Kush ishte informatori në mesin se studentëve?

Kush ishte informatori në mesin se studentëve?
  • 08 October 2017 - 10:41

Shkruan: Ibrahim Kelmendi

 

Abudullah Prapashtica: "Pas pak erdhi Ali Lajqi së bashku me disa studentë. Unë tani isha vetëm dhe fillova të bisedoj me ta! Biseda po zgjatej dhe unë kërkova që të bisedoj me Aliun në 4 sy, prandaj i larguam pak studentët e tjerë. Kështu filloi nata e gjatë e 25 marsit 1981!" 

Nuk është sajuar kot proverbi "ujku kimen e ndërron, por jo zanatin". Më duket, sikur

nuk është mjaft ta diskreditoj Abdullah Prapashticën, vetëm si ish-UDB-ash! Ai me këtë "bisedën në katër sy" prodhon insinuatën, sikur i ka dhënë instruksione Ali Lajqit, çka duhet të

bëjë gjatë asaj nate. Ndërsa deri sot askush nga pjesëmarrësit nuk ka thënë, se ka

pasur një "bisedë në katër sy" në mes të Ali Lajqit dhe Abdullah Prapashticës, në atë kohë dhe në atë konvikt. Vetëm demantimi nuk mjafton. Do të duhej të kishte konsekuenca për komplotistin kuisling, Abdullah Prapashtica.

 

Abdullah Prapashtica:"Atëherë e arritëm marrëveshjen që të nesërmen, më 26 mars 1981, të takohemi në  Hotel “BOZHUR”, në qendrën e Prishtinës. Dhe krejt në fund i thashë : '… eja, por mos i merr me vete krejt studentët… sepse nesër është edhe pritja e Stafetës…!' Mirëpo, nuk e kisha të qartë, nëse porosia ime u kuptua nga ai! Kështu mori fund biseda mes nesh,  në orët e vona të mbrëmjes së 25 marsit 1981!" Në vazhdimin e katërt, gjegjësisht të fundit, në këtë fragment, Abdullah Prapashtica është i përçartë. Sikur kjo bisedë paskësh qenë fragment i bisedës me Ali Lajqin, "në katër sy".

Spekulim pas spekulimi, për të plasuar insinuata, sikur ai ishte instruktori orientues i protestës së 26 marsit 1981. Tani, sikur e paskësh sinjalizuar që duhet nesër të mobilizonte studentët për të protestuar kundër parakalimit të stafetës së Titos. Përse jo porosi konkrete, meqë paskësh qenë bisedë në katër sy?! Prandaj, edhe ky lloj spekulimi rrit mosbesimin ndaj rrëfimeve të Abdullah Prapashticës.

 

Abdullah Prapashtica: "Unë nuk kisha njeri timin mes këtyre studentëve, por së shpejti mora lajmin nga Nevruz Isufaj se, në mesin e këtij grupi studentesh, gjendet një informator i tij, që më duket se ishte tezak i tij, që ishte absolvent në Shkencat Matematikore, me mbiemrin Pepshi! Informacionet, nga ai tek unë, më vinin përmes Nevruzit, sepse unë nuk njihesha me atë." Ky është kulmi i UDBA-shit Abdullah Prapashtica! Komunikova me Sylë Mujën dhe e pyeta kush duhet të jetë studenti me mbiemrin Pepshi. Ai më tha se ka qenë Muhamet Pepshi, por ai, atë natë, nuk ka qenë fare në mesin e studentëve të mbledhur në dhomën e Sylë

Mujës, nr. 401, dhe se ai student, nuk duhet të ketë qenë informator i UDB-së. Në

atë dhomë kanë qenë, pos Sylë Mujës, Ali Lajqi, Bajram Kosumi, Riza Demaj, Ibrahim

Nikqi, Abdullah Tahiri, Hamdi Hajdini, etj., por jo edhe Muhamet Pepshi.

 

Marrëveshja mes studentëve dhe autoriteteve universitare dhe atyre politike e shtetërore nuk u arrit

 

Abdullah Prapashtica: "Ali Lajqi i ka njoftuar studentët për çka ka ndodhur dhe për bisedën time me të, dhe i ka  paralajmëruar se mund të ketë arrestime, për protestën e 11 marsit 1981. Ky grup studentësh do të hartojë kërkesat për Rektorin e Universitetit, Gazmend Zajmi, të cilat janë kërkesa tipike studentore. Grupi i Ali Lajqit mori vendim për bllokimin e Qendrës të Studentëve, deri në plotësimin e kërkesave të tyre studentore. Pos kësaj, asnjë kërkesë  politike! Kjo filloi të më brengoste dhe fillova t’i humb shpresat se, më 26 mars 1981 mund të ndodhte diç më tepër!"

Sërish edhe një spekulim, i shoqëruar me insinuatë. Por, disi nuk po përputhet rrëfimi për vendimet e studentëve në atë dhomë, me porosi të Abdullah Prapashticës, të më sipër cituara,

pavarësisht faktit se po dezinformon, sikur ta kishte në atë dhomë Muhamet Pepshin, si informator. E, ai nuk ka qenë, siç dëshmon Sylë Mujaj. Përse i duhej ta humbte shpresën AP, kur e kishte angazhuar "shtabin e demonstratave"?! Edhe një dëshmi rastësore, se ai nuk e kishte atë "shtab", por është një simulim mashtrues, për ta bërë më atraktiv skenarin e tij komplotues.

Abdullah Prapashtica: "Unë, posa u ndava nga Ali Lajqi, shkova në zyrën time dhe, në telefon, e njoftova Hasan Mehmetin se “…nesër kemi demonstrata…” dhe i tregova se çka ka ndodhur  me inspektorët e Pejës dhe me Ali Lajqin. Por, për bisedën time me Ali Lajqin, Hasan Mehmetit nuk i ia thashë asnjë fjalë!"

Sërish spekulime. Abdullah Prapashtica e di se Hasan Mehmeti duhet të ketë mbajtur shënime për bisedën, prandaj, nga meraku se mund të dekonspirohet shpifja, që ka biseduar me

Aliun në katër sy, këtu gënjen, sikur qëllimisht nuk e ka informuar Hasanin. Edhe po

të kishte ndodhur biseda me Aliun, ku e dinte Aliu se nesër do të kishte demonstratë, që Abdullah Prapashtica ta informonte shefin e tij, Hasan Mehmetin: "…nesër kemi demonstrata…”?!

Abdullah Prapashtica: "Pas kësaj bisede, unë u takova edhe me shokët e mi të ilegales dhe i njoftova mbi gjendjen. Pastaj u ktheva përsëri në Qendrën e Studentëve, ku e takova përsëri Zymber Zymberin. Ishim në vëzhgim nga zyra e drejtorit, deri në mëngjes. (...) Orët po kalonin dhe studentët posa u zgjuan nga gjumi e vërejtën se Qendrën e Studentëve e kishte bllokuar grupi i Ali Lajqit. Disa dolën me zor nga qendra, ndërsa shumica iu përgjigjen  pozitivisht grupi i Ali Lajqit, në kërkesën e tyre që të qëndrojnë në Qendër! Gjatë natës ishin takua dy kryesitë e komiteteve, në nivel të Prishtinës, dhe në nivel të Kosovës.

Ishin mobilizuar tërë forcat policore në Kosovë dhe, bashkë me Njësinë e Veçantë, ishin

postuar në rrugët anësore, rreth Qendrës së Studentëve, por pa u pa prezenca e tyre nga

Qendra. Ishin ftuar aktivet e LKJ-së në Universitet dhe Rektori Gazmend Zajmi. (...) më i zëshmi

nder ‘ta ishte Azem Vllasi! U bisedua gjerë e gjatë, por marrëveshje mes studentëve dhe

autoriteteve universitare dhe atyre politike e shtetërore nuk u arrit!"

No coment!

 Lansojeni kërkesën për Republikën e Kosovës

Abdullah Prapashtica: "Nga ora në orë, në drejtim të Qendrës së Studentëve filluan të vinin edhe nxënës e studentë të tjerë, nga qyteti e rrethina. Në momentin kur e vlerësova se ishin pjekur kushtet për veprim, shkova te Sekretari Organizativ i PKMLSHJ, Osman Osmani, në shtëpi, e zgjova nga gjumi dhe e njoftova mbi gjendjen. I thashë se ka ardhur koha për  veprim, andaj ai të marrë aktivistët e shtabit dhe të hyjnë në mesin studentëve në Qendër! Dhe kur ju ta vlerësoni se ka ardhur momenti, lansoni kërkesën për Republikën e Kosovës dhe nisuni drejt qendrës të qytetit. Kështu edhe u veprua! Osman Osmani, para se të nisej për në Qendër, paraprakisht kishte njoftuar edhe vëllezërit Ahmeti. Bashkë me Osmanin, në Qendër të Studentëve, me rastin e fillimit të demonstrimit, iu kishin komunikuar demonstruesve që të brohorasin vetëm kërkesën  për Republikë. Kanë qenë edhe shokët e tij, Adem Krasniqin e Osman Bytyqi. Në Qendër të Studentëve kanë arritur edhe Fatmir Grajqevci, Adem Prapashtica, Martin Çuni, me shokë e shoqe të tjera."

Merre me mend, "nga ora në orë, në drejtim të Qendrës së Studentëve filluan të vinin edhe nxënës e studentë, dhe Abdullah Prapashtica, pas atyre orëve e grumbullimeve, shkon te "sekretari organizativ", Osman Osmani, e atë e gjen ende në gjumë. "Shtab" se jo mahi!

 

Abdullah Prapashtica: "Tani, për punën e Shtabit për Demonstrata nuk po flas më tepër, nga ky moment, sepse ato i dinë më mirë se sa unë, në detaje, vetë Osman Osmani dhe shokët e tjerë, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të tyre."

Me gjasë, tashmë u bë i vetëdijshëm Abdullah Prapashtica, se ka spekuluar e sajuar mjaftueshëm dhe se i janë harxhuar fantazitë, edhe çka tjetër duhet të spekulojë?.

 

Abdullah Prapashtica: "Shkova edhe vetë për të parë, se a gjendet ndokush nga Shtabit ynë për Demonstrata, në mesin e të arrestuarve. Në mesin e të arrestuarve e gjeta vetëm vëllain tim, Adem Prapashticën! Të tjerët kishin arritur me kohë të dalin nga rrethimi! Unë e nxora edhe Ademin, me disa studentë të tjerë, nga rrethimi. Por, kur ai u burgos, herën tjetër, pas disa muajve, unë më nuk isha aty!"

Fatkeqësisht, Abdullah Prapashtica duhet ta kenë angazhuar me komplote të reja në emigracion, meqë demonstratat në Kosovë, ia kanë dalë t'i shtypin me gjak e të vrarë. Duhet të angazhoheshin kuadro profesionistë, të zot e të besueshëm, si Abdullah Prapashtica, që të mund ta komplotonin edhe emigracionin patriotik, meqë atë nuk kishin mundësi ta shtypin me dhunë policore, si në Kosovë

(Kosova Sot)