Kosova është lodhur?!

Kosova është lodhur?!
  • 07 October 2017 - 16:30

Shkruan: Skënder MULLIQI

Makineria propagandistike e elitave politike

Moto: Shoqëria dhe politika bëhen vetëm me njerëz të ditur

Shumica janë mërzitur, mllefosur, demoralizuar dhe të gjitha këto nuk po vlejnë ama bash asgjë në këtë shoqëri. Jemi lodhur të gjithë me zgjedhje pas zgjedhjeve nacionale dhe komunale, të cilat nuk sollën deri me sot ndonjë të mirë për këta njerëz të këtij nënqielli

Shumica janë lodhur në këtë vend të lodhur në secilin plan të jetës dhe të punës. Thellë në brendi të trupit dhe të qenies jemi mbushur me  derte të jetës, të cilat na kanë lodhur fizikisht, shpirtërisht , emocionalisht...Kolumnet si zakonisht publikut i sjellin një lloj të shikimit dhe të sqarimit të aktualitetit politike, ekonomik dhe socialë …Shumë deri më sot kam bërë komente të ndryshme me qëllimin më të mirë. Parësore për mua kanë qenë dhe janë  fenomenet e jo njerëzit. Shkruesi i këtyre shkrimeve është lodhur edhe me shumë kolegë të tjerë. Dhe, kjo lodhja jonë nuk do të thotë ama bash asgjë sikur gjithë këto negativitete, të cilat e kanë vërshuar Kosovën të kthehen në pozitivitete. Duket se pak gjë do të këtë nga kjo punë ! Sikur ky popull është mësuar të vuajë, sikur kurrë  nuk po mëson nga pësimet. Shumica janë mërzitur, mllefosur, demoralizuar dhe të gjitha këto nuk po vlejnë ama bash asgjë në këtë shoqëri. Jemi lodhur të gjithë me zgjedhje pas zgjedhjeve nacionale dhe komunale , të cilat nuk sollën  deri me sot ndonjë të mirë për këta njerëz të këtij nënqielli. Pamë kandidatura, pamë logo, pamë  spote dhe koncepte bajate politike. Pamë joseriozitet, pamë dhe shijuam në lëkurën tonë shumë të këqija gjatë këtyre viteve që as shtaza nuk i duron.

Jemi bërë inertë karshi kësaj klase politike reaksionare

Elitat politike në pushtete futën në funksion të gjitha makinerinë propagandistike  karshi të gjitha vlerave shoqërore. E gjithë kjo bëri që në vend të stabilitetit politik dhe stabilitetit ekonomik të kemi jo stabilizim të duhur të shoqërisë, dhe të kemi edhe tradhti karshi qytetarëve dhe shtetit. Po iu bëjmë ende duartrokitje njerëzve të njëjtë në pushtet, të cilët grabitën çdo të mirë materiale. Fjala mafi për çudi ka marrë konotacion pozitiv, në vend të ndëshkimit. Jemi bërë inertë karshi kësaj klase politike reaksionare, të cilat nuk i kanë dy lidhje se çka është politika dhe çka është shteti. Kanë vërshuar fytyrat karikaturale, të cilat janë bërë për transport mbeturinash. Jemi lodhur nga partitë politike të pa ndonjë koncepti të duhur politik dhe zhvillimor. Kosova është lodhur nga këta liderë. Kjo çka po i servohet Kosovës nga kjo kastë politike është mjerimi ynë, është fati ynë i keq. Ky popull i lënë pas dore po gjendet ashtu si po di dhe po mundet. Populli është lodhur nga historia, të cilën sikur nuk po e kupton dhe të cilës po i çuditet…Kosova është lodhur nga fabrikat, të cilat nuk po punojnë dhe as që do të punojnë, se nuk ka kush t’i vërë në funksion dhe as t’i ndërtojë të rejat. Kosova është lodhur nga zbrazja e qyteteve dhe e fshatrave, duke mbetur gjithnjë e më shumë në pleq e plaka. Shkollat gjithnjë e më shumë po mbesin më me pak shkollarë.

 

 

MT: Të lirohemi nga iluzionet dhe nga mashtrimet

 

 

Kosova ka mbetur në margjinat e civilizimit, të cilin kurrë deri më sot nuk arriti ta prekë si duhet…Kosova është lodhur nga përçarjet politike, përçarjet krahinore e regjionale. Kosova ka mbetur shumë larg Evropës, sepse në pushtet janë ngjitur ata të cilët e duan një Kosovë vetëm për vete. Unë do t’u lutesha të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, që bashkërisht, pa dallim partish politike, pa dallime krahinore, të bëhemi pjesë aktive e shoqërisë, se vetëm kështu edhe mund ta ndryshojmë gjendjen për të mirë, se jeta shpejt po kalon. Të lirohemi nga iluzionet dhe nga mashtrimet, të cilat po na servohen që shumë kohë. Jeta, shoqëria dhe politika bëhen vetëm me njerëz të ditur. Jemi lodhur me zgjedhje sterile, me politikëbërje si lopa që bën bajgën. Mos ta fundosim jetën dhe të ardhmen e brezave që po vijnë. Vlen që të luftojmë deri në fund për një jetë më të mirë dhe më të begatshme. Kosova mundet dhe ka kapacitete që shumë më mirë të organizohet. T’i lutemi të gjithë Zotit që të bëhet mirë, se edhe lodhja si barrë e rëndë mbi supe sadopak na kalon!