Epidemia e maliqizmit ka prekur shqiptarët anembanë

Epidemia e maliqizmit ka prekur shqiptarët anembanë
  • 10 October 2017 - 08:21

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Nuk bëhet fjalë për qytezën e bukur të Maliqit dhe për banorët punëtorë e mikpritës. Të gjithë shqiptarët kanë respektet për maliqllarët. Na vjen keq, që vitet e fundit, i kanë lënë cazë pa punë, me mbylljen e fabrikës së sheqerit. Ide e këtij shkrimi është fenomeni i Maliqit mbi ligjin. Fatkeqësisht, vihet re se epidemia e maliqizmit ka prekur shqiptarët anë e mbanë. Dikush thotë se epidemia është sa e vjetër dhe bashkëkohore. Mbrohet varianti, se sëmundjen për herë të parë ,me të gjitha simptomat, e ka shfaqur Haxhi Qamili. Kjo ide, hidhet poshtë nga kundërshtarët e zjarrtë, me dy argumente. E para, që është edhe arsyetim i qëndrueshëm, rilindasit i përshkruajnë Maliqët shumë vite më përpara se të ketë lindur Haxhi Qamili. Shkopi ligjor, në duart e Maliqit, është i butë dhe i fortë, me gunga dhe i drejtë dhe varet nga gjendja psikologjike e tij, herët në mëngjes. E dyta, boll zullume ka bërë Haxhi Qamili, por vulë shtetërore nuk ka pasur asnjëherë. Ky është fakt i pamohueshëm historik, prandaj i bien në qafë kot të ndjerit, medemek se ai i ka shfaqur të gjitha simptomat e epidemisë.

Me pluralizmin partiak kanë dalë në dritë edhe Maliqë pozitarë, edhe opozitarë

Maliqët shqiptarë nuk i ngatërron aspak besimi fetar. Janë atdhetarë. Mendojnë vetëm për "mirëqenien" e bashkëpatriotëve. E prishin pak, kur transferojnë vlerat monetare, larg, në shoqëritë off-shore. Janë praktik. Nuk i përfillin tenderët, konkurset. Si privatë,në pronën e tyre , i shmangin me neveri procedurat e administrimit të pronës publike. Kostoja e marrëveshjes mbi ligjin, bie dhe afatet shkurtohen, kur punët bëhen me kompromis ,konsensus, pa ndërmjetësimin e avokatëve dhe sekserëve. I kanë prishur pazaret, fare pak, kamerat e fshehura digjitale E njohin bukur mirë piramidën shtetërore. Janë liberalë me eprorët dhe konservatorë me vartësit. I mjeri qytetar kur nga halli përballet me ata. Me pluralizmin partiak, kanë dalë në dritë edhe Maliqë pozitarë edhe opozitarë. Konflikti i tyre është epik, për të tërhequr pas vetes elektorat. Njëri ,ndonëse nuk e tha bukur, u shpreh:" Kryet i thefshin njëritjetrit." Jemi ne shqiptarët që bukur mirë jua lehtësojmë punën. Maliqët i ndeshim në; punë; fis; krushqi; shoqëri. I dëgjojmë kur na i tregojnë me patos bëmat e tyre, për shkeljen e ligjit, vetëm për të dalë uni i tyre në pah. Nuk bëzajmë. Si delet manare në vath, ne shtrëngohemi në klube dhe e shuajmë urrejtjen me alkool. Përgojojmë ata, që po e përdorin elektronikën bashkëkohore, për të faktuar praktikat e qerratallarëve. Ka Maliq, por edhe Kryemaliq. Këta të fundit janë votuar ,me votën e lirë, për të qenë në majën e piramidës. Me kokë- fortësi, eksperiencën e "vyer" shqiptare, kërkojnë ta shpërndajnë anekënd globit. Ndërkombëtarët, a pse kanë frikë nga ligji ,apo nuk e kuptojnë Maliqin, mbesin me gojë hapur kur dëgjojnë kërkesat e tyre. E para, mungesa e trimërisë për popullin tonë heroik,që e ka shkruar historinë me shpatë në dorë, është krejt e papranueshme. E dyta, po nuk kuptuan, të mësojnë gjuhën e bukur shqipe ! Me këtë praktikë do të shmangeshin përkthyesit e" paaftë" . FSHF, meqë një finale e kupave të Evropës u organizua para pak kohëve në Shkup, bën menjëherë kërkesën që të organizohej një në Tiranë, për vitin 2019. Dikush,me të drejtë, mund të pyes:" O Fatmir, pse e ngatërron Maliqin në këtë rast?" UUEFA- ka nxjerrë një kritër. Ndeshjet e finaleve të kupave të Evropës do të organizohen në stadiume me kapacitet mbi 30 mijë ulëse.

Frikacakët evropianë kanë nxjerrë bedate të ndryshme për të mos na afruar

Edhe në letër, Arena Kombëtare, ka të parashikuara 20 mijë ulëse. U shprehen me mllef kot kundër UEFA-s, pse nuk u plotësoi dëshirën. Si patriot dhe tifoz futbolli dua t'u dalë në krah tanëve ,por në këtë rast nuk kanë të drejtë. Për një dëshirë të Maliqit, UEFA nuk ka për të fshirë 33 % të ulëseve, së bashku me arkëtimet përkatëse. Këtë veprim, të paarsyeshëm, nuk e bëjnë Maliqët as në Shqipëri. Shqiptarët, nga Maliqët, kërkojnë integrimin me Evropën. Kërkesë e natyrshme. Jemi historikisht qytetarë në qendrën e saj. Frikacakët evropianë kanë nxjerrë bedate të ndryshme për të mos na afruar. Për Republikën e Shqipërisë, kanë vënë si kusht, atë kodosh reforme në drejtësi. Maliqët raportojnë se letrat i kanë bërë. Ndërkombëtarët ,kokë- mushkë, kërkojnë rezultate konkrete. Një dreq e di nëse e kanë për mirë ,apo për keq, a e kanë me ndershmëri, apo me hile !? Për Republikën e Kosovës liberalizimi i vizave është gërshetuar me njohjen reciproke të kufirit me Malin e Zi. Maliqët kosovarë ende nuk po e nënshkruajnë atë dokument, duke deklaruar se të gjitha letrat janë bërë për liberalizimin e vizave. Më shumë respektoj ligjin se Maliqin, për t'i rënë shkurt, që mos të më rrëshqasë ndonjë fjalë me mllef, për këta të fundit. Si shqiptarë 24 karatësh edhe kokëderrllëku i evropianëve nuk më pëlqen. Në matrapazllëqet me CEZ, del i ngatërruar si rastësisht edhe djali i madhoshit Fyle.

(Kosova Sot)