Drejtësia çlirohet pasi të ndëshkohet korporatokracia e 'peshkaqenëve të mëdhenj' të krimit

Drejtësia çlirohet pasi të ndëshkohet korporatokracia e 'peshkaqenëve të mëdhenj' të krimit
  • 10 October 2017 - 08:19

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Nuk ka demokraci në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse sundon korporatokracia e përbindëshit të politikës, pushtetit, padrejtësisë dhe e parasë se pistë. Kjo "elitë"korporato-hajdutokracie nuk është e interesuar të mbrojë ligjin, vlerat dhe standardet demokratike dhe as për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për pushtetin, pasurimin dhe luksin e vet kriminal. Pjesë dhe shërbëtorë të kësaj elite kriminale janë edhe shumica absolute e mediave mercenare. Kjo korporatokraci janë 'peshkaqenët e mëdhenj' të krimit, janë kriminelët e mëdhenj te politikës, të pushtetit dhe të biznesit të pisët. Kur kriminalizohen drejtësia, politika, pushteti dhe biznesi (ekonomia) , atëherë shteti funksionon si një institucion i kriminalizuar, pra si një (pu)shtet kriminal, dhe krimi në këtë rast quhet krim puro shtetëror. Karakterin kriminal shtetit ia jep (pa)drejtësia, dhe politika e pushteti i kriminalizuar, të cilët në fakt e sundojnë e nuk e qeverisin shtetin dhe shoqërinë. Shteti në këtë rast është peng, i kapur dhe i rrëmbyer forcërisht prej kësaj treshe të kriminalizuar prej së cilës pastaj lindin klane, banda dhe grupe mafioze për ta kontrolluar dhe për ta sunduar krimin, korrupsionin, ligjin, politikën, pushtetin, drejtësinë, shtetin dhe tere shoqërinë. Kjo është padrejtësi e pashpallur dhe e padekretuar me ligj , por realisht funksionon sikur të jetë e institucionalizuar, dhe, nga padrejtësia burojnë: krimi e terrori i frikësimit dhe nënshtrimi me indiferentizëm; burojnë përndjekja e dëbimi "paqësor" nga jeta politike ,ekonomike, akademike dhe patriotike madje edhe dëbimi nga atdheu i shqiptarëve, i intelektualizmit, profesionalizmit, ndershmërisë dhe i patriotizmit të vërtetë.

Pa u dëbuar me votë nga pushteti dhe pa u ndëshkuar nga ligji, demokraci kurrë nuk do të ketë

Nga padrejtësia në shtet dhe në sistem burojnë varfëria dhe papunësia, rënia shpirtërore dhe morale deri në depresion si dhe humbja e shpresës e perspektivës për një jetë më të mirë, të sigurt dhe të mirëqenë. Kjo lloj padrejtësie është ligji, drejtësia, mbrojtja dhe përfitimi më i madh për ata që kanë pushtetin, politikën, paranë dhe ekonominë, dhe kjo është korporatokracia e pashpirt dhe e korruptuar, e që pra, ata janë 'peshkaqenët e mëdhenj' të politikës, pushtetit dhe të parasë që grabisin e shqyejnë pa mëshirë dhe pa u ngopur me prona, pasuri dhe paranë publike, drejtësinë dhe ligjin. Pa u dëbuar këta me votë nga pushteti dhe pa u ndëshkuar nga ligji, e sigurta më e madhe do të jetë se vetëm drejtësi e demokraci kurrë nuk do të ketë. Këta 'peshkaqenë të mëdhenj' që media e kriminalizuar, spekulative dhe mercenare na i portretizon dhe reklamon edhe si persona VIP(si kinse individë shumë të rëndësishëm), duke na i paraqitur si persona me ndikim dhe me respekt publik duke e keqedukuar kështu edhe shoqërinë me edukatën negative, korruptivdashëse dhe jo drejtësidashëse. Këta peshkaqenë të mëdhenj te kriminalizuar fare, që janë pushtetarë e qeveritarë qendrorë, por edhe kryekomunarë e kryebashkiakë, deputetë, ministra, drejtorë e administratorë, si dhe pa harruar sidomos edhe gjyqtarët e prokurorët e inkriminuar, pra, të gjithë ata të cilët kanë kapur keq edhe shtetin e shoqërinë. Pa u ndëshkuar këta peshkaqenë të mëdhenj të cilët kanë privatizuar në rend të pare ligjin, drejtësinë, pushtetin, shtetin, ekonominë dhe që kanë marrë të drejtën për të bërë vetëgjyqësinë, krimin, korrupsionin, vjedhjen dhe tradhtinë publike dhe shtetërore, pa pasur frikë fare pasi nuk ndëshkohen, nuk çlirohet drejtësia: ky virtyt i lartë i moralitetit njerëzor dhe baza e moralit dhe e institucioneve mbi të cilat ngrihet shteti dhe funksionon shoqëria.

Kanë monopolin edhe në licencat e tregtisë

Kjo korporatokraci parazitare antiligj dhe kundërekonomike e antikombëtare dhe kundër shtetit të së drejtës, bllokon funksionimin e drejtësisë, nuk është e interesuar as për zhvillimin e biznesit, punësimit dhe të ekonomisë së vërtetë kombëtare, pasi ata kanë monopolin jo vetëm të ligjit e të pushtetit , por kanë edhe monopolin e licencat e tregtisë, atë të importimit të çdo gjëje nga jashtë, të artikujve të mallrave jashtë standardeve, të veshjeve dhe të ushqimeve e ilaçeve të skaduara , duke rrezikuar kështu edhe jetën e qytetarëve shqiptarë me produkte, mishra dhe miellra të cilat fqinjët prej ku ato importohen i groposin ose ua japin vetëm kafshëve. Këta 'peshkaqenë të mëdhenj' janë dhe ushtrojnë edhe një terror të madh jo vetëm padrejtësie, por edhe social e psikologjik mbi shoqërinë duke i detyruar shqiptarët që të braktisin atdheun, Shqipërinë dhe Kosovën e tyre te zemrës , e të marrin arratinë e azilkërkuesit nëpër Evropë. Pa ndëshkimin e tyre nuk çlirohet demokracia, shteti dhe as shoqëria prej vargonjve të padrejtësisë ,krimit, tradhtisë, korrupsionit, varfërisë, papunë- sisë, eksodit etj. Këtë ndëshkim, pra, ndëshkimin e padrejtësisë, e bën vetëm një popull i edukuar mirë me Edukatën Hyjnore së pari; e bën një popull jo hipokrit ,por që ka ndjesi dhe dhembshuri dhe i cili është solidar dhe jo indiferent ndaj fatkeqë- sisë së tjetrit; këtë ndëshkim e bën një popull trim, kundërshtarë e rezistentë kundër padrejtësisë së egër e kërcënuese ; e bën një popull i cili nuk lehtëmashtrohet nga interesi i ngushtë e i vogël personal, as nga gënjeshtrat, dhe që as nuk manipulohet, pasi po të manipulohesh do të thotë të biesh pre dhe të pajtohesh me korrupsionin. Këtë ndëshkim e bën vetëm një shoqëri e pakorruptuar. Ndëshkimin e padrejtësisë nuk e bën një popull që ia mbath vrapit e merr arratinë prej saj. Populli i cili nuk ndëshkon padrejtësinë, ai popull vuan me meritë pasojat e saj. Ndëshkimin e padrejtësisë e bën vetëm një shoqëri e civilizuar dhe e vetëdijesuar ,e cila nuk e jep as nuk e shet te këta 'peshkaqenë' politikë e kriminalë votën; ndëshkimin e bën një shoqëri e popull i cili nuk lehtëmashtrohet nga lëmosha dhe interesi i ngushtë momental e mashtrues , dhe që vetëkënaqet nga ndonjë përmirësim i vogël prej premtimeve fantastike të mashtrimeve të mëdha të fitimtarit mashtrues, hajdut dhe të korruptuar. Populli i civilizuar dhe i vetëdijesuar gjithmonë ndëshkon mashtrimin dhe gënjeshtrën e politikës dhe të pushtetit te inkriminuar . Ndëshkimin e padrejtësisë e bën gjithmonë një popull i cili guximshëm e njëzëri ndëshkon hajdutërinë, tradhtinë dhe traditën e saj te keqe, e cila fatkeqësisht nuk po na ndahet në shekuj.

(Kosova Sot)