Himera e reformës franko-gjermane

Himera e reformës franko-gjermane
  • 07 October 2017 - 15:42

Shkruan: Hans-Helmut Kotz 

Himera e reformës franko-gjermane

Fati i çdo agjende të BE-së - qoftë ajo e Juncker-it, apo Macron-it - varet nga Merkel

Gjatë muajit të kaluar, presidenti i Komisionit evropian, Jean-Claude Juncker dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë zbuluar vizione ambicioze për të ardhmen e Evropës. Agjendat e reformave të të dy liderëve do ta kërkojnë një përfitim të një elektorati gjerman, i cili është duke shkuar në drejtimin e kundërt. Një e vërtetë e qëndrueshme në SHBA është se e tërë politika është lokale. Duket se mençuria e njëjtë mund të aplikohet (deri në një masë) edhe te BE-ja, agjenda e së cilës kohëve të fundit varet nga politikat nacionale të shteteve anëtare. Kjo veçanërisht është e vërtetë në lidhje me institucionet e eurozonës, të cilat, sikur që do të pajtohen të gjithë, kanë nevojë urgjente për reforma. Në fakt, mbështetja e eurozonës ishte emërues i përbashkët i fjalimeve kryesore të presidentit të Komisionit evropian, Jean-Claude Juncker dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Në fjalimin e tij tradicional, Juncker nënvizoi fuqishëm vizionin e tij ambicioz për të ardhmen e Evropës. Ai apeloi te BE-ja që ta kompletojë unionin e saj bankar, ta formojë një ministri evropiane të financave dhe ta zgjerojë buxhetin e nivelit të BE-së. 

Merkel di shumë mirë ta gjejë mesin dhe ta vërejë kur dhe si lëviz ai

Macron, në një fjalim të mbajtur në Sorbonë, preku çështjet që shtrihen nga mbrojtja dhe siguria, deri te reforma e eurozonës dhe ndarjet politike të Evropës. Por, ai la shumë gjëra pa thënë. Dhe, në linjë me rolin e tij si lider nacional, perspektiva e tij ishte ndër qeveritare, e jo e komunitetit. Megjithatë, që të dy fjalimet kishin qëllim të qartë që ta fusnin në kornizë debatin politik i cili është duke u zhvilluar në Gjermani, ku Unioni Kristian-demokrat (CDU) i kancelares Angela Merkel është duke u përpjekur që ta formojë një qeveri të re të koalicionit. Shumë vëzhgues kanë shpresuar se zgjedhjet federale gjermane do ta hapnin një 'dritare të mundësive' për reforma të nivelit të BE-së. Por, tani duket sikur një dritare e tillë tanimë është mbyllur. Fati i çdo agjende të BE-së - qoftë ajo e Juncker-it, apo Macron-it - varet nga Merkel, për të cilën nuk ka të ngjarë që ta bëjë ndonjë lëvizje të rëndësishme politike. Në fakt, veprimet intensive, që janë propozuar nga Juncker dhe Macron, nuk janë vetëm jo karakteristike për Merkelin, por ato do të kërkonin edhe që ajo të investojë tërë kapitalin e saj politik që i ka mbetur. Përgjatë karrierës së saj, Merkel gjithmonë është sjellë, jo pa logjikë, sikur qëllimi kryesor i saj të ishte që të rizgjidhej. Dhe, meqë CDU do të donte të dominonte në qeveri, ajo gjithmonë ka kërkuar që ta fitonte shumicën duke u përqendruar te votuesit gjermanë të mesit të spektrit politik. Merkel di shumë mirë ta gjejë mesin dhe ta vërejë kur dhe si lëviz ai. Në bazë të kësaj, ajo përshtatë idetë e konkurrentëve të saj. Derisa ishte në post, ajo caktoi rrogën minimale, uli moshën e pensionimit në 63 (për ata me 45 vjet të kontributeve), si dhe legalizoi martesën e së njëjtës gjini - politika të cilat janë anatema ndaj konservatorizmit tradicional, por që tani gëzojnë një mbështetje të gjerë popullore. 

Dizajni institucional i eurozonës me gjasë do të mbetet i pakompletuar

Sikur që shpjegoi ekonomisti amerikan Harold Hotelling në vitin 1929, ata që duan ta bëjnë mesin për vete, kanë një tendencë të paqëllimshme që ta imitojnë njëritjetrin. Sipas kësaj, CDU dhe konkurrenti i saj kryesor, Social-demokratët, është gjithnjë e më vështirë që të dallohen. Dhe, si konkluzion, partitë më të vogla në kërkim të terrenit elektoral, kanë qenë dashur që të targetojnë minoritetet politike, ku shumë prej tyre kanë preferenca dhe bindje të forta. Meqë CDU dhe SPD humbën mbështetjen në zgjedhjet e fundit, ku partia e fundit vendosi që të mos hyjë kësaj radhe në qeveri, Merkel do të jetë e detyruar që të formojë koalicion me partitë e tilla. Por, asnjë parti tradicionale gjermane, e lëre më atë të Merkelit, nuk do të qeverisnin me fraksionin e tretë më të madh në Bundestag, Alternativën për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë me qëndrim anti-BE, e cila mori 13% të votave. Kjo bën që të mbeten vetëm Demokratët e lirë (FDP), të cilët janë liberalë në aspektin evropian, por po ashtu të frustruar nga problemet e eurozonës. FDP-ja po ashtu është tepër kundër çdo marrëveshjeje e cila transferon paratë gjermane te shtetet e dobëta anëtare. Për këtë shkak gjatë kampanjës, FDP-ja kishte tërhequr një vijë të kuqe ndaj furnizimit të BE-së me një kapacitet fiskal, nën çfarëdo emri. Dy propozime të tjera të FDPsë - një mekanizëm për ristrukturimin e borxhit sovran, me qëllim që të detyrohen kreditorët që ta marrin përgjegjësinë për veprimet e veta, si dhe tërheqja e përkohshme nga valuta e përbashkët për vendet me borxhe tepër të mëdha - munden që t'i komplikojnë edhe më shumë çështjet për reformatorët e eurozonës. Idetë e FDP-së gëzojnë një mbështetje të gjerë në Gjermani dhe në mesin e ekonomistëve gjermanë. Dhe, ato janë konsistente me pozicionin që mbante ministria gjermane e Financave në qeverinë e kaluar. Por, politikat që do të mund të funksiononin në një botë perfekte, mund të jenë të rrezikshme nëse aplikohen në tregjet e botës reale, tepër jo të përkryera. Sikur që pamë një dekadë më parë, institucionet financiare që operojnë në një ambient të pasigurisë, mund të bëhen të brishta dhe të pësojnë kolaps, me një kosto të lartë për shoqërinë. Ideja e një daljeje të përkohshme nga eurozona, posaçërisht është e gabueshme. Nëse do të formalizohej një opsion i tillë, atëherë tregjet do ta paguanin një çmim për këtë, ku vendet anëtare pa tregje të thella të kapitalit, do ta paguanin një premi. Normat e tyre të interesit do të ishin nominalisht më të larta dhe, në kushte të paqëndrueshme, ato janë të prira që të ballafaqohen me probleme në lidhje me investitorët institucionalë. FDP-ja zhvilloi një kampanjë të bazuar te opsioni i daljes dhe, liderët e saj, pasi që kanë katër vjet jashtë parlamentit, nuk do të rrezikojnë kredibilitetin e tyre duke u tërhequr nga një gjë e tillë tani. Dhe, përkundër kësaj, disa deputetë të CDU-së, si dhe më shumë të tillë nga partia e saj simotër në Bavari, Unioni Kristian-Social, kanë simpati ndaj qëndrimeve të FDP-së. Anëtari i tretë i mundshëm në koalicionin e ri të Merkelit, janë të Gjelbrit, të cilët nuk do të kishin gjasa të mëdha të krijonin kundërbalancë ndaj këtyre forcave të brendshme. Një problem tjetër ka të bëjë me faktin se, as Juncker e as Macron, nuk kanë dhënë shumë detaje. Dizajni aktual i një buxheti të ardhshëm të eurozonës, ende mbetet i paqartë. I paqartë është edhe procesi për mbajtjen përgjegjës të ministrit të Financave të eurozonës dhe për ta siguruar legjitimitetin demokratik të tij. Po ashtu, nuk është e qartë se sa sovranitet nacional do të humbet, në emër të një kapaciteti të përbashkët fiskal. Zgjidhja e këtyre problemeve do ta kërkojë një nivel të sipërmarrësisë politike, gjë që deri më tani nuk është demonstruar nga Merkel. Për t'iu bashkuar Projektit Evropian të Macronit, asaj do t'i duhet që ta marrë një rol tërësisht të ri dhe ta ekspozojë veten ndaj rreziqeve të mëdha politike. Gjermania do të duhej ta merrte iniciativën: në vend që të refuzonte propozimet, asaj do të duhej ta ofronte një propozim të vet. Një sjellje e tillë zor se mund të pritet nga një qeveri e cila, për shkak të borxhit që ka ndaj votuesit mesatar gjerman, heziton në veprimet e saj. Qendra politike gjermane është zhvendosur dhe është duke shkuar në një drejtim tjetër sesa ai ku gjenden Juncker dhe Macron. Si rezultat i kësaj, dizajni institucional i eurozonës me gjasë do të mbetet i pakompletuar. 

(Hans-Helmut Kotz, drejtor programi i Qendrës politike SAFE në Universitetin "Goethe" në Frankfurt, është profesor i ekonomisë në Qendrën për studime evropiane të Universitetit të Harvardit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot''. 

(Kosova Sot)