Nuk ka të ardhme për Rusinë e kthyer nga e kaluara

Nuk ka të ardhme për Rusinë e kthyer nga e kaluara
  • 09 October 2017 - 09:46

Shkruan: Susan B. Glasser

Tani mund të thuhet se Vladimir Putin ka shërbyer si lider suprem më gjatë sesa çdokush tjetër, që nga Josif Stalin. Me 17 vjet në post (deri më tani), muajin e kaluar Putini ia kaloi Leonid Brezhnevit, shefit vetulltrashë të Politbyrosë, ku qëndrimi i tij i gjatë në pushtet, nga vitet 1960 deri në fillim të viteve 1980, ishte bërë sinonim i ngecjes gjatë Luftës së ftohtë. Dhe, Putin nuk jep asnjë shenjë se është i gatshëm që, së shpejti, të tërhiqet nga pushteti. Ish-nënkoloneli i KGB-së i cili u bë president natën e Vitit të Ri në vitin 1999, kur kishte 47 vjet, ka gjasa që të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër gjashtëvjeçar, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Deri më tani, Putin ka frymëzuar, provokuar dhe në ndonjë mënyrë tjetër ka ndikuar që të shkruhen me rafte të tëra librash, që tentojnë ta shpjegojnë ngritjen e tij të jashtëzakonshme, e aq më tepër qëndrimin e tij të gjatë në pushtet. Janë të paktë librat që janë aq ambiciozë, aktualë, analitikë dhe direkt sikur libri më i fundit i Masha Gessenit, "The Future Is History: How Totalitarianism Reclaimed Russia" (E ardhmja është histori: Si u kthye totalitarizmi në Rusi). Gessen është gazetare dhe autore e lindur në Rusi, e cila u kthye në Moskë gjatë periudhës së saj të shkurtër demokratike, pas kolapsit të BRSS-së, për t'u kthyer përsëri në SHBA, pas presionit të Putinit. Ajo deri më tani ka shkruar disa kronika rreth Putinit dhe epokës së tij, duke përfshirë edhe një biografi bestseller, "The Man Without a Face" (Njeriu pa fytyrë). Esetë e saj të ashpra, që tërhiqnin vërejtjen rreth flirtit të presidentit Trump me Putinin, si dhe autoritarizmit të tij frikësues, e kanë bërë atë një intelektuale publike, shumë të pëlqyer nga të tjerët. Por, libri i saj i fundit është edhe më i miri deri më tani, meqë paraqet një histori gjithëpërfshirëse të Rusisë gjatë katër dekadave të fundit, të shpjeguar me anë të një galerie Tolstoyane të personazheve. Ky libër dëshmon se Homo Sovieticus, kjo specie unike, e krijuar një shekull më parë nga Revolucioni bolshevik, nuk vdiq bashkë me BRSS-në.

Viktimat e dy despotëve të shekullit XX

Nëse me këtë pohim të saj mund të pajtohen të gjithë, kjo nuk mund të thuhet për përfundimin provokativ të Gessenit, se Rusia e Putinit është po aq totalitare sa edhe BRSS-ja e Stalinit, apo Gjermania e Hitlerit. Shumë lexues do të jenë skeptikë rreth terminologjisë së përdorur, duke pasur parasysh se viktimat e dy despotëve të shekullit XX tejkalojnë në një masë të madhe viktimat e Putinit. Gessen mundohet të arsyetohet duke cituar teoricienë të totalitarizmit, sikur Hannah Arendt dhe Erich Fromm dhe duke thënë se, sikur që thotë njëri prej personazheve të saj, "Rusia është një totalitarizëm i kthyer, rekurent, sikur një infeksion rekurent; sikur edhe te infeksioni, rekurenca mund të mos jetë aq vrastare sa sëmundja fillestare, por simptomat e saj janë më të dallueshme sesa ato të sëmundjes së parë". Pa marrë parasysh se si e quani Rusinë e Putinit, nuk keni nevojë që të pajtoheni me vlerësimet e Gessen-it, për të parë se libri i saj është një padi e trishtë e një vendi ku ajo kishte lindur, një vendi aq të traumatizuar nga e kaluara e tij e vështirë, saqë duket se është duke e përsëritur atë. Vdekja e së ardhmes së Rusisë ishte e paracaktuar, një fakt i cili tani është vështirë të kujtohet, pasi që Putin ka sunduar për një periudhë kaq të gjatë dhe ka pasur ndikim të madh në politikën amerikane, përtej hetimeve rreth intervenimit të tij në zgjedhjet e SHBAsë të vitit 2016. Por, kjo ia vlen që të mbahet mend, meqë Putin në fakt filloi si presidenti më i pashpresë i Rusisë, për të cilin pakkush do të besonte se, një ditë, do ta sfidonte Stalinin në aspektin e qëndrimit në post. Gjatë mandatit të parë të Putinit unë raportoja nga Moska për gazetën "Washington Post" dhe, ato vite dolën të ishin një periudhë kyçe, derisa Putin e konsolidonte pushtetin, duke eliminuar burimet e kundërshtimit, real dhe potencial. Por, asokohe as për së afërmi nuk ishte e sigurt se cili do të ishte rezultati i këtij eksperimenti. Shumë njerëz, duke përfshirë edhe personazhet e Gessenit, ishin optimistë, me shpresën se, përfundimisht, Rusia do të fillonte të bëhej një vend "normal, i civilizuar".

Pikëpamja totalitare

Libri "The Future Is History" tregon se si vdiq kjo shpresë. Për ta rrëfyer atë, Gessen ofron një roman jo fiktiv rus, një tregim të qetë me katër personazhe kryesore dhe tre protagonistë intelektualë. Rrëfimet e tyre shtrihen përgjatë gati 500 faqeve, nga 'mungesa e mallrave gjatë viteve 1980' dhe 'frikat e viteve 1990', deri te 'ndjenja e fikjes, që mbizotëroi gjatë viteve 2000'. Më pas flitet për gjendjen aktuale, e cila karakterizohet nga një gjendje e vazhdueshme e tmerrit të intensitetit të ulët. Kjo është pak a shumë një strukturë e ngathët dhe, në disa raste, është vështirë të përcillen të gjithë, por Gessen di si të gjejë njerëz interesantë, duke filluar nga Lyosha, një i ri homoseksual në një qytet provincial anti-gej, e deri te Masha, e bija e një gruaje pa burrë, një biznesmene nga Moska, dhe deri te Seryozha, nipit të arkitektit të reformave të liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev. Në kohën kur rrëfimi i Gessenit arrin përfundimin e tij dramatik, në protestat dhe presionin që pasoi rizgjedhjen e Putinit në vitin 2012, ne ndajmë dhembjen e Zhanna Nemtsovas, kur i ati i saj, politikani opozicionar Boris Nemtsov, i fundit nga demokratët e rinj të viteve 1980 që vazhdonte të protestonte kundër Putinit, vritet nën hijen e Kremlinit

Reformat e Perestrojkës së Gorbachevit

Ajo që e bën këtë libër kaq të vlefshëm për mua, ka të bëjë me observimet e tij rreth Rusisë, nga pikëpamja e atyre që përjetojnë kthimin e saj te një shtet i dorës së fortë. Në këtë aspekt ndihmon fakti që Gessen është pjesëmarrëse, e jo vetëm një vëzhguese, e aftë që ta përkthejë këtë botë në mënyrë adekuate për lexuesit perëndimorë. Fusnotat e saj janë të mbushura me burime në gjuhën ruse, të cilat e dallojnë Gessenin nga autorët e tjerë, të cilët gjuhë amtare kanë anglishten dhe, libri i saj ka shumë elemente të cilat janë aty falë faktit që Gessen kishte jetuar në Moskë. Për shembull, në fillim të librit, ajo godet metaforën perfekte sesi reformat e Perestrojkës së Gorbachevit ishin përshëndetur në ambientin intelektual të Moskës gjatë viteve 1980: ajo i imagjinon ata si flluska ajri, që dilnin nga dritaret e ngushta "fortochka", që shihen në çdo apartament qyteti në Rusi, një shpërthim i freskët i oksigjenit, të injektuar në një dhomë sovjetike, përndryshe hermetikisht të mbyllur. Në thelbin e tij, ky është një libër rreth inteligjencës së Moskës, i treguar nga njëri prej tyre dhe Gessen ia del që të shkruajë në mënyrë interesante rreth akademikëve të lodhur, të cilët mundoheshin që t'i kuptonin ndryshimet sizmike në vendin e tyre, derisa tentonin që ta imagjinonin një tjetër, të ri. Njëri nga tre intelektualët të cilët i përcjell ajo, është Marina Arutyunyan, e cila sjell psikanalizën perëndimore në një Rusi që kishte nevojë të madhe për terapi; një tjetër është Aleksandr Dugin, i cili llapashitet në atë që ai e quan bolshevizëm nacional, para se të bëhej ideologu kryesor nacionalist i krahut të djathtë në Rusi dhe promotor i asaj që tani e quajmë Putinizëm. Ylli i tretë, i pamundur, i librit, është sociologu Lev Gudkov, i cili vazhdon me këmbëngulje që të mbështetet vetëm te të dhënat edhe kur shifrat rrëfejnë një storje të cilën ai nuk dëshiron ta dëgjojë. Së pari takojmë Gudkovin si një dishepull të ri të të ndjerit Yuri Levada, pionierit të kërkimeve të pavarura anketimore në BRSS dhe, së bashku, ata tentojnë që ta dokumentojnë vdekjen e Homo Sovieticusit. Por, më tej, në libër, Gudkov ballafaqohet me fleksibilitetin dhe ringjalljen e asaj të cilën ai fillon ta konsiderojë si pikëpamje totalitare te populli, sikur edhe te sundimtarët e tij. Të dhënat nuk rrejnë. Që në fillim të vitit 1994, një dekadë para se Putini ta quante shkatërrimin e BRSS-së si "katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX", anketat tregonin se vetëm 8% të njerëzve mendonin që kolapsi sovjetik ishte një zhvillim pozitiv, dhe 75% e të të anketuarve mendonin se ngjarja e tillë kishte sjellë më shumë dëm, sesa dobi.

Dy ngjarje dallohen si momente vendimtare të kthimit të Rusisë te totalitarizmi

Dhe, ishte Gudkovi ai i cili solli ato që mund të konsiderohen si shenjat më evidente dhe depresive të këtij revanshizmi: barometrin e Stalinit. Në vitin revolucionar 1989, kur gazetat sovjetike ishin të mbushura me keqbërjet e epokës staliniane, që për një kohë të gjatë ishin mbajtur sekrete, 12% e të të anketuarve i kishin thënë qendrës së Gudkovit se Stalini ishte në mesin e "njerëzve më të mëdhenj të të gjitha kohëve". Deri në vitin 2003, kjo përqindje ishte rritur në 40%. Jo rastë- sisht, Stalini tani ka një vend në listë bashkë me Putinin; 32% e të të anketuarve nga anketa e Gudkovit, mendojnë se Putini duhet të konsiderohet si njëri nga njerëzit më madhështorë të të gjitha kohëve. Arutyunyan mund të jetë psikiatër, por analisti i të dhënave Gudkov është ai që sajoi diagnozën e "totalitarizmit rekurent", për të shpjeguar këto të dhëna alarmante. Duket se kemi të bëjmë me një sëmundje të pashërueshme. Pjesët më të freskëta dhe më interesante të librit "The Future Is History", janë ato kur Gessen bën një analizë të thellë të këtyre viteve të fundit, derisa bëhet e qartë se Rusia e Putinit është ajo që shkencëtarët e quajnë fuqi agresive, revizioniste, që pushton vendet fqinje sikur Gjeorgjia dhe Ukraina dhe që nuk e toleron opozitën në vend.

Vrasja e Boris Nemtsovit

Gessen thotë se dy ngjarje dallohen si momente vendimtare të kthimit të Rusisë te totalitarizmi: protestat në sheshin Bolotnaya të vitit 2012; dhe marrja e Krimesë në vitin 2014. Raportimi i saj rreth këtyre ngjarjeve është veçanërisht i fortë, dhe derisa i lexoni ata rreshta, ju duket sikur gjendeni në rrugë, me protestuesit sikur Masha dhe të dy Nemtsovët, derisa ata kuptojnë përfundimisht se "budushchego net" - "nuk ka të ardhme". Vrasja e Boris Nemtsovit në shumë mënyra paraqet përfundimin tragjik të librit dhe unë nuk mund t'i lexoj kujtimet e bijës së tij rreth asaj humbjeje, pa rikujtuar Nemtsovin të tillë sikur që e njihja: një njeri të pashëm, një politikan të palodhshëm, i cili gjithmonë kishte kohë për një intervistë. Hera e fundit që e pashë atë në Moskë, ishte në dimrin e vitit 2013. Ishte koha menjëherë pas protestave të sheshit Bolotnaya dhe Nemtsov më tha të takoheshim në një kafene, afër sheshit. Më pas, ai insistoi që të ecnim deri te vendi ku ishin zhvilluar protestat. Këtu ishte kordoni policor, këtu u arrestova, tregonte me krenari Nemtsov, i cili e trajtonte sheshin sikur të ishte ndonjë vend i shenjtë, duke rikujtuar pamjet e rralla, deri tani të papërsëritura të dhjetëra mijëra protestuesve në rrugë, që i thoshin "jo" Putinit. Të paktën, për disa orë. Nuk shkuan as dy vjet dhe Nemtsov vdiq, jo fort larg këtij sheshi, në një urë mbi lumin Moska, i ekzekutuar sipas stilit të Kremlinit. Pasi që mbarova së lexuari librin e Gessenit, në sy më ra një postim në "Twitter", ku thuhej: "Një aktivist i cili ishte duke ruajtur memorialin e improvizuar kushtuar Boris Nemtsovit, vdes pasi që sulmohet nga një bandit pro-Putin". Kjo mund të jetë e ardhmja e Rusisë, por ajo duket tmerrësisht e ngjashme me të kaluarën e saj.

(Kosova Sot)