdijes për çështjen kombëtare në Kosovë. Qëndresa edhe në çaste vështirësie për qëllimin e caktuar - informimin e drejtë të qytetarëve, është jo vetëm kënaqësi, por edhe heroizëm në pragun e shekujve dhe vijimin e veprimit me ngulm. Është te ky grup një vetëdije e lartë që rrjedh nga një kulturë e pacenueshme. Ushtrimi i kësaj veprimtarie dihet se kërkon mund dhe sakrificë. Por i jep shtytje dhe qëndresë qytetare atdheut të vet, një shteti të sapoformuar me përplot barbarizma, imitime, konvencionalitete subjektive, paradokse të një feudalizmi të shek. XIX me shtrirje të tillë politike. Do të thotë, një politikë që ushtrohet, shpeshherë me një vetëdije bajraktarizmi. Së voni fillova të bashkëpunoja edhe unë dhe e pashë se kjo gazetë nuk bën anime si nëpër kthesa e labirinte të ndryshme për përfitime ditore. Nuk bën imponimin e mendimit të askujt. Politika redaktuese nuk mbështetet në asnjë anësim të forcës financiare e kushtëzimeve tjera. Lexuesit ishin e janë të të gjitha shtesave të shoqërisë sonë. Ajo nuk u robërua nga pëlqimet dhe as kërcënimet e rastit. Bashkëpunëtorët, pjesa më e madhe ishin shumë të sinqertë. Ata peshonin të gjitha problemet që shfaqeshin në shoqërinë e një vendi, që sapo kishte filluar të qeverisej nga vetvetja. 

S'ka deri më sot ligj për klasën sunduese...

Guximi, krahas kërkesave të tyre, ishte pjesa kryesore e redaksisë dhe pronarit, gjë që e bëri t'i besohet prej kujtdo qoftë. Vërtet është vështirë kur njeriu nuk ka ku të paraqesë dukuritë deformuese që po shtriheshin dhe vijojnë të zgjerohen e të prekin kudo qytetarin tonë, në të gjitha sferat shoqërore: në arsim, shëndetësi, drejtësi, kulturë, etj. Terreni vërshohet dita më ditë prej uzurpatorëve politikë me anë të "misionarëve", të futur në të gjitha segmentet e administratës shtetërore. Në të gjitha vrimat klientelizma haset dhe e gjen në flagrancë. Kleptomanët ishin e janë të paskrupullt. Kjo sëmundje është ileti më i madh i shoqërisë. Dukej, e sheh si ëndërr. Një pjesë e qytetarëve u imunizuan, disa nga çështja e zorit, disa për nga lakmia. Për shkaqe të klientëve, mund shkatërrohej e deformohej cilido segment shoqëror, por te grupi sundimtar kjo nuk çonte dhe nuk e grish mendja nëse do të ketë pasoja në të ardhmen. Dëshmojmë, më parë, për atë që e dimë se arsimimi degradohej dhe jo vetëm arsimi. Dhe, ajo që e bëri me interes gazetën "Kosova Sot", tribunë të këtyre çështjeve, kur hapur bëri shpërfaqjen e manipulimeve dhe diktatit të një grupi me rrjetin e zgjeruar, të cilët e pronësuan shtetin dhe të gjitha të mirat e këtij vendi, jashtë të gjitha suazave ligjore. Pra, s'kishte dhe s'ka deri më sot ligj për klasën sunduese...

Të gjitha aferat janë gjykuar në këto faqe të kësaj gazete

Gazeta "Kosova Sot" e ka statutin e vet në vend, e te pjesa më e madhe e shqiptarëve, qytetarë të të gjitha shtresave - lexues të saj! Nuk ka nevojë për medalje të qeverive që po hyjnë e dalin pa lënë gjurmë në vendosmërinë e një drejtësie te ne, në vlerësimin e punës dhe të mospunës. Ajo duhet të mbetet e pavarur si gjithnjë. Është jo vetëm për klasën e "proletariatit", sikur do të thoshte dikush, por e zërit kundër korrupsionit, ryshfetit e nepotizmit, kundër degjenerimeve në 'Ligjin e Hipokratit', kundër prokurorive dhe gjyqeve, të cilat nuk kryejnë asnjë mbrojtje ligjore. Kundër të gjitha diplomave dhe doktoratave veç letër. Kundër të gjitha kontesteve që nuk kanë përfunduar në favor të palës me argumente, pas cilitdo rast që lidhet me njerëzit e politikës. Kundër kleptomanëve dhe uzurpatorëve. Të gjitha aferat janë gjykuar në këto faqe të kësaj gazete. Politika është instrumenti që përpiqet t'i mbulojë të gjitha gabimet, uzurpimet, grabitjet dhe përvetësimet ekonomike, si në tenderë e konteste tjera pronësore, dihet atëherë kur ishte është në lidhje ndonjëri prej atyre pjesëtarëve të klaneve politike. Kështu, dalëngadalë "Kosova Sot" e ka vërejtur çdoherë kur është bërë ecje e mbrapshtë e mafioze, si në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, janë gjykuar me shumë kujdes edhe mostransparenca e njerëzve tanë përgjegjës. Për të gjitha dukuritë në arsim, në ekonomi, në gjyqësi, janë vula në faqet e kësaj të përditshme, trajtimi në mënyrë adekuate i së cilave nuk do t'i fshihen në asnjë kohë. Nuk ka pasur mundësi për kamuflime në çfarëdo lëmi, krejt duke iu falënderuar gazetës në fjalë. Publiku i gjerë ju falënderon si redaksinë dhe pronarin e gazetës "Kosova Sot" në nëntëmbëdhjetëvjetorin e lindjes së saj, duke i dëshiruar që përherë të mbajë linjën e denjë në informimin e shpejtë e të drejtë dhe vlerësimin kritik të situatave. Kjo është shpresa e parë dhe fundit për shoqërinë shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Kjo është mbështetja e fundit, për të cilën kemi mjaft fjalë të mira dhe respekt.

(Kosova Sot)