Trump përqafon një BOTË POST-AMERIKANE

Trump përqafon një BOTË POST-AMERIKANE
  • 24 September 2017 - 16:08

Shkruan: Fareed Zakaria

Fjalimi i presidentit Trump në OKB ishte mirë i realizuar. Por, ai ishte një mishmash i çuditshëm i temave dhe tonit të zërit, në disa pjesë, duke lavdëruar realpolitikën, por më pas po ashtu, duke theksuar rëndësinë e lirisë dhe demokracisë. Por, në sy binte një temë thelbësore - përqafimi i nacionalizmit. Dhe, duke i mëshuar atij teli, Trump bëri diçka jo të zakonshme, ndoshta unike për një president të SHBA-së: ai inkurajoi, bile edhe përqafoi ngritjen e një bote post-amerikane. Së pari, mishmashi. Në fillim të fjalimit të tij, Trump deklaroi: "Në Amerikë, ne nuk duam që t'ua imponojmë mënyrën tonë të jetesës". Por, pak minuta më pas, Trump vazhdoi me qortimin e Koresë Veriore, Iranit, Venezuelës dhe Kubës, për shkak të sistemeve të tyre politike jo demokratike, duke kërkuar virtualisht që të gjitha këto vende të bëhen demokraci liberale të stilit perëndimor. Rreziku që vjen nga një retorikë e këtillë përçmuese, ka të bëjë me faktin se ajo aplikohet në mënyrë selektive, prandaj edhe konsiderohet cinike nga pjesa tjetër e botës dhe si mënyrë e mbrojtjes së interesave amerikane. Trump e ngriti këtë hipokrizi në një nivel të ri. Ai e denoncoi Iranin për mungesë të lirisë dhe, gati me të njëjtën frymë, përmendi për të mirë Arabinë Saudite. Sipas çdo parametri - të të drejtave politike, tolerancës fetare, fjalës së lirë - Irani është një shoqëri shumë më e hapur sesa Arabia Saudite, e cila është një monarki absolute, me establishmentin më fanatik fetar në botë, ku kishat dhe sinagogat janë të ndaluara.

Fjalia më e rëndësishme në fjalimin e Trump-it

Elementi kryesor në fjalimin e Trump-it ishte ai i nacionalizmit. Ai lavdëroi sovranitetin dhe nacionalizmin, duke marrë një shembull të çuditshëm. Duke përmendur pak fjalë të presidentit Harry S. Truman, në mbështetje të Planit Marshall, Trump e përshkroi këtë qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare si "të bukur" dhe "fisnik". Por, a mundet ndokush që ta imagjinojë Trump-in, duke mbështetur Planin Marshall? Ai ishte një plan masiv i ndihmave të jashtme, i administruar nga burokratët qeveritarë, me qëllim që t'u ndihmohej shteteve (të huajve) për ringjalljen e industrive të tyre, të cilat më pas u bënë konkurrente me kompanitë amerikane. Sipas një vlerësimi, si përqindje të GDP-së, Uashingtoni shpenzoi rreth pesë herë më shumë sesa që shpenzoi gjatë fazës luftuese të Luftës në Afganistan. Për ta bërë Planin Marshall funksional, Uashingtoni inkurajoi shtetet evropiane që të hiqnin dorë nga sovraniteti ekonomik dhe ta krijonin Komunitetin evropian të qymyri dhe çelikut, i cili më pas shërbeu si themel për krijimin e BEsë. Fjalia më e rëndësishme në fjalimin e Trump-it ishte kjo, e thënë në mënyrë dramatike: "Si president i SHBA-së, gjithmonë do ta vendos Amerikën në rend të parë, sikur që ju, si liderë të vendeve tuaja, gjithmonë do ta veni dhe duhet ta veni vendin tuaj në rend të parë". Por, mu këtë e kanë bërë Kina dhe Rusia gjatë disa dekadave të fundit. Gjatë 70 viteve të fundit, debati më i madh midis shteteve është zhvilluar midis atyre që angazhoheshin për interesa të ngushta shtetërore dhe atyre që besonin se paqja dhe prosperiteti i qëndrueshëm varen nga promovimi i interesave më të gjera, të përbashkëta.

Kina do të dominojë dhe do ta transformojë OKB-në

Qëndrimi i fundit, i përpiluar nga FD Roosevelt dhe i mbështetur nga çdo president amerikan pas tij, ndikoi në themelimin e OKB-së dhe të gjitha organizatave, të cilat monitorojnë dhe ndihmojnë tregtinë, udhëtimin, trajtimin e sëmundjeve, luftimin e krimit dhe çështjet klimatike, midis tjerash, të cilat nuk kufizohen vetëm brenda kufijve të një shteti dhe të cilat mund të trajtohen vetëm në një nivel regjional, apo global. Por, Trump është lodhur duke qenë lider i botës. Në fjalimin e tij ai tha se vendet e tjera nuk janë të drejta në marrëdhëniet e tyre me SHBA-në dhe se, në njëfarë mënyre, shteti më i fuqishëm në botë, i cili dominon thuajse në çdo forum ndërkombëtar, është duke u mashtruar. Zgjidhja e tij, një rikthim te nacionalizmi, do të mirëpritej me ngrohtësi nga shumica e lojtarëve botëror - sikur p.sh. Kina dhe Rusia, por edhe nga vendet si India dhe Turqia - të cilat janë të prira që të veprojnë në bazë të interesave të tyre të ngushta. Natyrisht, kjo do të nënkuptonte një përshpejtim dramatik të një bote post amerikane, në të cilën këto vende do të formësoni politikat dhe institucionet, duke u bazuar paturpshëm te interesat e veta, e jo te interesi më i gjerë. Trump u ankua për faktin se SHBA-ja paguan 22% të buxhetit të OKB-së, gjë që, në fakt, është shumë adekuate, për shkak se ajo është thuajse e barabartë me hisen e SHBA-së në GDP-në botërore. Nëse ai do ta zvogëlonte mbështetjen që jep SHBA-ja, atëherë do të habitej se sa shpejt ndonjë vend si Kina do të dilte në pah për ta mbushur atë boshllëk. Dhe, pasi që ta bëjë një gjë të tillë, Kina do të dominojë dhe do ta transformojë OKB-në, si dhe agjendën globale, mu ashtu sikur që ka bërë SHBA-ja gjatë shtatë dekadave të fundit. Ndoshta kinezët do të sugjeronin, që selia e OKB-së të zhvendosej në Pekin. Kur jemi te kjo, një veprim i tillë do të lironte me hektarë të tërë të tokës në Ist River, ku Trump do të mund të ndërtonte ca apartamente shtesë.

 (Kosova Sot)