Gjermania, Greqia dhe e ardhmja e Evropës

Gjermania, Greqia dhe e ardhmja e Evropës
  • 27 July 2015 - 08:11

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

Presioni i tepruar mbi Athinën jep kundërefekt

Kreditoret tregohen të pamëshirshëm 

Formula e suksesit qëndron te kombinimi i reformave me lehtësimin e borxheve, në përputhje me nevojat reale të ekonomisë

Ka 30 vjet që i ndihmoj vendet në tejkalimin e krizave financiare dhe, si pjesë të punës sime, kam bërë një studim të thuktë të krizave ekonomike të shekullit XX. Në të gjitha krizat ekziston një disbalancë e qenësishme e fuqisë midis kreditorëve dhe debitorit. Për këtë shkak, menaxhimi i suksesshëm i krizës varet nga mençuria e kreditorëve. Në këtë aspekt, apeloj fuqishëm te Gjermania që ta rishqyrtojë qasjen e saj ndaj Greqisë. Një krizë financiare shkaktohet nga borxhet e tepruara, të cilat në fakt reflektojnë një kombinim të keqmenaxhimit nga vendi debitor, optimizmi i tepërt, korrupsioni dhe vlerësimi i keq dhe stimulimi i dobët nga bankat kreditore. Greqia i plotëson të gjitha këto kushte.

Greqia kishte shumë borxhe kur u bashkua me eurozonën në vitin 2001, me borxhin e qeverisë prej rreth 99% të GDP-së. Si një anëtare e re, megjithatë, Greqia ishte në gjendje për të marrë hua pa probleme gjatë periudhës 2000-2008 dhe raporti i borxhit ndaj GDP-së u rrit në 109%.
Kur prosperiteti i një vendi varet nga fluksi i vazhdueshëm i kapitalit, një ndalesë e papritur ose rimarrja e flukseve financiare shkakton një tkurrje të mprehtë. Në Greqi, kreditimi i lehtë ishte ndalur me krizën globale financiare të vitit 2008. Ekonomia ishte zvogëluar për 18% midis viteve 2008-2011 dhe papunësia u rrit nga 8% në 18%.
Shkaku më i dukshëm ishin shpenzimet e ulëta të qeverisë, e cila kishte reduktuar kërkesën agregate. Punonjësit e sektorit publik kishin humbur punët e tyre. Me rënien e të ardhurave, erdhi edhe deri te rënia në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Një faktor tjetër në kolapsin ekonomik të Greqisë është më pak i qartë: tkurrja e kredisë bankare. Pasi që bankat humbën aksesin e tyre ndaj linjave ndërbankare të kredive nga jashtë, ato kufizuan kreditimin. Edhe kursimtarët familjarë tërhoqën depozitat e tyre, nga frika për aftësinë paguese të bankave dhe për vazhdimin e anëtarësisë së vendit të tyre në eurozonë.

Në rrethana normale, ekonomitë kapërcejnë një krizë të borxhit duke shkurtuar deficitet qeveritare, duke zhvendosur prodhimin nga shitjet e brendshme për eksportet, dhe duke rikapitalizuar bankat. Të hyrat e suficitit buxhetor dhe eksportit lejojnë ekonominë që ta servisojë borxhin e saj të jashtëm, ndërsa rikapitalizimi i bankave lejon rizgjerimin e kredive.

“Masat e shpëtimit” veç sa e fundosen ekonominë greke 

Nëse rritja e eksportit është mjaft i madh dhe i shpejtë, të ardhurat që ajo sjell kryesisht kompensojnë rënien e kërkesës së brendshme, dhe prodhimi i përgjithshëm stabilizohet apo edhe i kthehet rritjes. Spanja, Irlanda dhe Portugalia ishin të gjitha në gjendje që ta bënin një gjë të tillë. Por, jo edhe Greqia. Në fakt, të ardhurat greke nga eksporti në vitin 2013, me 53 miliardë euro, ishin për 3 miliardë euro më të vogla sesa në vitin 2008, edhe pas rënies së kërkesës së brendshme.

Kjo nuk është për t'u habitur, për tri arsye. Së pari, për shkak se paketat e shpëtimit të Evropës nuk rikapitalizuan sektorin bankar grek (fokusi ishte në dorëzaninë nga bankat gjermane dhe franceze), eksportuesit potencial nuk mund të merrnin kredi operative të nevojshme për të mbështetur nevojat e tyre. Së dyti, baza ekonomike e Greqisë është tepër i ngushtë për ta mbështetur një rritje të ndjeshme afatshkurtër në eksporte. Së treti, pengesat administrative, rregullatore dhe pengesat e taksave kishin penguar reagimin e eksportit, veçanërisht pasi që rritja e taksave në paketat e shpëtimit e kishte bërë edhe më të vështirë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të rriteshin për të krijuar tregje të reja jashtë vendit.
Sipas mendimit tim, përgjigjja politike nga partnerët e Greqisë, të udhëhequr nga Gjermania, ka qenë e pamatur dhe shumë joprofesionale. Qasja e tyre ka qenë për të zgjeruar kredi të reja në mënyrë që Greqia të mund t’i servisonte borxhet e veta ekzistuese, pa rimëkëmbjen e sistemit bankar grek, ose nxitjen e konkurrencën së eksportit të saj. Pakoja fillestare e dorëzanisë greke, prej 110 miliardë eurosh, në vitin 2010, shkoi për t’i paguar borxhet e qeverisë për bankat gjermane dhe franceze. Si rezultat, Greqia detyrohet për një pjesë gjithnjë e më të madhe të borxhit të saj ndaj kreditorëve zyrtarë: Fondit Monetar Ndërkombëtar, Fondit të Stabilitetit Financiar Evropian, dhe, gjithnjë e më shumë, Bankës Qendrore Evropiane. Derisa borxhet e Greqisë ndaj kreditorëve privatë kanë qenë pjesërisht të zvogëluara, kjo ishte shumë pak dhe shumë vonë, sepse Greqia nuk mundet as t’i servisojë borxhet e saj ndaj kreditorëve zyrtarë.

Pse u la në baltë Antonis Samaras?

Vit pas viti, kreditorët e Greqisë kanë premtuar se paketa e shpëtimit do të sjellë një reagim kuptimplotë në prodhimit, punësimit dhe eksporteve. Në vend të kësaj, vendi ka përjetuar një depresion të krahasueshëm me rënien e prodhimit dhe punësimit që Gjermania vuajti gjatë viteve 1930-1932, vitet që i paraprinë ngritjes së Hitlerit. Shumë gjermanë mund ta urrejnë qeverinë aktuale Syriza në Greqi, e cila kishte premtuar për t'i dhënë fund politikës së imponuar nga kreditorët imponuar kursimit; por katër qeveri të njëpasnjëshme – ajo e qendrës së majtë, teknokratike, e qendrës së djathtë dhe qeveria e majtë - e kishin zbatuar atë.

Të gjitha këto qeveri kishin dështuar. Ndoshta qeveria e qendrës së djathtë e Antonis Samarasit për periudhën 2012-2015 ishte më së afërmi që të kishte sukses, por ajo nuk mundi të mbijetonte politikisht ndaj kursimit të rëndë i cili i ishte imponuar. As kreditorët e Greqisë nuk bënë asgjë për ta ndihmuar qeverinë e Samarasit, edhe pse kjo ishte një qeveri të cilën ata e pëlqenin.
Për ta kapërcyer një krizë ekonomike, kreditori duhet të jetë i zgjuar dhe i matur. Është e drejtë për të kërkuar reforma të forta nga një qeveri e keqmenaxhuar e vendit debitor; por në qoftë se ndaj debitorit ushtrohet një presion i tepruar, atëherë është shoqëria ajo që e pëson, duke çuar në paqëndrueshmëri, dhunë, grushtshtet, dhe vuajtjet e përhapura njerëzore. Edhe ose debitori humbë më së shumti, kreditorët gjithashtu humbin, pasi atyre nuk iu paguhen borxhet.
Formula e suksesit qëndron te kombinimi i reformave me lehtësimin e borxheve, në përputhje me nevojat reale të ekonomisë. Një kreditor i zgjuar i Greqisë do të bënte disa pyetje serioze dhe testuese. Si mund t’i ndihmojmë Greqisë për të marrë kredi për të lëvizur përsëri në sistemin bankar? Si mund ta ndihmojmë Greqinë për t’i nxitur eksportet? Çfarë është e nevojshme për të nxitur rritjen e shpejtë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme greke?

Krahasimet me Gjermaninë e viteve 1920

Për pesë vjet, Gjermania nuk i ka shtruar këto pyetje. Në të vërtetë, me kalimin e kohës, pyetjet janë zëvendësuar nga frustrimi gjerman ndaj grekëve të plogësht, të korruptuar dhe të pakorrigjueshëm. Gjërat janë bërë të shëmtuara dhe personale në të dyja anët. Dhe kreditorët kanë dështuar që ta propozonin një qasje realiste ndaj borxheve të Greqisë, ndoshta nga frika e Gjermanisë se Italia, Portugalia dhe Spanja mund të kërkojë lehtësime të tilla më vonë.

Cilado qoftë arsyeja, Gjermania e ka trajtuar Greqinë keq, duke dështuar që të ofrojë lehtësim dhe ndjeshmëri, analiza, dhe lehtësime të borxhit, që ishin më se të nevojshme. Dhe, nëse ajo e bëri këtë për t’i trembur Italinë dhe Spanjën, atëherë asaj duhet t’i kujtohet imperativi kategorik i Kantit: Vendet, sikur edhe individët, duhet të trajtohen si qëllime, e jo si mjete.
Kreditorët janë nganjëherë të mençur dhe nganjëherë tepër të trashë. Amerika, Britania dhe Franca ishin tepër të trashë në vitin 1920 duke imponuar pagesat të tepërta të dëmshpërblime ndaj Gjermani pas Luftës së Parë Botërore. Në vitet 1940 dhe 1950, Shtetet e Bashkuara ishin një kreditor i mençur, duke i dhënë Gjermanisë fonde të reja në bazë të Planit Marshall, të pasuara nga lehtësimet e borxhit në vitin 1953.

Në vitet 1980, Shtetet e Bashkuara ishin një kreditor i keq kur kërkonte pagesat e tepruara të borxhit nga Amerika Latine dhe Afrika; në vitet 1990 dhe më vonë, ajo u bë më e mençur, duke nxjerrë lehtësimin e borxheve në tryezë. Në vitin 1989, Shtetet e Bashkuara ishin të zgjuara duke t’i dhënë Polonisë lehtësimin e borxheve (gjë që e bëri edhe Gjermania, megjithëse pa qejf). Në vitin 1992, insistimi i saj i trashë për ta ashpërsuar servisimin e borxhit rus nga epoka sovjetike, mbolli farën për marrëdhëniet e hidhura të ditëve të sotme.
Kërkesat e Gjermanisë kanë sjellë Greqinë në pikën pranë kolapsit, me pasoja potencialisht katastrofike për Greqinë, Evropën dhe reputacionin global të Gjermanisë. Kjo është një kohë për dituri, jo për ngurtësi. Dhe, urtësia nuk është butësi. Ruajtja e një Evrope paqësore dhe të begatë është përgjegjësia më e rëndësishme e Gjermanisë; por ky është me siguri edhe interesi më vital kombëtar i saj.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm, profesor i politikave të shëndetshme dhe të menaxhimit dhe drejtor i Institutit “Earth” në Universitetin “Columbia”)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”