Të flasësh për shëndetin mendor pas vrasjeve masive

Të flasësh për shëndetin mendor pas vrasjeve masive
  • 08 October 2017 - 11:32

"Ai ishte njeri i sëmurë, me demencë", tha presidenti Trump, duke u përpjekur që të shpjegonte vrasjet më të fundit masive në SHBA. Këtë mendim e dëgjojmë shpesh, pas çdo incidenti të ri. Por, kjo është dredhi, një shtrembërim i fakteve dhe një bishtnim i përgjigjes së nevojshme. Nuk ka asnjë dëshmi se vrasësi nga Las Vegasi ishte i çmendur (nuk preferoj ta përmend emrin e tij dhe ta bëjë të njohur, qoftë edhe pas vdekjes). Ai nuk kishte një të kaluar të sëmundjeve mendore për të cilën jemi në dijeni, e as nuk ka njoftime se ai ishte sjellë si një i sëmurë mendor. Ai qartazi ishte një njeri i keq, apo të paktën, një njeri i cili bëri diçka me të vërtetë të keqe. Por, e keqja nuk është çmenduri. Nëse tentimin për ta marrë jetën e një qenieje të pafajshme njerëzore e cilësojmë si çmenduri, atëherë çdo vrasës është i çmendur. Nëse jo, atëherë duhet të pranojmë se kjo është një shprehje e pakuptimtë, e cila nuk na ndihmon që ta kuptojmë këtë problem.

 Amerika ka 14 herë më shumë armë sesa Britania

Aktualisht, supozimi i shpejtë rreth sëmundjes mendore, e shtrembëron diskutimin. Së pari, kjo njollosë personat me sëmundje mendore. Personat e tillë nuk janë të prirë më shumë se ne ndaj dhunës. Ata më shpesh janë viktima të dhunës, sesa ushtrues të saj. Dhe, edhe përkundër faktit se disa prej tyre me të vërtetë janë të dhunshëm, ata më shumë kanë të ngjarë që ta dëmtojnë veten e tyre. sëmundjet mendore më shumë shkaktojnë vetëvrasje, sesa vrasje. Së dyti, arsyetimi i menjëhershëm i vrasësit me 'sëmundje', duke apeluar me fisnikëri për një kujdes më të mirë mendor, në të shumtën e rasteve paraqet largim të vëmendjes nga çështja kryesore: armët. Çdo bisedë rreth vrasjeve me armë duhet të fillojë me pranimin e qartë të këtij fakti - SHBA-ja gjendet në një planet të vetin. Shkalla e vrasjeve të shkaktuara me armë në SHBA është dhjetë herë më e lartë sesa ajo në vendet e tjera industrialisht të zhvilluara. Vendet sikur Japonia dhe Koreja jugore thuajse nuk kanë fare raste të vrasjeve me armë. SHBA-ja i ka rreth 30,000 vrasje të tilla në vit. Kjo shpërputhje është fakti qendror i cili duhet të studiohet, shpjegohet dhe adresohet. Kur të shikohet nga ky kënd, bëhet e qartë pse përqendrimi te shëndeti mendor është dredhi. Shkalla e sëmundjeve mendore në SHBA nuk është as për së afërmi sa 40 herë shkalla e tillë në Britani. Por, shkalla e vrasjeve me armë, është. Amerika ka më shumë se 14 herë më shumë armë sesa Britania, për kokë banori dhe shumë më pak kufizime për posedimin dhe përdorimin e këtyre armëve. Ky është raporti evident të cilin e kemi para syve, derisa insistojmë që të bisedojmë rreth çdo çështjeje tjetër të mundshme. Dhe, ky nuk është thjesht një rast i vetëm që SHBA-ja është e ndryshme nga vendet e tjera të zhvilluara. Të dhënat që analizojnë dhunën me armë në SHBA, tregojnë një lidhshmëri të ngushtë. Shtetet që kanë shkallën më të lartë të posedimit të armëve bërthamore, kanë ndër shkallët më të larta të vrasjeve me armë (Alaska, Uajomingu, Montana, Arkanzasi), e ato që kanë shkallë të ulët të pronë- sisë së armëve, kanë shkallë të ulët të vdekjeve të shkaktuara nga armët (Nju Jorku, Nju Xhersi, Konektikati, Rod Ajlend). Më pas kemi ato që duken sikur eksperimente sociale shkencore. Në njërën anë, Konektikati miratoi një ligj në vitin 1995, i cili vështirësoi blerjen e armëve. Gjatë dekadës vijuese, vrasjet e shkaktuara nga armët ishte 40% më e ulët sesa që ishte pritur, po të mos miratohej ligji, sipas kërkuesve shkencorë të Universitetit "Johns Hopkins". Në anën tjetër, Misuri në vitin 2007 e lehtësoi me të madhe blerjen e armëve. Gjatë pesë viteve të ardhshme, vrasjet e shkaktuara nga armët shënuan një rritje prej 25%, krahasuar me atë që pritej.

Kultura amerikane e armëve

Trajtimi i këtij problemi është një çështje më e komplikuar, e vështirësuar sidomos nga fakti se ne refuzojmë që ta studiojmë atë. Njëra nga agjencitë më të mëdha qeveritare që sponsorizon kërkimet në shëndetin publik, Qendrat për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC), për dy dekada e ka pasur të ndaluar me ligj që të bënte ndonjë kërkim rreth dhunës së armatosur dhe politikës publike. Në një ligj të vitit 1996 gjendet një provizion, i mbështetur nga Shoqata kombëtare e armëve, i cili ua ndalon CDC-ve financimin e kërkimeve shkencore të cilat mund të mbështesin kufizimin e posedimit të armëve. Në SHBA, në vitin 2017, ne kemi një ndalesë ndaj kërkimeve shkencore të cilat mund të çojnë deri te konkludimet jo konveniente. Duke pasur parasysh Amendamentin e dytë, kulturën amerikane të armëve dhe lobin e fuqishëm të armëve, nuk ka një përgjigje të thjeshtë për këtë problem. Por, ka shumë korrigjime të vogla të cilat do ta bënin një ndryshim të madh: kontrollimi i së kaluar së pronarëve të armëve; kufizimi i armëve të ngjashme me armët e ushtrisë; ndalimi i blerjes së armëve për njerëzit që kanë histori të dhunës familjare, apo të abuzimit të substancave. Por, së pari duhet të ndalim dredhitë dhe diversionet. Duke pasur parasysh kokëfortësinë dhe mosveprimin e Amerikës në lidhje me këtë epidemi të vazhdueshme të armëve, që do të mund të kontrollohej - ndonjëherë e pyes veten, mos vallë të gjithë ne amerikanët jemi të çmendur?

(Kosova Sot)