Shqiptarët braktisin atdheun prej terrorit të padrejtësisë

Shqiptarët braktisin atdheun prej terrorit të padrejtësisë
  • 13 October 2017 - 08:12

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Padrejtësia dhe korrupsioni e krimi i organizuar janë shkaktarët kryesorë të prishjes së shtetit, të moralit, rrënimit shpirtëror, depresionit dhe të humbjes së shpresës për jetë në një vend. Padrejtësia në Shqipëri dhe në Kosove është shndërruar në një terror të zymtë psikologjik që kërcënon qytetarët, pasi askush nuk e ka të sigurt jetën, pronën, biznesin prej kërcënimeve të qytetarëve ndërmjet tyre dhe të pasigurisë juridike që u shkaktohet nga vetëgjyqësia politike dhe nga ajo e drejtësisë së sistemit të gjyqësor të padrejtësisë. Shteti dhe ligji në Shqipëri dhe në Kosovë janë bërë pronë private e pushtetit, e politikës dhe e të fortëve të krimit, korrupsionit, të parasë së pisët. Këtij terrori të padrejtësisë i shtohen edhe varfëria e papunësia, duke ua bërë skëterrë jetën shqiptarëve, duke i detyruar ata që të marrin arratinë, a thua apo më keq akoma se do t'ua impononte një pushtues i huaj, apo një gjë të tillë nuk do t'ua kishte bërë as diktatura.

Krahasohemi me Sierra Leonen

Në Shqipëri dhe në Kosovë krimi i nëntokës së politikës dhe sidomos padrejtësia dhe korrupsioni gjithë- institucional shtetëror, sikur edhe ai shoqëror, e kanë sjellë në atë gjendje që lirisht mund ta quajmë edhe Apokalipsi i padrejtësisë në të dy shtetet shqiptare. Kjo për vetëm një fakt të besueshëm dhe që e vërteton plotësisht është realiteti se në të dy shtetet shqiptare kudo bisedohet dhe synohet kryesisht largimi i qytetarëve nga atdheu si shpëtim prej atyre se çfarë u ndodh shqiptarëve nga padrejtësia. Shqipëria dhe Kosova nga Zoti i madh janë atdheu i mrekullueshëm i shqiptarëve, me bukuri, mrekulli natyrore, me pasuri e burime të jashtëzakonshme, dhe shqiptarët nuk e braktisin atdheun, Shqipërinë dhe Kosovën për shkaqe të ndonjë katastrofe natyrore, gjenocidi të ushtruar nga ndonjë pushtues i huaj, sepse shtetet tona janë sovrane dhe të pavarura, ky largim i tyre nuk vjen prej ndonjë lufte apo konflikti etnik, fetar e civil si në Ruanda, e tani në Afganistan, në Siri e Sierra Leone, por vjen për shkak të padrejtësisë që sundon në Shqipëri dhe në Kosovë, prej pasigurisë dhe prej mosfunksionimit të ligjit, prej korrupsionit, papunësisë, prej varfërisë që edhe ato vijnë nga papëgjegjshmëria, korrupsioni, krimi dhe padrejtësia që po sundojnë e shkatërrojnë shtetin dhe shoqërinë. Këtë e tregon fakti se shqiptarët janë vendi i dytë në botë pas Sierra Leones, ku 56% e popullsisë sipas një sondazhi ndërkombëtar të GALLUP kërkojnë largimin nga Shqipëria. Po të llogarisim atë se Shqipëria ka një popullsi 4 milionë banorësh, por që 1.5 milion janë aktualisht emigrantë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe nëse do t'u ishte mundësuar largimi edhe i këtij 56% të popullsisë, në Shqipëri do të rezultonte të qëndronin 1.2 milion banorë. Kjo braktisje e atdheut vjen prej asaj për të cilën është deklaruar edhe ambasadori amerikan në Tiranë vjen prej padrejtësisë në Shqipëri. Tjetër gjë që është mjaft shqetësuese është edhe ajo se Shqipërinë e kanë marrë peng 4 klane mafioze e kriminale dhe 20 familje kriminale, gjë dhe fakt ky i deklaruar pak ditë më parë po nga i mirinformuari, ambasadori i SHBA-së në Tiranë.

Drejtësia peshohet dhe matet me kute të ndryshme

Padrejtësia, mosfunksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, krimi dhe korrupsioni oligarkiko-mafioz dhe i korporatokracisë hajdute e kriminale të montuara në sistem e kanë dërrmuar edhe psikologjikisht, moralisht dhe shpirtërisht, popullin shumë rëndë. Aq e rëndë është gjendja saqë i ka humbur jo vetëm vlera, por edhe kuptimi i nocionit drejtësi dhe si normalitet drejtësie po pranohet padrejtësia dhe korrupsioni, të cilët kanë fituar imunitetin e pandëshkueshmërisë dhe janë shtrirë dhe po kultivohen si kulturë kolektive. Ky është absurditeti më i madh që po ligjësohet prej drejtësisë, sistemit të saj edhe në Kosovë, pasi në Shqipëri tashmë ka lulëzuar dhe prej andej është rrezatuar edhe në tërë Kosovën. Drejtësia në Shqipëri vepron, peshohet dhe matet me kute të ndryshme. Kjo tregon se ajo nuk është drejtësi, por funksionon si padrejtësi, si vetëgjyqësi, si krim dhe korrupsion. Krimi, padrejtësia, korrupsioni dhe vetëgjyqësia japin leksione, përfaqësojnë, mbrohen dhe bëjnë ligjin në emër të drejtësisë dhe në emër të dy Republikave tona shqiptare. Drejtësia është për ta mbrojtur të dobëtin, ndërsa në Shqipëri drejtësia shtyp, terrorizon, persekuton, vjedh dhe e robton të dobëtin. Drejtësia në Shqipëri i shërben dhe është pronë e të fortit të pushtetit politik, të parasë, të mafisë, të krimit dhe të korrupsionit. Pra, në Shqipëri sundon ligji i xhunglës, sundon edhe si një terror psikologjik i "kultit" të padrejtësisë. Askujt mos t'i duket ky konstatim si çudi përderisa në Shqipëri nuk u ndërtua nga shqiptarët një shtet ligjor, edhe pse kemi mbi 100 vjet shtet, askujt mos t'i duket kjo si çudi përderisa politika dhe shoqëria shqiptare nuk qenë në gjendje as për ta miratuar vetë një reforme në drejtësi, por atë na e imponuan ndërkombëtarët, këmbëngulja, presioni dhe detyrimi për VETTINGun erdhi prej tyre. Fakti që edhe VETTING-u u promovua do të monitorohet dhe do të kontrollohet prej tyre me ekspertë, gjyqtarë e prokurorë, kjo do të thotë se VETTING-u është një lloj "protektorati" për zbatimin dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ky fakt është edhe ai për të cilin shqiptarëve më së shumti mund t'ua kthejë besimin te Drejtësia. Dhe kjo duhet të aplikohet sa me shpejt edhe në Kosovë, pra miratimi dha zbatimin e një ligji VETTING-u

Nuk duket shumë entuziazëm për VETTING-un

Në Shqipëri është miratuar Ligji i VETTING-ut dhe në Kosovë publiku i gjerë dhe opinioni atje kërkojnë të miratohet një ligj si ky në Shqipëri. Por, më shumë le të shpresojmë dhe të urojmë që edhe ky VETTING të kryejë misionin e tij të reformimit dhe të vendosjes së ligjit dhe jo të jetë e të shërbejë si fasadë dhe maskë e re sa për zëvendësim, sa për të ndërruar pushtet e vende pune në qeveri e në drejtësi, me emra dhe persona të rinj, dhe të vazhdojnë edhe ata me avazin e vjetër, por me melodi të re. Le të shpresojmë, ashtu edhe siç patëm shpresuar edhe në atë, tek e cila besuam se në emër të drejtësisë erdhi edhe komunizmi, por i cili solli vetëm skëterrën e paparë. Në emër të drejtësisë u promovua edhe postkomunizmi i pseudodemokracisë pas tij, i cili edhe ai nuk solli në këto 27 vite ndonjë gjë më shumë sesa vetëm një zëvendësim të mashtrimit me një dukje e maskë të re që tashmë është grisur dhe i ka dalë fare boja. Te qytetarët në Shqipëri nuk duket shumë entuziazëm për VETTING-un, pasi ky VETTING rrezikohet edhe të jetë e t'i shërbejë vetëm regjimit aktual politik të pushtetit partizan të Partisë Socialiste, të qeverisë 'Rama', pasi edhe drejtësia "komuniste" i shërbeu regjimit njëpartiak të diktatorit Hoxha, si dhe pas tij sistemi i drejtësisë u kap, u zgjodh dhe i shërbeu regjimit të Partisë Demokratike të Berishës. Këto duhet marrë në konsideratë edhe atë se çfarë deklaroi edhe deputetja e Partisë Socialiste se: 4 klane dhe 20 familje mafioze e mbajnë peng VETTING-un. Ky deklarim i saj vjen në sinkron me atë të ambasadorit amerikan Donald Lu. Ky realitet i thënë nga deputetja e guximshme e "Rilindjes" Socialiste, si dhe jo vetëm prej saj, por i pranuar edhe publikisht nga opinion i gjerë, a nuk është një akuzë direkt edhe për qeverisjen e këtyre 4-5 vite të Socialistëve te inkriminuar? Nëse zgjedhjet dhe vota e qytetarëve blihet, pra nëse arrihet të manipulohet dhe të korruptohet vota, pushteti i cili vjen pastaj me vota të tilla, siç ka ndodhur gjithnjë në Shqipëri, ai pushtet është mjeshtër i madh edhe për të blerë dhe korruptuar edhe Reformën në Drejtësi, edhe gjyqtarët e prokurorët e rinj, kushdo qofshin ata me porosi, të cilët ndoshta edhe mezi presin jo shumë për t'i shërbyer drejtësisë, por më shumë sa për t'ua zënë vendin atyre që do t'i fshije VETTING-u. Këtë arsyetim e bazoj në atë se çfarë kanë bërë në këto vite politika aktuale dhe sistemi në Shqipëri të cilët asgjë, asgjë nuk kanë ndryshuar përveçse kanë përkeqësuar po me zëvendësimin e patronazhit të karrigeve të pushtetit. Ky rrezik ekziston gjithmonë si mundësi dhe në këtë aspekt politikanët shqiptarë janë edhe servilë te mëdhenj të ndërkombëtarëve, por edhe mjeshtër të zotë për të korruptuar. Këto janë premisa të forta që e përkulin drejtësinë, duke bërë të mundur që edhe efikasiteti e rezultati i VETTING-ut të mos jetë aq i madh sa edhe pritet e shpresohet që të jetë. Drejtësia shqiptare në Shqipëri e në Kosovë është e sëmurë deri në paralizë nga padrejtësia. Kjo padrejtësi është një sëmundje, e cila e ka infektuar rëndë realitetin dhe shoqërinë në Shqipëri, duke i bërë dominues stresin dhe ankthin e pasigurisë dhe të depresionit se mund t'i ndodhë qytetarit gjithçka çfarë ai të ndihet i pambrojtur, i kërcënuar dhe i pasigurt nga padrejtësia. Kjo është arsyeja kryesore se përse shqiptarët pandalshëm si lumi largohen e ikin nga Shqipëria e Kosova.

 (Kosova Sot)