Shtetet jo të bashkuara të Amerikës dhe kontrolli i armëve

Shtetet jo të bashkuara të Amerikës dhe kontrolli i armëve
  • 10 October 2017 - 11:26

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

Masakra e Las Vegasit dhe pasojat e saj janë puro amerikane. Një person i çartur grumbullon më shumë se 20 lloje të armëve në një dhomë hoteli të katit të 32-të, me qëllim që të mbillte vdekjen në mesin e vizitorëve të një festivali muzikor, duke vrarë në fund edhe veten e tij. Më pas, luftërat kulturore plasën sërish, ku mbështetësit e kontrollit ndaj armëve luftojnë ashpër kundër entuziastëve të armëve. Përkundër kësaj, ekziston konsensusi rreth një të vërtete të thellë: nuk është se do të ketë farë ndryshimi të madh në këtë drejtim. Pas një jave të funeraleve të transmetuar në TV, jeta amerikane do të vazhdojë deri te masakra e radhës. Dhuna masive është thellësisht e rrënjosur në kulturën amerikane. Kolonizatorët evropianë të Amerikës për dy shekuj të tërë ushtruan një gjenocid të vërtetë ndaj banorëve vendas të Amerikës dhe themeluan një ekonomi skllavërimi e cila kishte lëshuar rrënjët aq thellë, sa që u desh një luftë civile për t'i dhënë fund asaj. Gati në të gjitha vendet e tjera, bile edhe në Rusinë cariste, skllavëria dhe bujkrobëria kishin marrë fund me një dekret, apo legjislacion, pa një gjakderdhje katër vjeçare. Pas mbarimit të kësaj lufte, Amerika themeloi dhe forcoi një aparteid i cili zgjati një shekull të plotë. Edhe sot e kësaj dite, shkallët e vrasjeve dhe burgosjeve në Amerikë janë disa herë më të larta sesa ato të Evropës. Çdo vit ndodhin disa të shtëna masive, në një vend i cili thuajse vazhdimisht është duke bërë luftë diku në botë. Thënë shkurt, Amerika është një vend me një histori dhe të tashme të racizmit, shovinizmit etnik dhe prirjes për dhunë masive. Vrasjet në Las Vegas edhe një herë e bëjnë të qartë nevojën e ndalimit të armëve të sulmit. Kur Amerika e kishte një ndalesë të tillë, nga shtatori i vitit 1994 deri në shtator të vitit 2004, kishte ardhur deri te zvogëlimi i vrasjeve masive; megjithatë Kongresi nuk arriti që ta zgjaste këtë ndalesë, për shkak të lobit të fortë të entuziastëve të armëve. Nuk ka gjasa që, së shpejti, të kthehet një ndalesë e tillë në nivel federal. Ndalimi i "bump stock", pajisjes e cila u përdor nga vrasësi i Las Vegasit për t'ia mundësuar pushkës së tij gjysmë- automatike që të gjuante sikur të ishte automatike e plotë, duket e mundshme, por do të duhet një veprim më i madh federal sesa vetëm kaq.

Amerika sot nuk ka shtete të kuqe (konservatore) dhe shtete të kaltra (progresive)

Kur Australia ndaloi armët e sulmit në vitin 1996, të shtënat masive u ndalën përnjëherë. Adhuruesit amerikanë të armëve refuzojnë dëshmitë e këtilla dhe vrasjet masive, sikur ajo në Las Vegas, shërbejnë vetëm për ta forcuar besimin e tyre se armët e zjarrta janë mbrojtja e tyre e vetme në një botë të rrezikshme. Sipas të dhënave të kohëve të fundit, animi kah armët është sidomos intensiv në mesin e republikanëve të bardhë, më pak të edukuar, meshkuj, që jetojnë kryesisht në zonat rurale dhe në periferi të zonave urbane në Jug dhe SHBA-në e mesme perëndimore - votuesit nga të cilët presidenti Trump ka marrë edhe mbështetjen më të madhe. Përkundër ndarjeve të thella ideologjike në vend, megjithatë ekziston një fije shprese. Sipas kushtetutës së SHBA-së, shtetet kanë autoritetin për të ndaluar armët e sulmit dhe për të rregulluar posedimin e armëve të zjarrta (edhe pse jo për të ndaluar revolet dhe pushkëve në tërësi, në bazë të interpretimit të të drejtës për të bartur armë, të përfshirë në Amendamentin e dytë, nga ana e Gjykatës supreme). Shteti im, Nju Jorku, tanimë ndalon armët e sulmit, sikur që bëjnë edhe disa shtete të tjera. Në vend të bërjes së një beteje tjetër të dështuar në Uashington, është më premtuese për t'i inkurajuar më shumë shtete të tjera për të përdorë prerogativat e tyre. Shtetet që do ta bënin një gjë të tillë do të kishin shkallë më të ulët të vrasjeve masive, qytetarë më të sigurt, si dhe ekonomi më të zhvilluara. Las Vegasi nuk do të vuajë vetëm nga trauma e masakrës së fundit, por edhe nga një 'diversion' në turizëm dhe konferenca, të paktën derisa Nevada të ndalojë armët e sulmit dhe të jetë në gjendje që ta garantojë sigurinë e vizitorëve. Amerika sot nuk ka shtete të kuqe (konservatore) dhe shtete të kaltra (progresive), por de facto, vende të kuqe dhe të kaltra, d.m.th. regjione të ndryshme, me kultura të ndryshme, heronj, politika, dialekte, ekonomi dhe ide të ndryshme të lirisë. Në qytetin e Nju Jorkut, liria d.m.th. që të mos frikësohesh që me mijëra njerëz me të cilët çdo ditë ndani parqet dhe trotuaret, të mbajnë armë vdekjeprurëse. Në Teksas, apo Las Vegas, liria nënkupton lirinë që ta bartni armën tuaj të përzgjedhur të zjarrtë kudo që të shkoni.

Konservatorët kanë të drejtë

Ka ardhur koha që shtetet e kuqe dhe ato të kaltra të shkojnë rrugës së tyre. Nuk kemi nevojë që ta bëjmë një luftë tjetër civile për t'u pajtuar rreth një veprimi miqësor dhe të kufizuar për të dobësuar lidhjet midis shteteve. Në këtë, konservatorët kanë të drejtë: Le ta zvogëlojmë fuqinë e qeverisë federale dhe t'iu japim shteteve më shumë të ardhura dhe autorizime. Në këtë mënyrë, secila anë e luftërave kulturore mund të afrohet më shumë kah realizimi i dëshirave, pa e detyruar palën tjetër që të dorëzohet. Shteti im do të lulëzonte në një federatë të tillë të dobët, duke përdorë të drejtat shtesë për të forcuar rregullat e tij dhe duke zhvilluar shërbimet sociale me anë të kursimeve në taksa, të cilat tani i jepen qeverisë federale. Dhe, një qeveri më e dobët federale do të nënkuptojë më pak luftëra amerikane në Lindjen e Mesme. Në një moment të caktuar, SHBA-ja do të bëhet me legjislacion federal të kontrollimit të armëve. Kur më shumë kongresistë do ta kuptojnë se jeta e tyre varet nga kjo gjë, atëherë do ta shohim një veprim në nivel nacional. Dy anëtarë të Kongresit tanimë janë vrarë këtë dekadë (Gabrielle Giffords në vitin 2011 dhe Steve Scalise në fillim të këtij viti). Por, për momentin, anë- tarët e Kongresit do të vazhdojnë që të mbesin të zënë në mesin e zjarrit të personave të çmendur që shtinë me armë dhe të lobistëve pro armëve. Kjo është e tmerrshme, por e vërtetë. Në Amerikën e Trumpit, dhuna me armë dhe jostabiliteti ushqehen çdo ditë. Një zgjidhje e nivelit kombëtar, që do të implementohej shpejt, do të ishte ideale. Por, derisa të ndodhë një gjë e tillë, më shumë shtete të SHBA-së duhet të inkurajohen që të miratojnë ligje për kontrollin e armëve, për të mirën e tyre.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe profesor i politikës dhe menaxhmentit shëndetësor në Universitetin "Columbia")

(Kosova Sot)