Si të funksionojnë sanksionet kundër Koresë Veriore?

Si të funksionojnë sanksionet kundër Koresë Veriore?
  • 22 September 2017 - 22:28

Shkruan: Yasheng Huang

Kina është vendi i vetëm, i cili mund ta detyrojë Korenë Veriore që ta ndryshojë politikën e saj bërthamore. Bashkësia ndërkombëtare duhet t'ia caktojë vetes për detyrë bindjen e Kinës që ta përdorë atë fuqi, duke e izoluar në tërësi ekonomikisht regjimin e Koresë Veriore. mJavën që shkoi, duke kundërshtuar ashpër sanksionet e reja të cilat Koresë Veriore ia vuri OKB-ja, regjimi i liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-Un, zbrazi një projektil balistik mbi ishullin japonez Hokaido - për herë të dytë brenda më pak se tri javësh. Por, në vend që ta bënte me dije se sanksionet nuk do të bënin punë, veprimi i Kimit tregoi se sanksionet duhet të shtrëngohen edhe më shumë. Sanksionet e fundit kufizojnë importimin e naftës, ndalojnë eksportimin e tekstilit, si dhe ndëshkojnë entitetet e caktuara të qeverisë së Koresë Veriore. Pas reagimit të Kimit, sanksionet duhet të ashpërsohen edhe më shumë, duke ndaluar tërë tregtinë nga Koreja Veriore dhe duke ndalur në tërësi importimin e naftës. Koreja Veriore është njëri ndër vendet më të izoluara në botë. Ky izolim është mallkim për vuajtjen e gjatë të popullit të Koresë Veriore, por një përparësi për strategjinë e bazuar te sanksionet, meqë nevojitet vetëm një vend që ta bëjë atë të funksionojë: Kina.

SHBA-ja është mbështetur te kërcënimet

Nga perspektiva ekonomike, Kina është vendi i vetëm i cili me të vërtetë ka rëndësi për Korenë Veriore, meqë ajo përbën gati 90% të tregtisë së jashtme të Koresë Veriore dhe, gati tërë nevojat e saj për naftë. Megjithatë, ekonomia e Kinës zor se do ta hetonte efektin e sanksioneve të reja: GDP-ja vjetore e Koresë Veriore, me vetëm 28 miliardë dollarë, përbën pak më shumë se një gabim statistikor për fqinjin e saj gjigant. Mungesa e alternativave të qëndrueshme tregtare, si dhe asimetria masive e fuqisë midis Koresë Veriore dhe atyre që ia kanë imponuar asaj sanksionet, nënkupton se një regjim i sanksioneve më të ashpra, do ta shtynte këtë vend në qoshe. Shtrohet pyetja se a do të bëjnë vështirësitë ekonomike që Koreja Veriore ta ndryshojë politikën e saj bërthamore. Edhe pse është vështirë të thuhet me siguri, një analizë e pjesës ekonomike të programit bërthamor të Koresë Veriore, jep përgjigje pozitive në këtë pyetje. Përkundër bindjeve të përhapura, armët bërthamore janë armë të të varfërve - jashtëzakonisht të lira krahasuar me armët konvencionale. Në fakt, ishte kjo arsyeja që shtyu BRSS-në kah prodhimi masiv i armëve bërthamore: duke parë se nuk mund të mateshin me armët konvencionale të SHBA-së, si shtet shumë më i pasur, liderët sovjetikë përqendruan resurset e limituara të vendit të tyre, në prodhimin e një arsenali bërthamor me potencial të madh shkatërrimi. Për këtë shkak edhe Koreja Veriore është përqendruar te armët bërthamore, e jo te ato konvencionalet. Në fakt, ka raportime për njëfarë vitaliteti në ekonominë e Koresë Veriore, me tregjet plot me mallra dhe me ndërtesa të reja, në ndërtim e sipër. Prandaj, edhe nevojiten sanksione më të ashpra për ta rritur çmimin ekonomik, të cilin regjimi duhet ta paguajë për programin e saj bërthamor. Edhe nëse Koreja Veriore nuk e ndryshon politikën e saj, një izolim i plotë ekonomik mund t'i japë fund programit të saj bërthamor, duke mbjellë përçarje të brendshme dhe, në fund, duke shkaktuar rënien e regjimit. Kina shpreson që ta evitojë mu këtë rezultat - gjë që është arsyeja kryesore pse ajo deri më tani ka refuzuar eskalimin e mëtejmë të sanksioneve. Kina shqetësohet se, rënia e regjimit të Kimit, do ta shkaktonte një krizë të madhe të refugjatëve, ku me miliona koreanë do të iknin në Kinë, në kërkim të ushqimit, strehimit dhe sigurisë, duke i ngarkuar Kinën me një kosto të lartë ekonomike dhe sociale. Për më tepër, liderët kinezë kanë frikë nga humbja e tamponit korean-verior, i cili e ndanë Kinën nga trupat amerikane, të stacionuara në Korenë Jugore. Duke pasur parasysh besimin e përhapur në qarqet politike kineze, se SHBA-ja në mënyrë sekrete shpreson që ta ribëjë Luftën e Koresë dhe ta formojë një Kore të bashkuar, aleat të SHBA-së, në kufijtë e Kinës, atëherë fuqia e këtij shqetësimi nuk duhet të nënvlerësohet. Administrata e presidentit Donald Trump e kupton rëndësinë qendrore që ka Kina për çdo strategji për kufizimin e ambicieve bërthamore të Koresë Veriore. Por, deri më tani, SHBA-ja është mbështetur te kërcënimet, sikur që është ndalja e 650 miliardë dollarëve të tregtisë bilaterale, me qëllim që Kina të bindet që të bashkëpunojë. Ky nuk është një shkop, por një bumerang i cili do ta godas Kinën dhe menjëherë do ta godiste edhe SHBA-në. Ajo që na nevojitet, janë karotat. Që Kina të bindet për ta izoluar Korenë Veriore në aspektin ekonomik, do të nevojitet që bashkësia ndërkombëtare ta arrijë njëfarë marrëveshjeje në lidhje me atë se si do të trajtohej rënia e regjimit, duke pasur parasysh shqetësimet kryesore të Kinës.

Nuk është koha që të pengohemi nga konventat dhe ideologjitë

Sa për fillim, tërë bashkësia ndërkombëtare, por sidomos SHBA-ja, duhet të deklarohen në mënyrë eksplicite se nuk do të përpiqen që ta ndryshojnë natyrën e regjimit të Koresë Veriore. Kjo dmth se, nëse vjen deri te rënia e regjimit të Kimit, atëherë SHBA-ja nuk do të angazhohet për ribashkim të Koreve. Në vend të kësaj, Kina duhet ta ushtrojë njëfarë kujdestarie politike primare ndaj Koresë Veriore, në rast se paraqitet ndonjë vakum politik. Më pas, trupat amerikane dhe ato të Koresë jugore, nuk do ta kalonin paralelin e 38-të. mBindja e Kinës për të imponuar sanksionet që potencialisht do ta shkatërronin regjimin, do të kërkojë edhe sakrifikim ekonomik, ku tërë bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA-ja, Japonia dhe Koreja jugore - do të përkushtoheshin për ndarjen e kostove të mëdha për strehimin e refugjatëve dhe për rindërtimin e ekonomisë së Koresë Veriore. Derisa Kina do ta mbulonte një hise substanciale të këtyre kostove, për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve historike me Veriun, ajo ka nevojë që të sigurohet se nuk do të lihet e vetme që ta bartë këtë barrë. Duhet të pranojmë se, kjo qasje, disi na rikujton një tjetër, të ndërmarrë në vitin 1945, në Konferencën e Jaltës, ku liderët e BRSS-së, Britanisë dhe SHBA-së përcaktuan sferat gjeopolitike të ndikimit në botën pas Luftës së dytë botërore. Mund të priten vërejtje morale dhe ideologjike. Por, është koha që të bëhemi realë. Rreziku bërthamor që vjen nga Koreja Veriore është serioz, imediat, si dhe kërkon një reagim të ashpër. Nuk është koha që të pengohemi nga konventat dhe ideologjitë, por është koha që të bëjmë çka të jetë nevoja për të zbutur tensionet bërthamore dhe për të mbrojtur jetët e atyre që janë nën mëshirën e regjimit të Kimit. Kina është shteti i vetëm i cili ka fuqinë që ta detyrojë Korenë Veriore ta ndryshojë politikën bërthamore. Bindja e kinezëve që ta ushtrojnë një ndikim të tillë, duhet të bëhet prioritet kryesor i liderëve botërorë.

 (Yasheng Huang është profesor i Ekonomisë globale dhe menaxhimit në Shkollën "Sloan") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)