Dekadenca demokratike

Dekadenca demokratike
  • 21 September 2017 - 08:46

Shkruan: SKËNDER MULLIQI

Po i paguajnë shumë shtrenjtë gabimet ton


Njerëzit e fuqishëm të politikës dhe nëntoka po e kontrollojnë sot Kosovën. Nuk ka gjë më tragjike se kur njeriun e kap droja se në Kosovë vetëm gjëra të këqija mund të ndodhin

Çdo dalje në zgjedhje duhet kuptuar si një test të ri. Sikurse nxënësit që i jepet rasti për të mos e humbur vitin. Edhe qytetarët e kanë mundësinë që të kuptojnë gabimet paraprake me rastin e dhënies së votës partisë së caktuar politike. Secilën palë zgjedhje duhet shfrytëzuar që të bëhen kthesa pozitive, e jo të përsëriten gabimet nga e kaluara. Si duket në Kosovë nuk po kuptohet si duhet rënia në provim, po përsëriten ato gabime pas secilës palë të zgjedhjeve. Qytetarët kurrë deri më sot nuk e morën hisen që u takojë dhe nuk e morën atë që u është premtuar gjatë fushatave elektorale. Po i paguajnë shumë shtrenjtë gabimet të cilat i kanë bërë duke i votuar ata njerëz të cilët gjatë këtyre viteve nuk u treguan të zotët për shtetndërtim, nuk u treguan të aftë dhe as nuk treguan interesim që të punojnë ndershmërisht.

Një turmë bazhibuzukësh

Është satisfaksion i keq të presësh që mbas çdo katër vitesh të bëhet mirë. Ky është ngushëllimi më i keq i mundshëm politik. Kur përsëritën budallallëqet, nuk kemi së si të justifikohemi për lëshimet dhe për dështimet e mëdha të cilat i bëjmë vetë. Duke vajtuar nuk riparohen gjërat, por ato riparohen duke punuar dhe duke pasur shumë kujdes se kë e legjitimojmë në zgjedhje. Sigurisht se është shumë vështirë të jesh njeri i politikës. Në Kosovë profesioni i politikanit është kuptuar si diçka që qitet në ankand publik, duke përjashtuar këtu talentin, zotësinë, përgatitjen profesionale, përgjegjësinë dhe moralin politik. Më së keqi është kur e humbim besimin, askush më nuk po e beson kë. Kjo elitë politike ka qenë ose është shndërruar në turmë bazhibuzukësh, janë shndërruar në rrenacakë dhe mashtrues, të cilët pa fije turpi po abuzojnë me të mirat shoqërore. Sot, në këtë dekadencë demokratike, gjithçka është shndërruar në interes, gjithçka mund të arrish vetëm nëse je i fortë materialisht dhe nëse je kontrabandist. Ata të cilët po arrijnë në pozita të larta pushtetare nuk po interesohen për asgjë që ka të bëjë në të mirën e qytetarëve. Teatri ynë politik është bërë i shëmtuar nga këta të shëmtuar të politikëbërjes. Po luajnë në skenë gjithfarë diletantësh politikë, të cilët sigurisht se vendin e kanë krejt diku tjetër. Na janë bërë ministra, deputetë, qeveritarë njerëzit të cilët po thirrën në dofarë meritash, e që nuk e kanë takatin për një punë të tillë .Po si është bërë e mundur që kemi rënë në këtë derexhe kaq të keqe, kur Kosova ka shumë intelektualë të cilët i kanë të gjitha mundësitë që proceset demokratike dhe proceset zhvillimore t'i çojnë përpara? Si ka mundësi të na ndodhë gjithë ky mos unitet edhe kur bëhet fjalë për çështje vitale nacionale? Si ka mundësi që mos të gjejnë gjuhë të përbashkët kjo elitë politike në pushtet, kur bëhet fjalë për fatin e Kosovës ? Ky është turpi ynë që nuk falet.

Politika pa ideologji

Mezi kemi arritur lirinë dhe pavarësinë, me sakrifica të mëdha njerëzore e materiale historikisht, e sot po luajmë keq me fatin tonë. Kur jemi unikë dhe kemi unitet çdo pengesë, sado e madhe, edhe mund të kapërcehet. Diskriminimi në punësim dhe në shumë çka tjetër ka arritur përmasa shqetësuese. Njerëzit e fuqishëm të politikës dhe nëntoka po e kontrollojnë sot Kosovën. Nuk ka gjë më tragjike se kur njeriun e kap droja se në Kosovë vetëm gjëra të këqija mund të ndodhin. Po kalojmë nëpër labirinte të pushtetarëve, e dihet së çfarë janë ato. Këta lart në pushtet janë bërë miq dhe shokë me njëritjetrin se në pyetje është ruajtja e interesave të ndërsjella. Të tjerët po i shohin si armiq dhe nuk ngurrojnë t'i rrënojnë. Shtrohet pyetja. Të kujt janë Qeveria dhe Parlamenti në të cilat ulen njerëzit dyfytyrësh ? A ka gjë me të keqe kur njerëzit shikohen dhe veprojnë sikur të ishin armiq e jo njerëz të një gjaku. Pothuajse sot gjithçka po funksionon mbrapsht, e më se keqi po funksionon politika…Në politikë gjithçka e ka strukturën ideologjike me ide të ndryshme. Kemi ideologji të të drejtave dhe lirive elementare njerëzore, kemi ideologjinë demokratike ,ideologjinë liberale, ideologjinë globale, ideologjinë nacionaliste …Të gjitha këto po shërbejnë si opium për të krijuar përçarje në popull. Politika pa ideologji është treguar si politikë pa moral dhe si politikë pa vlera …

(Kosova Sot)