Vakumi i lidershipit global

Vakumi i lidershipit global
  • 21 September 2017 - 21:49

Shkruan: Javier Solana

Gjermania dhe Kina janë ndër vendet kryesore, politikat ekonomike të të cilave kanë shkaktuar zemërimin e presidentit amerikan, Donald Trump. Derisa SHBA-ja ka deficitin më të madh të xhirollogarisë në botë, Gjermania dhe Kina kanë bilancet më të mëdha pozitive dhe kjo i irriton shumë Trump-in dhe këshilltarët e tij. Këshilltari kryesor i Trump-it, Peter Navarro, insiston se Kina është duke shtypur vlerën e valutës së saj, renminbi. Ajo që befason më së shumti, Navarro ka akuzuar edhe Gjermaninë, një aleat të Amerikës, për 'eksploatimin' e SHBA-së dhe partnerëve të saj evropianë, me anë të një euroje të devalvuar. Pjesa më e madhe e ekonomistëve pajtohen se akuzat e Navarro's kryesisht janë të pabaza. Vetë Trump ka pasur një qëndrim jostabil rreth kësaj çështjeje, duke e kundërshtuar Navarron në një rast, edhe pse ai në përgjithësi mbetet dyshues rreth politikave tregtare të partnerëve të SHBA-së.

Mbrojtja e palodhshme e vlerave humanitare

Që nga zgjedhja e Trump-it vitin e kaluar, Gjermania dhe Kina kanë qenë edhe ndër vendet kryesore për të cilat pritej ta zëvendë- sonin SHBA-në si lidere globale. Por, Gjermania dhe Kina janë dy vende krejtësisht të ndryshme dhe nuk ekziston ndonjë konsensus rreth asaj se a mundet, apo a dëshiron ndonjëri prej këtyre vendeve, ta zërë vendin e Amerikës. Si kancelarja gjermane, Angela Merkel, po ashtu edhe presidenti kinez, Xi Jinping, janë duke iu afruar ngjarjeve politike të brendshme, për të cilat pritet që ta forcojnë pozicionin e tyre udhëheqës gjatë viteve në vijim. Në Gjermani, Merkel është favorite për ta fituar një mandat të katërt si kancelare në zgjedhjet që do të mbahen më 24 shtator. Një fitore do ta vinte atë në binarë që të matej me 16 vitet në detyrë të Helmut Kohl-it, një kohëzgjatje, e cila tejkalohet vetëm nga Otto von Bismarck. Debatet parazgjedhore në Gjermani janë përqendruar te politika e Merkelit e 'dyerve të hapura', si reagim ndaj krizës së refugjatëve të vitit 2015. Mirëpritja e refugjatëve nga ana e Merkelit, e ka bërë atë cak të sulmeve të ashpra - duke përfshirë edhe vet Trump-in - dhe e ka energjizuar të djathtën ekstreme të Gjermanisë, kështu që Alternativa për Gjermaninë (AfD), me gjasë do të fitojë përfaqësues të zgjedhur në Bundestag për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Fatmirësisht për Merkelin, mbrojtja e palodhshme e vlerave humanitare nga ana e saj, nuk duket se i ka kushtuar shumë në formë të mbështetjes nga ata që e kishin votuar më parë. Ajo dhe partia e saj, Unioni kristian-demokrat, pësuan një rënie në anketa dhe në zgjedhjet e shteteve pas verës së vitit 2015, por ajo stuhi tani ka kaluar. Në fakt, politika e Merkelit ndaj refugjatëve në fakt e ka forcuar popullaritetin e saj në mesin e votuesve të rinj. Kah fundi i shekullit XX, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte përshkruar SHBA-në si 'shtet të pazëvendësueshëm'. Tani, gati 20 vjet më vonë, revista "Economist" e ka vlerësuar Merkelin si "evropiane të pazëvendësueshme". Por, sikur që ka tërhequr vërejtjen vetë Merkel, do të ishte 'groteske dhe absurde' që të pritej se ajo mund t'i bartë standardet e internacionalizmit liberal.

Trashëgimia e presidentit Xi është në rrezik

Për shkak të së kaluarës së saj, Gjermania është hezituese rreth kërkimit të rolit udhëheqës në skenën botërore. Por, në nivelin evropian, Merkel mund dhe duhet ta përdorë një mandat të katërt për ta rrënjosur një trashëgimi ndërkombëtare e cila mund të matet me peshën e saj politike. Pasi që t'i fitojë zgjedhjet dhe me një partner potencial te presidenti francez, Emmanuel Macron, ajo do ta ketë një mundësi ideale që të ndjekë masat e rebalancimit dhe forcimit të BE-së. Në ndërkohë, edhe trashëgimia e presidentit Xi është në rrezik. Në mes të tetorit, elita politike e Kinës do të mblidhet me rastin e Kongresit XIX kombëtar të Partisë komuniste të Kinës (CCP), një ngjarje e cila doemos do të përqendrohet te Xi. Vitin e kaluar, Xi ishte shpallur 'lider thelbësor' i CCP-së, një epitet të cilin paraardhësi i tij, Hu Jintao, kurrë nuk e kishte arritur. Në vitin 2015, Wang Qishan, dora e djathtë e presidentit Xi, i cili udhëhiqte kampanjën antikorrupsion, kishte ngritur pyetjen e 'legjitimitetit' të CCP-së, gjë që më parë do të ishte tabu. Derisa ekonomia e Kinës ka shënuar rënie gjatë viteve të fundit, CCP e di se më nuk mund të mbështetet vetëm te rritja, si garanci për pozitën e tij politike në sytë e kinezëve të rëndomtë. Kampanja antikorrupsion e presidentit Xi është komponent qendror i tregimit të ri legjitimizues të CCP-së. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për nacionalizmin, të cilin CCP e ka nxitur me anë të një politike të jashtme gjithnjë e më të ashpër. Sipas traditës së CCPsë, mandati i dytë pesëvjeçar i Xi-së, pritet që të jetë edhe i fundit për të. por, a do ta përdorë ai pozitën e siguruar rishtazi për të ndërmarrë reforma ambicioze ekonomike, kjo mbetet të shihet. Roli i tij në Kinë, pas vitit 2022, po ashtu nuk dihet ende. Në frontin e politikës së jashtme, Xi ka dhënë sinjale se mund të jetë i gatshëm që ta mbushë vakumin udhëheqës, të krijuar nga qasja e Trump-it "America First". Por, Kina nuk mund të shpresojë ta zëvendësojë SHBA-në nëse nuk e rritë 'fuqinë e saj të butë' dhe nëse nuk kultivon aleanca dhe partneritete, të cilat aktualisht i mungojnë. Kriza aktuale rreth Koresë Veriore, bëjnë që raportet midis Kinës dhe SHBA-së, gjatë epokës së dyshes Trump-Xi, do të karakterizohen nga një konkurrencë intensive strategjike. A do të ndikojnë pjesëmarrësit e tjerë, sikur Gjermania e Merkelit, apo me BE-ja si tërësi, që do të kyçen më pas, të sigurohen që një bashkëpunim i tillë i fuqive të mëdha të mos përkeqësohet deri në një pikë pa kthim? Përgjigjja në këtë pyetje me gjasë do ta përcaktojë atë se a do të ketë rendi ndërkombë- tar ndonjë rend për të cilin do të mund të fliste gjatë viteve në vijim.

(Javier Solana është president i Qendrës ESADE për ekonomi globale dhe gjeopolitikë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)