Duke lexuar Aristotelin

Duke lexuar Aristotelin
  • 22 September 2017 - 08:42

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Retorika është arti i bindjes së njerëzve

Në Shqipëri, historianët po i interpretojnë faktet ende me mllefin e luftës së klasave, ndërsa gjykatësit pragmatistë, arsyetojnë me parimin e fitimit maksimal, për xhepin e tyre

Aristoteli ka jetuar mbi 300 vite përpara Krishtit. Larg na çove, o Fatmir,- mund të shprehet dikush. Leximi i mendimtarit të ndritur,që kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit ,mendoj se është edhe histori, edhe aktualitet. Shkruan për retorikën. Retorika është arti i bindjes së njerëzve. Ka tre pjesëmarrës, folësin, dëgjuesin dhe për kë flitet. Ushtrohet në tri kohë të kaluarën,të tanishmen edhe në të ardhmen. Koha përcakton profesionet. Me të kaluarën merren historianët dhe avokatët. Specialiteti i tyre kërkon ndershmëri dhe profesionalizëm. Në Shqipëri, historianët po i interpretojnë faktet ende me mllefin e luftës së klasave, ndërsa gjykatësit pragmatistë, arsyetojnë me parimin e fitimit maksimal ,për xhepin e tyre. Të vjen keq, që edhe eruditët e ri arsyetojnë me mentalitetin komunist.

Zallamahia, e ngritur për riorganizimin e Akademisë së Shkencave 

Të parët, e patën me detyrim e përcaktim të mendonin si partia, po këta të rinjtë me çfarë arsyetimi mund të mbrohen? -Është gjeni,-e shpjegon shkurt një mjek. - Ndoshta,- më rrëshqet nga gjoksi. Për të tashmen ka shumë profesione që i shërbejnë njeriut,si ; mjekë; mësues; policë; ushtarakë; bukëpjekës; …….Pa i mbetur hatri askujt në krye janë politikanët. Janë mjeshtër të oratorisë. E marrin votën duke ua mbushur mendjen njerëzve. Për këtë kanë meritë, prandaj dëgjohen me vëmendje e duartrokiten me entuziazëm. Nuk flas për matrapazët politikanë, që nuk lënë gjë pa shpifur për kundërshtarin, apo tërheqin ca para, si pa dashje, nga prona publike. Ata hyjnë e dalin si meteorët në politikë. Me të ardhmen merren shkencëtarët. Ata, me dijet e tyre, duhet t'i prijnë shoqërisë. Aktualisht, në Shqipëri, edhe zyrat ua kanë marrë profesorëve të ndritur, me qëllimin e mirë për të zgjidhur strehimin. Zallamahia, e ngritur për riorganizimin e Akademisë së Shkencave, me pasion epik, është futur për zgjidhje në kalendarët grekë. Gjindja, duke parë këtë realitet, trishtohet për perspektive e fëmijëve. Sindikatat dhe shoqëria civile janë në gjumë letargjik, prej vitesh. Opozita sheh ëndrra te çadra e Republikës së Re, me hajmalinë e zotit Tramp në gjoks. Në këto kushte, për zgjidhje, kanë mbetur dy rrugica. Njëra është emërtuar Këshillim, tjetra lavdërim, gjithmonë vetëm për qeverinë. Politikanët e gjithditur nuk pranojnë këshilla. Kanë të drejtë. Nuk po na pranojnë këshilla për të ruajtur traditën kombëtare fëmijët tanë. Mësuesja, u ka shpjeguar, se traditat tona i privojnë nga të drejtat që kanë fëmijët në Stokholm, Vankuver, ….Të drejta e fëmijëve janë sanksionuar në OKB, UNICEF,…. dhe qeveria e jonë i ka ratifikuar pa asnjë ndryshim.

Punët u shkojnë mirë politikanëve

Mbetet të navigojmë në rrugicën e Lavdërimeve. Në fakt,tek-tuk, ka ndonjë politikan, kurë është në çakërrqejf, e shpreh në tavolina, se librat i ka zët. I mjafton informacioni i marrë nga gazetat. Thëniet e politikanëve të ndritur, gazetat i presin si shiu i pakët në verën e thatë. Dikush thotë se janë gazetaret që ua vënë në gojë thëniet, e të tjerë mendojnë se janë politikanët që ushqejnë gazetat. Ky konflikt, joantagonist , është si zgjidhesh enigmën: "Kush është e para pula apo veza!?" Politikanët tanë të ndritur nuk lënë gjë pa lexuar. Më shume bien në sy ata që kanë timonin e pushtetit në duar. Nuk mund të rri pa e thënë. Po të lexojnë Aristotelin dhe miqtë e tij të ndritur , si përpara e pas tij, që kanë dhënë kontribut në mendimin njerëzor ,punët do të shkonin më mirë e gazetat cilësore do të shiteshim më shumë. Hyre tek rrugica e Këshillave, me të drejtë mund të thotë dikush. Të dy rrugicat rrezatojnë nga sheshi Liria. Për të shkuar tek rrugica e Lavdërime, m'u desh të kaloja patjetër në krye të rrugicës Këshillime.

(Kosova Sot)